Për disa, Cher nuk ka qenë kurrë një aktore e vërtetë, për të tjerë, kurrë një këngëtare. Pas 45 vitesh sukses, nuk e vras mendjen për kritika, thotë ajo. Vetëm diçkaje nuk i është dorëzuar: urren të plaket.
Për disa, Cher nuk ka qenë kurrë një aktore e vërtetë, për të tjerë, kurrë një këngëtare. Pas 45 vitesh sukses, nuk e vras mendjen për kritika, thotë ajo. Vetëm diçkaje nuk i është dorëzuar: urren të plaket.
Ikonë e muzikës pop, mbretëresha e operacioneve plastike, në moshën 64-vjeçare, Cher, mbetet një nga artistet më të famshme dhe më të dashura në botë. E tregojnë më së miri tre vitet e kaluara në Los Anxhelos, për spektaklin Cher at the Colosseum, por edhe vlerësimet për provën e saj të fundit në një muzikal, në kinematografi me filmin Burlesque dhe kënga You Havent Seen The Last of Me, fituese e një Golden Globe. Cher është gjithmonë në formë të shkëlqyer, ndoshta nga që operacionet e shumta plastike i kanë fshirë çdo gjurmë të moshës.
Çfarë ju bindi për tu rikthyer në kinema?
Fakti që Burlesque ishte një muzikal që më dha mundësinë jo vetëm të aktroj, por edhe të këndoj.
Çfarë mendoni për Christina Aguilera-n? Është ajo Cher-i i ri?
Ka të njëjtat qëllime që kisha unë dikur. Në të vërtetë, te çdo artiste të re shoh veten, sepse ajo që na bashkon është dëshira e mirë për të bërë gjërat dhe ambiciet për të arritur në majë. Christina është një yll i muzikës pop dhe shpresoj që të bëhet yll dhe në kinema.
Ju jeni një aktore e famshme, e cila ka marrë shumë vlerësime, madje edhe Oskar për Stregata dalla luna. Kur e zbuluat pasionin për kinemanë?
Në moshën 16-vjeçare, kur takova Sonny Bono (burrin e parë) dëshira ime ishte aktrimi. Të këndoja nuk ishte vetëm një hobi dhe nuk e mendoja kurrë që do të shndërrohej në një profesion. Ai që bëri ëndrrën time të realizohej ishte Robert Altman. Në vitin 1982 më bëri që të nisja rrugën që doja në kinema.
Pavarësisht vlerësimeve, ju thoni se nuk jeni marrë kurrë seriozisht nga aktorët e tjerë...
Kur thashë se doja të aktroja, më thanë se isha qesharake, se isha një këngëtare e që do të ishte mirë nëse do vazhdoja të mbetesha e tillë. Gjithmonë varet nga këndvështrimi: për disa nuk jam një aktore e vërtetë, e për të tjerët nuk jam një këngëtare e vërtetë. Por duke qenë se tashmë i kam kaluar 45 vjet të mbushura me sukses, këto kritika nuk më shqetësojnë më.
Ku i mbani çmimet që keni fituar?
Në studion time, afër dhomës së gjumit. Jam shumë krenare sepse kam arritur shumë gjëra, që më kanë dhënë kënaqësi në jetë.
Nuk keni menduar të punoni sërish bashkë?
Më duhej ta bëja te filmi Mamma Mia!, por isha në turne dhe pavarësisht se kisha shumë dëshirë, mu desh të hiqja dorë.
Ju bën përshtypje fakti që ju quajnë legjendë?
Jo, jo, absolutisht nuk e konsideroj vetën legjendë.
Sigurisht që jeni për shumë nga fansat tuaj dhe për shumë aktorë të rinj. Ndoshta sepse përpara jush, e konsiderojnë veten të vegjël...
Ndoshta nga që nuk më njohin. Edhe unë isha pak e frikësuar kur më duhej të përballesha me Meryl Streep. Mjafton ti njohësh njerëzit dhe për shumë prej tyre e kupton se janë njësoj si ty.
Dikur keni thënë se i kaloni të gjitha sfidat, pavarësisht vështirësive. Cila ka qenë pengesa më e madhe që ju është dashur të kaloni?
Kritikat për projektet që kam pasur shumë për zemër, por që për fat të keq, nuk përfunduan ashtu si do doja.
Ju keni një fizik të jashtëzakonshëm. Sekreti?
Një regjim ushqimor perfekt. Të paktën katër herë në javë merrem me aktivitet fizik. Me këtë veprimtari jam marrë që e vogël dhe tashmë është pjesë e jetës sime. Nuk pi alkool, as duhan dhe nuk përdor droga.
Çfarë mendoni për vitet që kalojnë?
E urrej këtë fakt. Më duket qesharak. Mendoj se të gjithë ata që thonë se është bukur të plakesh, gënjejnë.
Le të flasim për dashurinë. Është e vërtetë se jeni duke u martuar me aktorin dhe shkrimtarin Ron Zimmerman?
Jo, ne nuk jemi as të fejuar. Jem miq dhe ndoshta pak më shumë. Kemi qenë bashkë për një vit, por martesa nuk ka qenë kurrë në planet tona.
Jeni e lumtur?
Shumë. Bëj një punë që më pëlqen, shijoj jetën, kam miq fantastik dhe një raport të mirë me fëmijët. Çfarë mund të kërkoj më shumë?