Një projekt i përbashkët shqiptaro-italian, i nisur një javë më parë, do të mundësojë mbarështimin e ullirit në të gjithë vendin, në përputhje me standardet më të përparuara në këtë fushë.
Një projekt i përbashkët shqiptaro-italian, i nisur një javë më parë, do të mundësojë mbarështimin e ullirit në të gjithë vendin, në përputhje me standardet më të përparuara në këtë fushë.
Specialistja e ullishtarisë pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive në Vlorë, Aulona Veizi, thotë për ATSH, se projekti është hartuar nga Instituti i Kërkimeve Bujqësore dhe Agrokulturës në Firence(Itali), në bashkëpunim me komunën dhe Dhomën e Tregtisë së Grossetos, ndërkohë që ka nisur edhe konkretizimi i tij në vendin tonë.
Sipas Veizit, projekti synon sensibilizimin dhe kultivimin intensiv të kulturës së ullirit në të gjithë vendin, gjë që do t'i paraprijë krijimit të kushteve të favorshme për shumëfishimin e tij në numër dhe në sipërfaqe.
Qendra e Transferimit të Teknologjive është pika lidhëse e projektit për Shqipërinë, duke u shndërruar në një prodhuese të varieteteve më të përshtatshme në funksion të natyrës dhe kushteve klimatike të zonave të caktuara, ku do të kultivohen ullinjtë.
"Bashkëpunimi me Institutin e Kërkimeve Bujqësore dhe Agrokulturës në Fierence, është konceptuar si një marrëdhënie dhe shkëmbim përvoje mes kërkuesve shkencorë dhe specialistëve në fushën e ullirit, për të krijuar fidanat dhe varietetet që do të zgjidhen për kultivim, në varësi të terrenit, vendit dhe kohës së kultivimit", sqaron Veizi, duke shtuar se, aktualisht ka nisur studimi për realizimin e fidanave për të cilët do të vendosin specialistët e të dy institucioneve shkencore.
Në kuadër të këtij projekti, tre javë më parë në Institutin e Kërkimeve Bujqësore dhe Agrokulturës(CNR) në Firence, u zhvillua një konferencë shkencore, ku ishin të pranishëm kërkues shkencorë dhe specialistë nga Italia dhe Shqipëria, por edhe nga vende të tjera, që kanë traditë kultivimin e ullirit, si Sllovenia e Maroku. Ky aktivitet shkencor do të pasohet edhe nga forma të tjera bashkëpunimi gjatë javëve në vazhdim.
Projekti shqiptaro-italian është pjesë e punës që po bëhet në vendin tonë, për mbarështimin e kulturës së ullirit.
Në muajin dhjetor, në qytetin e Vlorës, u zhvillua takimi kombëtar "Ulliri, prioritet kombëtar-realiteti dhe vizioni për të ardhmen", i organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me pjesëmarrjen e specialistëve nga i gjithë vendi, të cilët arritën në konkluzionin se brenda një afati prej 10 vjetësh, Shqipëria mund të ketë një fond prej 20 milionë rrënjësh ullinj.
Në fund të vitit 2007, në Shqipëri numëroheshin 4.7 milionë rrënjë ullinj, të mbjella në një sipërfaqe prej 50 mijë hektarësh. Nga studimet e kryera, rezulton se kjo kulturë është e shtrirë në 20 rrethe të vendit, por në një të ardhme të afërt, numri i tyre pritet të shkojë deri në 25. Vetëm në dy vitet e fundit, sipërfaqja e mbjellë me ullinj në Shqipëri, u shtua me pothuajse 900 hektarë. Gjatë viteve të fundit po aplikohen projekte të mbrojtjes së ullirit, të cilat janë shtrirë në rrethet Durrës, Berat, Vlorë e Lezhë, krahas aplikimit të skemave financiare për shtimin e sipërfaqeve dhe të numrit të ullinjve. Aktualisht në Shqipëri, ka një sipërfaqe disponibël tokash prej 18.500 hektarësh, të cilat parashikohen të vihen në funksion të mbjelljes dhe të zhvillimit të kulturës së ullirit, ndërkohë që ka shumë toka të tjera të pashfrytëzuara që mund të përdoren për këtë qëllim.
Vetëm në Qarkun e Vlorës numërohen 1.3 milionë rrënjë ullinj, që japin një prodhim vjetor prej 11700 tonë kokërr, ose dy herë më shumë krahasuar me vitin 1990. Në këtë qark, ka aktualisht rreth 12 000 hektarë tokë të lirë, si dhe ekzistojnë një sërë faktorësh të tjerë që favorizojnë shumëfishimin e numrit aktual të ullinjve në më shumë se 5 milionë, brenda 10 vjetësh. Në dy vitet e fundit, me subvencionimin e qeverisë, sipërfaqja e mbjellë me ullinj u shtua me 272 hektarë.
Vlora ka aktualisht 30 për qind të numrit të ullinjve dhe siguron gjithashtu, 30 për qind të prodhimit të përgjithshëm të ullirit në shkallë vendi. /atsh/