E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kosova do të hyjë, në këtë shkurtin e vitit 2011, në një tranzicion tjetër, disavjeçarë, suksesi dhe dështimi i të cilit do të fundosë apo do të shpëtojë shtetin e Kosovës.
Tranzicioni i fundit i Kosovės








Blerim Shala

Nëse nuk ndodhë farë befasie e madhe, e të tillat, që cilësohen si të mira, të thuash janë zhdukur prej faqes së dheut ndër ne, Republika e Kosovës do ta shënojë trevjetorin e të qenit, pa President dhe Qeveri të njëmendtë, dhe pa kurrfarë Kuvendi – pra, pa deputetë, apo, si thuhet, përfaqësues të popullit.

Të gjitha institucionet që do të jenë atypari, këtë të enjte, me 17 shkurt, tash e sa muaj klasifikohen si të shkarkuara, të vetë-shkarkuara, apo në dorëheqje. Në dorëheqje, së paku që nga fundi i shtatorit të vitit të shkuar, kur Fatmir Sejdiu la postin e Presidentit të Kosovës, është vetë shteti i Kosovës. Në tërheqje a në rënie, udhës për në dështim, është e gjithë shoqëria kosovare.

Mendim i tepruar? Vlerësim i paqëndrueshëm?
Shumë mirë në qoftë ashtu. E çka nëse është njëmend kështu?

Po çfarë kemi bërë, nëse tash i rrëfehemi hapur njeri-tjetrit, që prej fundit të shtatorit e këndej? I gjithë ky vend, i ngulfatur me një mijë probleme, është marrë me fatin e një grushti politikanësh të Kosovës, të cilët, me të bëmet dhe të pabëmet e tyre, së paku tash e tre vjet, që prej se jemi bërë shtet, dikush me të drejtë do të thoshte tash e gati dymbëdhjetë vjet, që prej se jemi çliruar, kanë sjellë Kosovën një hap afër humnerës.

Tash e pesë muaj pra, shoqëria e Kosovës mëngjes e darkë merret me rrëfimet për politikanët e Kosovës, me formulat e bashkimit dhe të ndarjes së tyre, të koalicioneve të mundshme e të pamundshme, me shkaqet e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe pasojat e organizimit të zgjedhjeve jashtëzakonisht të këqija. Pas darkës, u vjen radha fatzinjëve të serialeve turko-latino-amerikane, të cilët i pret ai fundi i lumtur. Si në përralla. E ne, në këtë politikën kosovare, u bëmë përrallë. Dhe madje, nuk na dihet akoma fundi.

Do të shohim, le të shpresojmë sa më parë që është e mundur, kush do të jetë Presidenti i dytë i Republikës së Kosovës, dhe çfarë do të jetë Qeveria e re e Kosovës, të cilës prapë do t’i prijë Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së.

Pa marrë parasyshë kombinimet e mundshme midis partive dhe formulat qeverisëse të cilat do të mundësojnë që shumica absolute e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mbështetë institucionet e reja të vendit, është e qartë që do të bëhej një gabim i madh, që në fillim pra, poqëse nuk kuptohet, si prej atyre që do të jenë në qeveri, ashtu edhe prej politikanëve që do të jenë në opozitë, që politika e Kosovës në dy-tri vitet e ardhshme, duhet të ndërtohet mbi dy vlerësime që nuk mund të mëdyshen a zbrapsen dot:
Së pari, Republika e Kosovës i ka punët keq, të thuash në të gjitha aspektet e mundshme. Përmirësimi i kësaj gjendjeje nuk mund dot të bëhet me politikën dhe diplomacinë që ka qenë në fuqi prej janarit të vitit 2008.

Së dyti, zgjedhjet e 12 dhjetorit, 2010 (me episodet vazhduese të 9 dhe 23 janarit, 2011), janë organizuar aq keq, saqë do të ishte gabim i madh poqëse në politikën kosovare nuk do të mbizotërojë mendimi që megjithëse ato duhet të pranohen, (për shkaqe të shumta, të cilat janë pak a shumë të njohura për të gjithë ne), këto votime, si të tilla, nuk mund të jenë burim i njëmendtë i legjitimitetit të institucioneve të vendit, apo, thënë edhe ma qartë, nuk mund të ketë institucione të qëndrueshme, duke u bazuar në këto zgjedhje.

Vullneti i votuesve është manipuluar aq shumë, vota e qytetarëve është abuzuar në atë shkallë, saqë ne, objektivisht, nuk e dimë se çfarë ka dashtë të na thotë, njëmend, populli, përmes kutive të votimit me 12 dhjetor.

Poqëse mirren parasysh këto dy vlerësime të cilat fakteqësisht janë të sakta, e të cilat në një mënyrë apo tjetrën bashkojnë qytetarët dhe politikanët e vendit, Kosovën dhe Perëndimin, atëherë, mund të mbërrihet tek një konkludim që qet në shesh dy qëndrime themelore, respektimi i të cilave do të mund ta ndalte teposhtëzen e madhe kosovare, dhe do të mund të krijonte rrethana kur madje, do të mund të fillonte ngjitja e Kosovës në nivelin kur ky vend, do të instalonte një proces shpresëdhënës të inkuadrimit të Kosovës në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i parë themelor, i cili pastaj i përcakton të gjithë të tjerët, është që Kosova do të hyjë, në këtë shkurtin e vitit 2011, në një tranzicion tjetër, disavjeçarë, i cili do të përfundonte suksesshëm poqëse pas dy-tri vjetësh, do ta integronim veriun e Kosovës, do të hynim në OKB, do të merrnin liberalizimin e vizave dhe do të krijonim raporte të mirëfillta me BE-në, do të nisnim uljen e papunësisë, do ta zvogëlonim varfërinë, do të mbërrinim tek buxheti që do të kalonte dy miliardë Euro, etj.etj.

Qëndrimi i dytë është që qeveritarët e ardhshëm të Kosovës, cilodoqfshin ato, në shumicën dërrmuese prej këtyre temave apo prej këtyre synimeve të vendit, do të duhej domosdoshmërisht të krijojnë një dialog të njëmendtë në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij, në shoqërinë kosovare, i cili do të mundësonte që vendimmarrja të jetë në përputhje të plotë me cilësinë e kërkuar të politikës kosovare për t’i bërë realitet këto synime madhore.

Poqëse qeveritarët e ardhshëm do të mendojnë që munden t’ia dalin vetë, duke vazhduar aty ku kanë mbetur me politikën e tyre të mbrapshtë të tri viteve të mbrama, dhe nëse ata nuk e kuptojnë që ky është ai tranzicioni final (në mesin e shumë të tjerëve paraprak ëpër të cilët ka kaluar Kosova, objektivisht, qysh prej vitit 1981), suksesi dhe dështimi i të cilit fundosë apo shpëton shtetin e Kosovës, atëherë, çfarë do të shohim në muajtë dhe vitet vijuese në Kuvendin e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare, do të jetë transmetimi i drejtpërdrejtë i gabimit final të politikës kosovare.
Nuk do të ketë happy end për ne.

Publikuar: 17.02.2011 | 16:55
Lexuar: 604 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime