Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn përsëriti në Bruksel se liberalizimi i vizave me vendet e rajonit mund të realizohet nga fundi i vitit 2009, vetëm për ato vende që plotësojnë kushtet.
Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn përsëriti në Bruksel se liberalizimi i vizave me vendet e rajonit mund të realizohet nga fundi i vitit 2009, vetëm për ato vende që plotësojnë kushtet.
Në kohën kur Maqedonia ishte përmendur më parë si vendi më i përparuar, Rehn i shtoi një tjetër vend listës pozitive duke deklaruar se Serbia ka shanse ta arrijë këtë gjë nëse plotëson kushtet.
Gjatë një konference për shtyp pas takimit që zhvilloi me ministrin e jashtëm të Serbisë Vuk Jeremiç, i pyetur nga Alsat për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjën, komisioneri u përgjigj se çdo vend do të trajtohet duke u bazuar në meritat individuale.
Të gjitha vendet nisin me shanse të barabarta dhe ne aplikojmë të njëjtin nivel masash. Do të varet nga vendet përkatëse në Ballkan, nëse secili prej tyre, bazuar mbi meritat individuale, do të plotësojë kushtet siç janë pajisja me pasaporta biometrike, garantimi i sistemit të sigurisë së integruar të kufijve por edhe çështje të tjera të rëndësishme për sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian.
Vetëm pasi të jemi bindur ne të Komisionit, atëherë ne mund të bindim ministrat e brendshëm të BE-së dhe mund të presim që Këshilli të ndjekë rekomandimet e Komisionit. Këtë gjë e bëjmë vend pas vendi, dhe nuk ka rëndësi se çemër ka vendi por rëndësi ka se sa mirë ky vend është i aftë të përmbushë kushtet e vendosura në udhërrëfyes, deklaroi Olli Rehn, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE-së.
/Ernest Bunguri, Alsat/