14 vjet më parë ajo tronditi botën letrare me Zoti i gjërave të vogla, një vepër që e nxori nga anonimiteti letrar dhe e shndërroi në një perëndeshë të vogël të vendit të saj të madh. Që nga ai moment, ajo është shndërruar edhe në një nga kritiket më të mëdha të gjërave që nuk shkojnë dhe në një nga aktivistet më sypatrembura të të drejtave njerëzore.

Arundhati Roy mbush 50 vjeç këtë vit, dhe kur e sheh nuk të jep përshtypjen e një 50-vjeçareje. Maksimumi që mund ti japësh duke u nisur nga pamja e jashtme është mosha 35 vjeç. Ka një vitalitet mbresëlënës dhe me veshjen e saj tradicionale duket edhe më e re dhe edhe më e mençur. Ka një lëkurë të shndritshme dhe një trup që të bën të mendosh se është e dhënë edhe pas jogës. Ajo gjithmonë mban me vete në çantë një kopje të dorëshkrimit të librit të saj të parë, atë që e bëri të famshme dhe sipas standardeve perëndimore, edhe të pasur. Është një dorëshkrim që do të befasonte botuesit, të cilët kurrsesi nuk do ta kishin marrë me mend se ai do të shndërrohej në një libër që do të përkthehej në 40 gjuhë dhe do të fitonte çmimin më të famshëm letrar në Britaninë e Madhe: Booker Prize. Ajo që ndodhi pas botimit të librit Zoti i gjërave të vogla, në fakt është edhe më befasuese. Në vendin e saj ajo është shndërruar jo vetëm në një shkrimtare dhe në një mendje të ndritur që renditet mes novelistëve dhe profesorëve, por edhe në një polemizuese të zjarrtë dhe të guximshme. Esetë e saj publikohen në të gjithë botën dhe ajo vetëm mban leksione në sallat më prestigjioze universitare. Por, në vendin e saj ka një interes shumë herë më të madh për fjalën e kësaj gruaje të mençur dhe me shpirt shumë të ndjeshëm. Ajo është gjatë gjithë kohës në lëvizje. Një javë mban leksione në Shtete e Bashkuara, më pas merr avionin e ftuar në Afrikën e Jugut e më pas, po brenda një kohe shumë të shkurtër, i duhet që të kthehet në vendin e saj për të marrë pjesë në një tjetër veprimtari. Gjëja më e veçantë është se shkrimtarja shumë shpesh zgjedh të shkojë dhe të flasë edhe në vende apo qytete që nuk janë mësuar me vizitën e njerëzve të ndritur, dhe aty ka kënaqësinë më të madhe të flasë dhe të takohet me njerëz dhe të shkëmbejë me ta mendimet e të ndajë shqetësimet. Mbi të gjitha, ajo ka kohë që ka hequr dorë nga jeta prej pasanikeje që mund të kishte zgjedhur për veten e saj pasi u bë e pasur. Një pjesë e madhe e shkrimtarëve rehatohen dhe lëvizin vetëm me mjete luksi dhe flasin vetëm në këmbim të parave. Në fakt, ajo e bëri një jetë të tillë vetëm fillimisht, por për një kohë shumë të shkurtër, më pas vendosi që ti rikthehej realitetit që kishte pasur deri në momentin e pasurimit, sepse vetëm kështu do të vazhdonte që të funksiononte në mënyrë të shëndetshme për veten e saj dhe për të tjerët.
Në vend që të rehatohej edhe me qeverinë e vendit të saj, ajo i ka kaluar vitet e fundit duke qenë një nga kritizeret më të mëdha të saj, duke e akuzuar për të gjitha mëkatet dhe padrejtësitë me të cilat përballen njerëzit e thjeshtë për faj të sëmundjeve të klasës qeverisëse. Ajo ka ngritur vazhdimisht zërin pa frikë kundër digave të mëdha që janë ngritur nëpër lumenjtë e vendit, si pasojë e të cilave janë zhvendosur shumë banorë dhe janë shkatërruar shumë shtëpi e toka të punueshme, ka akuzuar qeverinë për oreksin e saj për të shtuar arsenalin e armëve bërthamore, për pushtimin e Kashmirit, e kështu me radhë. Ajo refuzon në mënyrë të vazhdueshme që të balancojë të keqen përkundrejt të mirës. Ajo është e ndërgjegjshme që lakmia ka përmasa dhe veti spektakolare, që korrupsioni brenda radhëve të qeverisë është i përmasave të frikshme, që 800 milionë njerëz në vendin e saj jetojnë vetëm me gjysmë dollari në ditë. Pavarësisht të mirave më të mëdha që gëzojnë 400 milionë banorë të tjerë të vendit krahasuar me një të shkuar të afërt, ajo nuk është e mendimit që për shkak të këtyre ndryshimeve pozitive duhet që të lëmë pjesën tjetër të njerëzve, që përbëjnë shumicën, në mëshirë të fatit. Faktet pozitive të vendit të saj, si ato të një ekonomie në një rritje të vazhdueshme dhe një forcim i shteti, nuk e qetësojnë dhe nuk ia zbusin aspak zërin e protestës. Ajo ka një përgjigje standarde: Supozoni se në këtë dhomë ku unë jam ndodhen 10 njerëz. Shtatë prej tyre janë duke vdekur urie dhe tre të tjerë janë mirë. Kur them se është e tmerrshme që këta 7 njerëz po vuajnë urie, ka nga ata që më thonë që të mos jem pesimiste dhe në vend të këtyre të shtatëve të shoh 3 të tjerët që kanë të hanë në mënyrë normale. Unë personalisht nuk mund dhe nuk dua ta shoh situatën me pozitivitet në një rrethanë të tillë, sepse për mua vetëm kur të jenë të gjithë mirë do të pushojë lufta e të kërkuarit drejtësi dhe mirëqenie. Deri atëherë, lufta ime do të vazhdojë pa reshtur, - thotë shkrimtarja.
Ajo është një gandiste dhe një pjesë të madhe të të ardhurave të saj e ka çuar në financimin e situatave që i ka konsideruar si ekstreme, edhe pse nuk ka dëshirë që të përmendë ndonjë prej tyre. Për sa i përket famës dhe pasurisë, ajo pohon se me famën u mësua dhe e treti shumë shpejt ndryshimin, ndërsa me pasurinë pati shumë probleme që në fillim. Paratë mu shfaqën në sasi të jashtëzakonshme para syve dhe për shumë kohë mendoja se nuk i meritoja. Unë thjesht kisha shkruar një libër me të cilin isha kënaqur dhe zbavitur shumë, dhe kjo nuk më dukej mjaftueshëm për të fituar ato para që do të kishin mbajtur me bukë për vite të tëra një fshat të madh në vendin tim, - shprehet ajo.
Në jetën që ajo bën, nuk i pëlqejnë etiketimet, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me punën dhe vokacionin e saj jashtë letërsisë. E vetmja gjë që pranon për veten e saj, është fjala shkrimtare. Por, ajo dhe të tjerët që e njohin dhe e kanë dëgjuar e dinë se bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Roy ndjen se në detyrën e saj të shkrimtares ajo ka edhe mundësinë që të krijojë ura dhe të zhdukë dallimet dhe diferencat mes palëve, apo situatave që duken të pamundura për të qenë bashkë. Dhe, këtë e ka bërë përmes veprave të saj, në të cilat shprehet gjithmonë me një elokuencë dhe guxim të madh edhe forca dhe besimi i brendshëm i vërtetësisë së vlerave në të cilat ajo beson. Ajo nuk është kurrë solemne në ato që shkruan dhe ato që thotë, përkundrazi, është thelbësisht e thjeshtë dhe qartësisht e kuptueshme. Punën e krijimit dhe sjelljes në jetë të romanit të saj të parë e ka krahasuar me izolimin dhe vetminë që kalon një njeri në burg përgjatë një periudhe 4-vjeçare. Për Zoti i gjërave të vogla, asaj iu desh që të qëndronte vetëm me personazhet dhe ngjarjet, e izoluar nga bota dhe nga ndikimet e jashtme, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të zëvendësuar realitetin e saj me atë të librit, në mënyrë që ky të përçonte sa më shumë vërtetësi dhe shfaqej i ngjizur me natyrshmëri dhe forcë jetësore. Për të, krijimi është një proces i shenjtë dhe që kërkon kohë. Unë nuk dua që të jem si një fabrikë që prodhon në mënyrë të vazhdueshme fjalë, ngjarje dhe personazhe, dhe nuk dua që ta jetoj jetën time si një projekt shkrimesh dhe në funksion vetëm të shkrimit të sa më shumë librave të tjerë. Në rastin tim, unë shkruaj kur e ndiej dhe e bëj nën presionin e asaj që vërtetë e kam të pamundur që ta lë pa e thënë. E ndërsa shkrimi nuk i nënshtrohet, sipas saj rregullave të rrepta të kohës dhe ngutjes, veprimtaria e saj sociale i nënshtrohet një axhende shumë të përcaktuar dhe një rregulli që përcakton. Ajo në mënyrë të vazhdueshme kundërshton qeverinë e vendit të saj për të gjitha çështjet që i konsideron si të padrejta. Një vit më parë rrezikoi prangat për shkak të thirrjeve që bëri për lirinë e Kashmirit. Jo rrallë është përballur me rreziqe fizike dhe ekzistenciale për shkak të deklaratave të saj. Por, nuk është ndalur dhe ky guxim i jashtëzakonshëm është një nga vlerat më të mëdha të kësaj gruaje, që nuk di të përkulet. Ajo vjen nga një familje e madhe në numër dhe e lumtur. E ëma iku nga i ati i saj i dhunshëm në Kerala dhe u martua me të parin mashkull që takoi kur mbërriti në Kolkata. Ai ishte një asistent menaxher shumë i ri në moshë. Por duke qenë se ai ishte shumë i dhënë pas alkoolit, çifti u nda pas tre vitesh, kur Arundhati ende nuk kishte mbushur 2 vjeç dhe së bashku me të ëmën dhe të vëllain u detyruan që të ktheheshin në Kerala. E ëma nisi që të drejtonte një shkollë, çka vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite. Shkrimtarja e konsideron të ëmën një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm që ka njohur, si një njeri që i përcolli vlera të mëdha njerëzore përmes shembullit personal që i dha fëmijëve gjatë viteve të vështirë të fëmijërisë. Megjithatë, shkrimtarja e ardhshme kishte një dëshirë të jashtëzakonshme që të shkëputej nga familja dhe të fluturonte e lirë në fatin e saj. Kështu që në moshën 17-vjeçare, për disa vjet i preu kontaktet me të ëmën dhe me të vëllain, derisa një ditë i vëllai lexoi për shfaqjen e saj në një film dhe kështu ata rivendosën lidhjet mes tyre. Jeta që kanë bërë njerëzit që ka takuar dhe mësimet që ka marrë, si në rastin e çdo shkrimtari, i kanë shërbyer si brumë për librat e saj. Ajo, edhe pse mund të duket paradoksale, falënderon Zotin që i dha një jetë jo të lehtë dhe një fat me të papritura dhe jo normal, pasi këto gjëra e bënë atë që është sot.
Për sa i takon jetës private, shkrimtarja është martuar dy herë dhe herën e dytë me një ambientalist dhe regjisor. Ndërsa merret me çështjet sociale dhe njerëzore të vendit të saj, ajo ka nisur më në fund punën për të shkruar romanin e saj të dytë, plot 18 vjet pasi nisi punë për të parin. Dua që fillimisht, ose në këtë fazë në të cilën jam, të mendoj për detajet dhe jo për tërësinë e ngjarjeve. Kur përfundova Zoti i gjërave të vogla kisha shumë dëshirë që të kuptoja se si funksiononin gjërat e mëdha në krijimin e një romani. Tani që ato i di, dua që të shoh dhe të kuptoj se si funksionojnë gjërat e vogla.