Ngjyra e hedhur sipër rektorit nga aktivistët e Vetëvendosjes, Rron Gjinovci dhe Durim Jasharaj, nuk ka rezultuar të jetë ngjyrë e thjeshtë. Ndonëse kjo ngjyrë pritet të dërgohet në organet kompetente për verifikim se çfarë substance mban, tash për tash parashihet të ketë pasur në përbërje të saj edhe lëndë djegëse (tretës i ngjyrave metalike).
Anita Kadriu
Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Mujë Rugova, do të dërgohet në shtetin gjerman për tiu nënshtruar analizave me të thella dhe një tretmani mjekësor. Pas kontrolleve mjekësore të mjekëve kosovarë dhe përkeqësimit të gjendjes, atij i është rekomanduar një mjekim më i specializuar.
Ngjyra e hedhur sipër rektorit nga aktivistët e Vetëvendosjes, Rron Gjinovci dhe Durim Jasharaj, nuk ka rezultuar të jetë ngjyrë e thjeshtë. Ndonëse kjo ngjyrë pritet të dërgohet në organet kompetente për verifikim se çfarë substance mban, tash për tash parashihet të ketë pasur në përbërje të saj edhe lëndë djegëse (tretës i ngjyrave metalike).
Gjendja shëndetësore e rektorit ka filluar të përkeqësohet, të premten në mbrëmje dhe gjatë së shtunës sidomos në ato pjesë të trupit ku është hedhur ngjyra. Në raportet mjekësore të siguruara nga Zëri rektori është urdhëruar për një tretman intensiv prej 13 medikamentesh. Raporti i demartologut flet për diagnozë djegie të shkallës së dytë (combustio gradus II-duam).
Përderisa burime të Zërit konfirmojnë se ai do të udhëtojë paraditen e së dielës për shërim në Gjermani, një gjë e tillë nuk është hedhur poshtë as nga vetë rektori Rugova. Ai ka thënë për Zëri se është i shtyrë të kërkojë shërim jashtë vendit, veçanërisht për shkak të substancave të hedhura në ngjyrën me të cilën është spërkatur, e që sipas tij, janë me përmbajtje të rrezikshme.
Rugova ka theksuar se substancat do të vërtetohen në Gjermani, pasi edhe gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përkeqësohet pas katër ditëve të sulmit, gjë që nuk e sheh si normale. Rënia e lëkurës nga pjesët e trupit të prekur me ngjyrë dhe humbje të shikimit me njërin sy, vështirësi në frymëmarrje janë simptomat e paraqitura tek rektori.
I pari i UP-së, Rugova, ka theksuar se pas këtyre pasojave të paraqitura në shëndet dhe informimit se në ngjyrë ka substanca të rrezikshme për jetë, do të bëjë padi private në gjykatë si dhe padi institucionale për shkak, siç thotë ai sulmit ndaj UP-së si institucion.
Rektori ka thënë se do të kërkojë nga organet e drejtësisë të zbardhin rastin dhe të gjejnë ata që organizuan sulmin si dhe personat që hodhën tretësin në ngjyrë. Ligji i dënoi ata dy fëmijë. Sa më përket mua, nuk do ti dënoja fare, ata janë vetëm fëmijë dhe i fal, por ligji duhet të gjejë ata që qëndrojnë prapa këtij skenari dhe shfrytëzuan këta dy fëmijë, ka thënë Rugova.
Ndonëse sulmin e quan të paarsyetueshëm, pasi sipas tij është qeveria ajo që cakton buxhetin dhe shumën e semestrit, thekson se të paktën të kishin përdorur ngjyrë të thjeshtë, apo keqap... dhe jo substanca me pasoja në shëndet.
Ndërkohë përfaqësues të Vetëvendosjes nuk kanë pranuar të komentojnë lidhur me këtë rast. Erzen Vraniqi, zyrtar për informim në Vetëvendosje ka thënë se ky subjekt politik nuk do të komentojë rastin e ndodhur me rektorin.
Është situatë e papërshtatshme. Nuk duam të komentojmë, ka thënë shkurt ai pa dashur të lëshohet në deklarata, por duke pranuar se akti është kryer dhe arsyetimi për këtë është dhënë.