Rrugës rajonale rrëzë Malit Sharr 3 km larg Tetovës në jugperëndim shtrihet fshati Reçicë e Madhe, i cili daton që nga mesjeta e hershme e deri më sot. Ky fshat graviton në Komunën e Tetovës, ka një këshilltar komunal nga ky fshat i cili në bashkëpunim me Bashkësinë Vendore i koordinojnë punët në interes të përbashkët, ka mbi 700 shtëpi e afër 4.500 banorë. Kufizohet me Sëllarcën e Poshtme, Pallçishtin e Epërm, Kallnikun, Çifllejkun, Lisecin, Rasadishten dhe Reçicën e Vogël.
Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2003
SIMBOLI I ZVOGËLIMIT TË PAPUNËSISË DHE NDIHMAVE SOCIALE
Ky lokalitet përmendet në historiografi që në shekullin e XI gjegjësisht në periudhën e mbretit bizant ROMANI i III ARGIROS 1028-1034 dhe atë për shkak të Kishës së Shën Gjergjit e cila në vitin 1930 është rindërtuar, edhe pse ky lokalitet i lashtë ka pasur edhe dy kisha tjera atë të Shën Mërisë dhe Shën e Diela, po ashtu përmendet edhe në kohën e mbretit Konstandin Aseni 1258-1277 si dhe në kohën e mbretit të Mesisë Millutin në vitin 1300 që kanë të bëjnë me dëshmitë për dhe rreth kishës së Shën Gjergjit. Në historiografinë e dëshmive të Isa Beut në Pollogu të Tetovës dhe Gostivarit në vitin 1455, fshati i sotëm Reçicë e Vogël përmendet me 66 shtëpi. Ndërsa, në defterët e osmanlinjve të shekullit XV përmenden Reçica e Vogël dhe Reçica e Madhe bashkë në vitet si: 1452/53 ka pasur 66 familje dhe 4 të pamartuar, më 1467/68 me 100 familje, 5 të pamartuar dhe 23 vejusha, më 1481/82 ka pasur 99 familje, 12 vejusha si dhe për herë të parë hasen 2 familje të fesë islame.
Por, hasen edhe të dhëna të ndara vetëm për Reçicën e Vogël ku janë këto të dhëna; 1452/53 ka pasur 29 familje, 6 të pamartuar dhe 1 vejushë, më 1467/68 ka pasur 31 familje, 2 të pamartuar dhe 4 vejusha, më 1481/82 kanë jetuar 30 familje dhe 3 vejusha si dhe për herë të parë është regjistruar 1 familje e fesë islame, më 1544/45 i hasim të dy lokalitetet me të njëjtin emër REÇICA ku njëra ka pasur 41 familje, 4 të pamartuar, 3 vejusha si dhe 9 familje të fesë islame, ndërsa lokaliteti tjetër ka pasur 14 familje, 4 të pamartuar, 1 vejushë si dhe 6 familje të fesë islame, më 1568/69 sërish i hasim me të njëjtin emër dhe atë njëra ka pasur 9 familje të krishtera, 5 të pamartuar dhe 2 familje të fesë islame kurse tjetri lokalitet me 11 familje të krishtera, 7 të pamartuara dhe 10 familje të fesë islame si dhe 2 të pamartuar. Poashtu edhe në rrafshin e dëshmive antropologjike hasim të shënuar në dokumentat e shekullit XV-TD III 48 GJURASH, b. ARNAUTIT/ - TD 366 GJURO, b. GONIT/ fshati Reçicë.) Po ashtu edhe në rrafshin e dëshmive antropologjike e hasim të shënuar në dokumentat e shekullit XV-NT TD III 48 /GJURO, biri i GONIT 366 - TD 366 / Bozhik, biri i DERIKOZËS (DERIKOZA emër i gjinisë femërore i përbërë prej dy pjesësh nga shqip DERR dhe KOZA-sllavisht që do të thotë DHI, antroponimi i këtillë DERZ/DERR ka shtegtuar edhe te serbët në Kosovë DOSEF-ofiq nga DOSË (THI)/, GJURASH biri i ARNAUTIT, TD III 48/, DABIZHIV ARNAUT, TD III 80 për fshatin Reçicë.
INVESTIME TË LAKMUESHME NË SFERËN E INFRASTRUKTURËS
Fshati ka disa rrugë kryesore që lidhen me rrugën rajonale edhe pse shtrirja është më e theksuar mbi rrugën në fjalë. Në vitin 1993 me vetëkontributë banorët e këtij fshati kanë shtruar rrugët me bekatone, investim që ka kushtuar mbi 500 mijë euro, por është evidente se nuk ka të zhvilluar aspak kanalizimin edhe pse siç kuptojmë nga kryetari i bashkësisë vendore Murtezan Ibishi se janë duke hartuar projektin ideor për këtë çështje tepër të nevojshme. Uji për pije është i zgjidhur së paku edhe për disa vite edhe pse nga dita në ditë ky lokalitet zgjerohet që dëshmojnë ndërtimi i mbi 200 shtëpive të reja vetëm në dekadën e fundit ku duhet theksuar se nga të gjitha fshatrat e Malësisë së Sharrit vendosen në Reçicë të Madhe kurse nuk ka shpërngulje.
Pra, në vitin 2002 e kanë rregulluar çështjen e ujit për pije për nevojat e amvisërive dhe atë kanë dy rezervare ku aktualisht ka afër 30 litra ujë në sekondë njërin burim e kanë në tokat fushës në pusin e ndërtuar konformë standardeve e ka ujë afër 10 lit. në sekdë dhe pjesën tjetër nga burimet në malin Sharr, projekti në fjalë ka kushtuar afër 400 mijë euro ku kanë ndihmuar ministria e Zhvillimit dhe ajo e pushtetit Vendor, ndërsa reçicasit kanë participuar me 20 për qind dhe me punë në terren. Por, kanë probleme serioze me rrjetin e vjetër i cili duhet të sanohet apo të instalojnë rrhet të ri i cili parashikohet të kushtojë afër 400 mijë euro. Banorët e këtij lokaliteti njihen si buq të vyeshëm me produktet, kulturat dhe rendimentet e ndryshme buqësore si në ish-Jugosllavi po edhe në Luginën e Pollogut, por kanë telashe serioze me ujin për ujitjen e tokave të shumta pjellore siç thonë se uji i lumit nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat që për të kanë hapur puse të shumta private nëpër fusha. Sipas kryetarit të bashkësisë vendore Murtezan Ibishit, kanë përgatitur projektin për sistemin e ujitjes i cili kap shumën prej 150 mijë euro, të cilin projekt e kanë drejtuar që para 8 muajsh në shoqatën e IOM-it, ministrisë së buqësisë dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje edhe pse kanë shpresë se do të përfillet kërkesa e tyre. Për dallim nga fshatrat tjetrë të luginës së Pollogut, ka afër 5 për qind në mërgim dhe atë në shtetet e ndryshme të Evropës perëndimore, që japin kontribut të jashtëzakonshëm në shumë projekte konkrete në të mirë të vet fshatit. Edhe pse ka mbi 4500 banorë thon ë se diku afër 5 për qind marrin ndihma sociale.
NDRIÇIMI PUBLIK DHE RRYMA
Ndriçimi publik nuk është në gjendje të mirë dhe se kërkojnë të sanohen e në veçanti për ndriçimin e rrugës rrajonale e cila kalon nëpër këtë fshat në gjatësi prej 2 km që të ndriçohet si dhe të vazhdohet me projektin e tretoareve të rrugës rajonale. Në rrafshin e elektrifikimit ballafaqohen me mungesën e rrymës elektrike kanë nevojë dhe kërkesat e zhvillimit teknologjik kërkojnë investime të reja dhe se kanë shpresë se edhe këtë çështja do ta kalojnë në bashkëpunim me elektrodistribucionin.
POSTA
Prej vitit 1981 e këndej kanë të instaluar rrjetin tokësor të telefonave, ndërsa në vitin 1997 kanë ndërtuar objektin e postës ku ka 3 të punësuar ku bashkësia vendore ka participuar gati 50 për qind me mjetet financiare dhe me punë konkrete ndërsa pjesën tjetër nga ana e Postës Qendrore të Maqedonisë.
AMBULANCA E SHËNDETËSISË
Me vetë kontribut reçicasit investuan afër 80 mijë euro dhe me ndihmën e Ministrisë së Zhvillimit në vitet 1996/97 ndërtuan objektin e ambulancës së shëndetësisë ku sot ka të punësuar një mjek nga fshati Bogovinë dhe tri motra medicinale, por thonë se kanë nevojë që të punësojnë edhe mjekë të tjerë si pediatër e të ngjashme dhe motra e në veçanti ju duhet që të punohet në dy ndërrime ngase kërkesat dhe nevojat në rrafshin e shëndetësisë janë më se të nevojshme dhe se besojnë se kjo kërkesë reale do të realizohet në të mirën e reçicasve.
NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME JANË TË SUKSESSHME
Ka disa shitore dhe lokale afariste si dhe mbi 20 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat nga dita në ditë janë duke shënuar suksese të lakmueshme që dëshmojnë edhe për numrin e të punësuarve nga ky fshat. Fabrika e mirënjohur INTERMOBILE e cila ka të punësuar afër 80 punëtor, firma MK-OME KOMERC ka afër 50 të punësuar, firma FEDER-BAU është rast për shembull të mirë të investimit ngase është kthyer me përvojën e tij nga Evropa Perëndimore ku sot ka mbi 15 të punësuar, ka një pompë benzine EKO-PETROL si dhe shumë e shumë të tjera që ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e papunësisë.
FEJA, SHKOLLA DHE SHKOLLIMI
Shkolla e parë është hapur në vitin 1912, posedojnë dokumente që nga viti 1921 me emrin e shkollës NARODNO UÇILISHTE në kohën e luftës së parë ballkanike apo të pushtimit të serbit të parë e që ka ekzistuar në mejtepin Xhamisë së Moçme e cila sipas dëshmive historiografike në vitet 1850 është djegur dhe rindërtuar në të njëjtin vend, pra, në qendër të fshatit ku në vitin 1978 është rindërtuar sërish, ndërsa me pietet e përkujtojnë Hafiz Hetem Aliun si aktivist i dalluar për çështjet jetike i cili pas viteve të 1945 me shumë veprimtarë të tjerë themeluan Gjimnazin e sotëm të Tetovës që luajti rol të rëndësishëm gjatë dekadave të kaluara e deri më sot edhe pse ka pasur edhe funksione të tjera shoqërore-politike-fetare dhe kombëtare, sot në Xhaminë e Moçme, e cila është ndërtuar më 1591, kurse është rindërtuar më më 1860 dhe më 1969, aktualisht imam është Taxhedin Iljazi, dhe Enver Jumni Ilazi imam në Xhaminë e poshtme po ashtu kanë edhe Xhaminë e Re e cila është ndërtuar para disa dekadave. Po ashtu duhet theksuar edhe pleqtë e urtë e të devotshëm të cilët kanë kontribuar për shkollimin siç janë Haxhi Shaza (Jasivar) Ilazi veteran i luftërave dhe mbështetës i kauzës kombëtare, Hafiz Ziqufli Neziri, plaku i urtë Veli Memeti, Haxhi Rakipi, e shumë e shumë të tjerë.
MBURRJA E REÇICASVE në rrafshin e çështjes kombëtare të cilët kanë dhënë personalitete me nam përmenden; dëshmori i luftës së 2001 Ismet Xhemali Fejzullahu, Hafëz Hetem Aliu, mësuesi Xhemali Beqiri, sinonimi i grupit të PRANVERËS SË 1981 Bejtulla Mehdi Ademi, Xhevat Veli Ademi, vëllezërit Agim dhe Ali Halim Kasami, vëllezërit Nagip dhe Enver Mehmeti e të tjerë.
Pishtarët e arsimit; përmendet drejtori i parë i shkollës Idriz Idrizi i cili në vitin 1943 mori këtë detyrë kur shkolla e mbante emrin ALEKSANDËR XHUVANI, që në vitin 1948 ia ndërroi pushteti i atëhershëm sllavo-komunist në PËRPARIMI që edhe sot e kësaj dite e ka këtë emër shkolla fillore. Ndër mësuesit e parë nga Tetova përmenden Faik Nuredini, Ali Qaushi, Mustafë Laçi, Tasim Osmani, mësuesja Mehibe nga fshati Gajre, Sherife Ibrahimi-Shasivari, i njeri mësuesi i muzikës Nehat nga Tetova, etj, ndërsa nga Reçica e Madhe përmenden me pietete si; Bajram Mehmeti, Avdirahim Beqiri, Mustafa Beqiri, Abdyl Imer Beqiri, Nazif Tefiku, Ajet Iseni, Hasip Krasniqi, Halim Kasami, Nazmi Isaku, Nevzat Kasami, Xhemalidin Aliu, Ismet Hetem Aliu-i punësuar në postën e qytetit, Nijazi Saliu i cili është edhe skulptor i drunjve dhe poet, Femi Kasami, Refik Saqip Rexhepi, Refik Nuhiu, Refik Shaqiri, Tefik Bilalli, Xhemali Beqiri i ndjeri mësues i dënuar me burgim të rëndë prej 3 deri 5 vite në Goli Otok vetëm e vetëm se nuk ndërronte bindjet e drejta politike-kombëtare dhe se mbetet mburrje e reçicasve, prof.
Burhan Neziri, dr.prof. Havzi Veli Mehmeti, arsimtari Safet Zenuni, Rakip Mazllami, mësuesja Hamijete nga Reçica, sekretareshë në shkollën e mësme të bujqësisë Revajeta Bajrami Memeti, ekonomiste Xhemile Bajram Memeti, ekonomiste Drita Bajram Memeti, motër medicinale Revejete Pajaziti, Sulejman Nesimi-ofiqar nga Tetova, Numan Baftiari-shef i zyrës së vendit në Reçicë të Madhe nga fshati Xhepçisht, Dëfrim Refik Rexhepi-referent ne zyrën e vendit, Fahri Qerim neziri-ofiqar, Revajete Fuat Ilazi-ofiqare në Recicë të Madhe më pas në zyrën e vendit në Kamjan, Sherife Fuat Nesimi-motër medicinale, Remzije Abdurahimi Ilazi-motër medicinale, Halide Memetriza Ibishi, Nadije Servet Ademi, Gjylnaipe Servet Ademi, Lumturie Ganiu-motër medicinale, Hamidja nga Liseci motër në Recicë të Madhe, Gëzimë Refik Rexhepi-mësuese, Gëzime Xhemali Beqiri-mësuese, i ndjeri Naser Xhemali Beqiri, mësuesi i gjuhës shqipe Selim Faredin Veliu, mëseusja Fekrije Veliu, mësuesja Sherife Ibrahimi-Shasivari, Jamin Servet Ademi, Taip Halim Kasami, prof. i biologjisë Irfan Saqip Shabani, prof. i kimisë Ismail Vahit Memeti, i ndjeri prof. Memet Abdyazis Memeti, prof. i gjuhës shqipe Sherafedin Hasan Aliu, arsimatrati Muzafer Nafi Rexhepi, Enver Kasami, Isen Ibish Neziri, Gajur dhe Iljaz Neziri, Abdylmenaf Neziri-ekonomist, Remzifaik Fuat Iljazi (jurist), Mursel Pajaziti(jurist) Azbifemi Ilazi(jurist), mjeku i ndjer mr.spec.dr. Miftar Miftari, i ndjeri spec. dr. Nevzat Avziu, i ndjeri Enver Avziu, mr. Ilmihasan Neziri, prof.dr. Kasamedin Zenuni, spec.dr. Shani Ramadan Miftari, spec.dr. Ilaz Miftar Miftari, spec.dr. Imbërja Saiti, profesori i gjeografisë Musanif Saiti, spec.dr. Urim Nazif Tefiku, vëllezërit Ali dhe Taxhedin Aliu të dy gjeodetë, prof. i matematikës Gajur Rustemi, Taxhedin Alimi-poet i njohur për fëmijë, Petrit Neziri-aktor dhe veprimtar i çështjes së kauzës kombëtare, gazetarët; Harun Ibrahimi, Selajdin Xhezahiri, Besim Ilazi,Musëbajdin Ilazi-aktor, Astrit Neziri-rentgentolog, Blerta Ilazi-profesoreshë e gjuhës angleze si dhe shumë e shumë emrat të tjerë që janë në rrjedhat e ndryshme shoqërore-politike, ekonomike, kulturore, arsimore e të ngjashme.
Në vitin 1946 është ndërtuar objekti i shkollës që sot është i lënë anësh në kompleksin e shkollës për të cilën thotë drejtori Vebi Ademi se është përcjellë kërkesë me projekt të gatshëm në Ministrinë e Arsimit për ndërtimin e Sallës Sportive, por ende nuk kanë marrë përgjigje edhe pse kanë shpresë se tash e udhëheq këtë ministri kuadër i BDI-së e do ti ketë në konsideratë kërkesat e shkollave shqipe. Në vitin 1976 me ndihmën e arsimdashësit nga ky fshat Menaf Neziri, është ndërtuar objekti ku sot vijojnë mësimin 1056 nxënës në 32 paralele dhe 2 grupe parashkollorësh me 56 vogëlushë, ka të punësuar 57 ku mbi 30 janë nga ky fshat, por në shkollën fillore qendrore PËRPARIMI mësimin e ndjekin edhe nxënës nga Reçica e Vogël, Rasadishtja, Çifllejku dhe shkollës periferike të Pallçishtit të Epërm ku mësohet me paralele të kombinuara prej klasës së dytë deri në të katrën. Siç kuptojmë nga drejtori Vebi Ademi se pjesëmarrja e nxënësve nga kjo shkollë nëpër aktivitetet e ndryshme të cilat kurorëzohen me diploma, lëvdata dhe mirënjohje si në lëndët e matematikës në garat rajonale të olimpiadës dhe ato republikane që kanë marrë vendin e parë dhe në garat republikane vendin e tretë.
Vitin e kaluar në muajin maj 2002 nga lënda e arsimit fizik nxënësit e kësaj shkolle kanë marrë pjesë në turnirin e futbollit që e ka sponsoruar shoqata MERCY CRPC, në lëndën e arsimit figurativ për temën LUFTA KUNDËR DUHANIT kanë marrë lëvdatë si dhe nëpër shumë e shumë aktivitete të ndryshme që dëshmojnë si grupet e recituesve, dramës, muzikës e të ngjashme në kuadër të aktiviteteve themelore të kësaj shkolle që kushtet i kanë të mira për procesin edukativo-arsimore, ngase kanë edhe bibliotekën e shkollës që kanë mbi 6500 tituj librash si dhe kuzhinën e shkollës, kabinetin e lëndës së informatikës me 7 kompjuterë, po ashtu në këtë shkollë fillore qendrore zhvillohet mësim-besimi nëpër klasat e treta etj. Në vitin 2001 nga Ministria e Arsimit është rinovuar çatia e shkollës ku nuk ka munguar ndihma financiare edhe nga firmat e këtij fshati siç janë INTERMOBILE dhe ADEM KOMERC si dhe arsimdashësit nga fshati Strimnicë Nuriman Abdiut pronar i firmës NURO-TRANS gjithashtu me 100 euro ndihmoi edhe haxhi Faredin Nuhiu dhe kolektivi i mësimdhënësve të shkollës PËRPARIMI. Nuk kanë munguar investimet konkrete siç është rasti i IOM-it të cilët investuan 5566 dollarë amerikan për mjete themelore si banka, karrige, dërrasa të zeza, tavolina për arsimtarët e të ngjashme. Në vitin 2002 CIMIC-u i forcave gjermane të KFOR-it investuan 36 mijë euro në lyerjen dhe përkryerjen e punëve të objektit shtesë deri në formën karabina, për të cilën drejtori Vebi Ademi shpreh mirënjohje publike në emër të shkollës dhe banorëve të fshatit. Mbi 80% e semimaturantëve vazhdojnë shkollimin e mesëm, ndërsa ajo përqindje e vogël inkuadrohen në rrjedhat e zanateve nëpër firmat vendore. Edhe në Reçicë të Madhe dukuria e shpërnguljes së nxënësve është evidente siç përmend drejtori Ademi se vetëm këtë vit shkollor janë shpërngulur 5 nxënës me prindërit në Zvicër. Studimet universitare i ndjekin thuajse mbi 100 student e më të fokusuar janë në Universitetin e Tetovës dhe nëpër qendrat tjera shqiptare.
SHKAARTA
Në vitet 1991/92 deri 1994 ka funksionuar SHKA ARTA dhe ka dhënë një kontribut të çmueshëm në të gjitha segmentet e jetës kulturore artistike, por për shkaqe të rrjedhave socio-ekonomike dhe politike është duke pushuar së vepruari që ndoshta edhe së shpejti do të fillojnë me punë.
KFREÇICA
Ekziston KF Reçica me traditë mbi dy dekada, ku suksesin më të madh e arriti gjatë kampionatit 1994/95, kur u kualifikua në ligën e III republikane. Patjetër duhet përmendur shkollën e futbollit të cilën vite me radhë e udhëhoqi trajneri i mirënjohur nga Shqipëria Edmond Miha, nga ky klub kanë dalë sportist të njohur të cilët kanë luajtur në ekipet e ndryshme si Shkëndija e Tetovës, asaj të Haraqinës, Bashkimin e Kumanovës, Drita e Bogovinës dhe ekipet tjera. Aktualisht ky klub sot garon në ligën e komunave të Tetovës.
TË DHËNAT E FAMILJEVE DHE VENDEMËRTIMET
Fshati ndahet në shtatë lagje; Kaleci, Putre, Sefere, Mëhalla e Mesme, Ndër Vorre, Mesrekave dhe Mëhalla e Livadheve. Si në të gjitha fshatrat edhe në Reçicë të Madhe janë meratë e familjeve si; Krasniqe (kiçike), Putre, Çajane, Xhorde, Matjan, Ceka, Agallarë, Kuke, Shlape(të cilët janë të ardhur nga Leskovci në shekullin e XVIII e këndej)etj. Vendemërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vendemërtimet në kodra-male-fusha; Uji i tharët, Guri i shipes, Ligatat, Mali i Premë, Rrafsha e Madhe, Te Vneshtat, Te Lisi, Te Kisha (në afërsi të ujit të tharët), Ograde, Dubravë, Klikovë, Arkoçejcë, Te Rekat, Vakëfi, Oznejcë, Shermetejcë, Përkaçe, Ara e Stafës, Zbiralla etj.