Protestat masive që kanë përfshirë të gjitha vendet arabe dhe një pjesë të Lindjes së Mesme, i kanë tronditur keqas pushtetin shumë autokratëve që kanë sunduar në vendet e tyre me dorë të hekurt dhe për dhjetëra vite me radhë.
Protestat masive që kanë përfshirë të gjitha vendet arabe dhe një pjesë të Lindjes së Mesme, i kanë tronditur keqas pushtetin shumë autokratëve që kanë sunduar në vendet e tyre me dorë të hekurt dhe për dhjetëra vite me radhë. Është një shpirt revolte që po përhapet me shpejtësi dhe do të shndërrojë politikën dhe regjimet e shumë vendeve. Ja disa nga ata burra të fortë shteti, që ndihen më të kërcënuar në këtë situatë të re, që ua ka dobësuar ndjeshëm pushtetin
1. Abdelaziz Boutelfike
73-vjeçari Abdelaziz Boutelfike kaq qenë Presidenti i Algjerisë që nga viti 1999 me partinë në qeveri, Fronti i Çlirimit Kombëtar, partia e revolucionarëve socialistë që ndërmori luftën e përgjakshme për pavarësi nga Franca në vitin 1962 dhe që më pas, në mënyrë të shpejtë, e transformoi vendin në një regjim njëpartiak të mbështetur nga forca dhe dhuna e ushtrisë. Në vitin 1990, regjimi në fuqi pati një luftë të ashpër me islamikët, të cilëve iu mohua fitorja në zgjedhjet e përgjithshme, përmes ndërhyrjes së dhunshme të ushtrisë. Gjatë viteve në pushtet, Boutelfike është përpjekur që të shtojë numrin e partive në vend dhe të përmirësojë deri-diku rekordin negativ të demokracisë, por liritë janë shumë të kufizuara, ndërkohë që korrupsioni është i përmasave të mëdha në radhët e qeveritarëve dhe pushtetarëve. Përveç pasurisë së vendit me gaz natyror, papunësia është në një shkallë të lartë dhe kryesisht të rinjtë ndihen të pashpresë. Pas protestave në Tunizi dhe përmbysjes së Presidentit Ben Ali, Boutelfike, vendi i të cilit është më i varfër se Tunizia, u përgatit që të përballej gjithashtu me një revoltë. Edhe në Algjeri, si në rastin e Tunizisë, gjashtë veta i kanë vënë vetes zjarrin në shenjë proteste, por pasojat nuk kanë qenë si ato të Tunizisë.
2. Ali Abdullah Saleh
Java e protestave në Jemen i ka shtënë të dridhurat Presidentit të vendit Saleh, i cili nxitoi që të nxirrte me vrap nga burgu aktivistët e dënuar, për shkak të kërkesës për përmirësim të të drejtave të njeriut dhe disa gazetarëve. Saleh, në krye të vendit që prej 32 vjetësh, është kritikuar vazhdimisht për shkallën e lartë të korrupsionit qeveritar dhe është konsideruar gjithmonë si një shtet vasal i amerikanëve në luftën e tyre kundër terrorizmit. Presidenti ka një histori marrëveshjesh edhe me islamikët, vetëm e vetëm që ti sigurojë vetes vazhdimësinë në pushtet.
Në fillim të këtij viti, Parlamenti i dha të drejtën Saleh që të vazhdonte të qëndronte në pushtet, edhe pse sipas Kushtetutës mandati i tij kishte skaduar prej vitesh. Ky lajm solli protesta të mëdha në vend, të cilat janë intensifikuar që pas ngjarjeve në Tunizi dhe Egjipt.
3. Kim Jong Il
Si lider i një prej vendeve më të izoluara në botë, për të nuk ka shumë informacione, përveç deklaratave absurde që dalin herë pas here nga goja e tij, nëpërmjet medias vendase, si kompozimi nga ana e tij e gjashtë operave brenda një viti. Apo ajo bëma tjetër e drejtimit të skuadrës kombëtare të futbollit me një telefon celular të teknologjisë së lartë, të cilin e kishte shpikur po vetë. Me gjithë këto cilësi magjike, si është e mundur që vendi i këtij lideri vizionar është në kulmin e varfërisë? Ndërkohë ai ka ngritur një nga ushtritë më të mëdha në botë, ndërsa agjenci të ndryshme vlerësojnë se në këtë vend, që nga fillimi i viteve 90 kanë vdekur 2 milionë njerëz për shkak të mungesës së ushqimit. Regjimi i tij është vënë nën akuzë për abuzime ekstreme me të drejtat themelore të njeriut. Një pjesë e këtyre abuzimeve janë edhe 200 mijë njerëzit që ndodhen në burgje dhe kampe pune për shkak të vendimeve të ndryshme. Shpresa e vetme e Koresë së Veriut është vdekja e Kimit. Ai ka përcaktuar si vazhdues të pushtetit të birin Kim Jong Un, një djalosh në të 20-at. Megjithatë një ndjenjë e madhe pasigurie mbizotëron në vend deri më tani.
4. Alexander Lukashenko
E quajnë shpesh diktatori i fundit në Europë. Ai është Presidenti i Bjellorusisë gjatë 16 viteve të fundit. Për të mbajtur pushtetin, ai ka shtypur me grusht të hekurt të gjitha zërat opozitarë dhe median e vendit. Kundërshtarët politikë monitorohen të gjithë nga policia sekrete, e cila ende mban emrin KGB. Kontrolli i Lukashenkos në vendin e tij nisi në vitin 1996, kur Parlamenti kërkoi hetime për të. Ai e shpërbëri atë Parlament menjëherë dhe mori kontrollin personalisht të sistemit të drejtësisë. Dhjetorin e kaluar u rizgjodh me 80% të votave, por shumë vëzhgues të pavarur deklaruan se vota u vodh. Që nga ai moment, ai shtypi me dhunë çdo lëvizje që tentoi ta rrëzonte nga pushteti. Pas këtyre veprimeve, komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione ndaj tij, por si gjithmonë, ato nuk kanë asnjë ndikim.
5. Omar Hassan al-Bashir
Omar Hassan al-Bashir, i cili erdhi në pushtet në Sudan pasi drejtoi një grusht shteti në 1989-n (ka qenë President që nga viti 1993) është i pari kryetar shteti ende në detyrë ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve ka lëshuar një fletë arresti.
Ai kërkohet në lidhje me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe për ato të gjenocidit në Darfur. Por këto nuk janë problemet e vetme juridike me të cilat ai përballet. Në janar të këtij viti, në të njëjtin muaj kur Sudani i Jugut votoi për shkëputje, u organizuan protesta të mëdha nga të rinjtë kundër regjimit të Bashir.
6. Mahmud Ahmadinexhad
Shtypja e ashpër që i bëri opozitës dhe protestave që i kundërshtuan mandatin e dytë presidencial të vitit 2009, i shkaktuan shumë probleme. Kundërshtari kryesor i Ahmadinexhadit dhe mbështetësit e tij kërkuan rinumërim të votave të vjedhura. Në demonstratat që shoqëruan këtë kërkesë u vranë dhjetëra vetë dhe njerëzit u përballën me trupat ushtarake. Një javë pas tyre zgjedhjet u dekretuan, duke u deklaruar të vlefshme dhe duke afirmuar fitoren e Ahmadinexhadit.
Ditët e fundit, nën shembullin e Egjiptit dhe Tunizisë, të rinjtë dhe opozitarët kanë dalë sërish në protesta në Teheran, ndërkohë që janë shënuar edhe viktimat e para.
7. Robert Mugabe
Mugabe qëndron në krye të vendit, që pas arritjes së pavarësisë në vitin 1980. Gjatë 30 viteve si Kryeministër dhe President, ai dhe partia e tij kanë shtypur me dhunë çdo lloj përpjekjeje të opozitarëve për ndryshim dhe e kanë përqendruar gjithë forcën dhe vëmendjen te mbajtja me çdo kusht e pushtetit dhe jo te përmirësimi i jetës së popullsisë, e cila ndodhet në kushte shumë të këqija.
Pavarësisht taktikave të tij shumë të dhunshme dhe të ashpra, pakënaqësia e njerëzve arriti kulmin dhe ata dolën në protesta për të mbështetur Morgan Tsvangirai (në një lëvizje opozitare, i cili mori më shumë vota se Mugabe në votimin për President). Këto zgjedhje u pasuan me shumë protesta dhe kaos në vend. Aktualisht Mugabe është sërish President i vendit, pas një ndarjeje pushteti në bazë të një kompromisi që bëri me kundërshtarin e tij, i cili është Kryeministër.
8. Emomali Rahmon
Që nga 1992, një vit pas pavarësisë, vendi i vogël aziatik Taxhikistani është qeverisur nga Rahmon. Ish-zyrtari sovjetik erdhi në pushtet pas një lufte civile të përgjakshme në vend, mes islamikëve dhe ateistëve të mbështetur nga rusët, mes të cilëve ishte edhe Rahmon. Në këtë luftë civile humbën jetën qindra vetë, por Rahmon doli fitimtar dhe së bashku me liderë të tjerë të Azisë Qendrore drejton vendin me një regjim autoritar, duke pasur gjithmonë në majë të gjuhës justifikimin se është i domosdoshëm për të mbajtur larg pushtetit islamikët ekstremistë. Por analistët e konsiderojnë Rahmon një lider i cili ka lënë vendin në një varfëri dhe mjerim të thellë dhe duke e shndërruar në një rrugëkalimi të opiumit që vjen nga Afganistani. Pasi recesioni financiar preku Rusinë dhe Kazakistanin, mijëra emigrantë taxhikë që jetonin e punonin në këto vende u kthyen në shtëpi, duke i hequr vendit nga një mundësitë e pakta të të ardhurave, ato nga emigracioni Në këtë klimë të rëndë ekonomike, ekspertët shohin gjurmët e një rizgjimi të kryengritësve islamikë nëpër zonat e thella të vendit.
Sigurisht që për familjen e tij, Presidenti i plotfuqishëm është kujdesur duke e bërë një nga më të pasurat në rajon.