Zyra për informim pran Zyrës së Presidentit njofton se menjëherë pasi Kuvendi e votoi Pacollin për President, atij i mbërritën telefonatat e para të urimit nga homologë apo personalitete të shquara ndërkombëtare.
Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka marrë urimet e para për zgjedhjen në detyrën e re.
Zyra për informim pran Zyrës së Presidentit njofton se menjëherë pasi Kuvendi e votoi Pacollin për President, atij i mbërritën telefonatat e para të urimit nga homologë apo personalitete të shquara ndërkombëtare.
I pari që i telefonoi Presidentit Pacolli ishte numri një i shtetit shqiptar, zoti Bamir Topi. Në telefonatën e përzemërt dhe vëllazërore, zoti Topi i uroi homologut të vet të Kosovës suksese në kryerjen e detyrës së lartë dhe e garantoi në mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shqipërisë për Kosovën. Dy Presidentët diskutuan mundësinë e takimeve në të ardhmen, thuhet në një njoftim për medie të lëshuar nga zyra e Presidentit.
Sipas këtij njoftimi, thuhet se edhe shefi i pranisë ndërkombëtare në Kosovës Peter Feith i ka dërguar një telegram urimi.
Më pas Presidentin Behgjet Pacolli e uruan me radhë ish Presidenti kroat Stipe Mesiç, ish Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe shumë personalitete të tjera publike nga vendi dhe bota, ka njoftuar zyra e Presidentit.
Ndërkaq, me rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçi si Kryeministër i Kosovës, Behgjet Pacolli si President dhe Jakup Krasniqi si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Demokracisë së Re në Maqedoni, Imer Selmani ka dërguar telegrame urimi për krerët shtetërorë të Kosovës duke iu dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në kryerjen e obligimeve të tyre.
Selmani në telegram-urimin drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndër tjerash, shkruan:
"Uroj të jeni i suksesshëm në punën Tuaj si Kryeministër dhe të realizoni qëllimet Tuaja në këtë detyrë. Jam i bindur se me punë të palodhshme dhe me përkushtim maksimal si çdoherë deri më tani, Ju do tiu mundësoni qytetarëve të Kosovës një ardhmëri të sigurtë dhe një perspektivë evropiane. Ky është një obligim i rëndë për ta kryer, por Ju keni dëshmuar deri më tani se nën përkujdesjen tuaj, Kosova po zhvillohet dhe po hapëron shpejtë dhe sigurtë drejt Evropës së Bashkuar dhe Aleancës Veri-Atlantike me partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në urimin e tij drejt Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, Selmani ka shprehur bindjen e tij të thellë se Pacolli do të vazhdojë të jetë kontribuues i denjë i shtetformimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Unë jam thellë i bindur se tani nga detyra e Presidentit, Ju do të dëshmoni edhe më fuqishëm përkushtimin Tuaj për të ndihmuar Kosovën në njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e fqinjësisë së mirë në rajon, si dhe në rrugën e integrimeve euro-atlantike, prioritete këto të cilat do tiu sigurojnë perspektivë evropiane qytetarëve të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
Duke i uruar rizgjedhjen në postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Selmani i ka dëshiruar Jakup Krasniqi vazhdimësi në punën e suksesshme të Kuvendit të Kosovës.
Besoj thellë se, sikur edhe deri tani, Ju do të kryeni me sukses detyrimet e Juaja si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe se Kuvendi do të jetë institucion ku do të mbizotërojë demokracia parlamentare dhe dialogu politik, si dhe vendi ku do të sillen vendime dhe ligje të rëndësishme në fazën e ndërtimin dhe zhvillimit demokratik të vendit Tuaj.