Si të merret. I njeriut, i asaj qenieje që me vetëdije planifikon e pastaj vepron. Ndoshta
Mirë ose keq. Si ti teket. Është, pra, një term i mbarë psikologjik, nga i cili pastaj mund të kenë lindur edhe termat egoist, lakmitar, narcisoid, ekscentrik, etj. Për të mos thënë më saktë: këmbëngulës, kryeneç ose më mirë kryefortë.
Binak Kelmendi
Janë qindra ose dhe më shumë përkufizime për egon. Për unin e njeriut. Për stilin e tij. Për të cilin natyralisti francez George-Louis Leclerc de Buffon thoshte se stili është vetë njeriu. Për stilin ose për atë mënyrën se si njeriu e trajton dhe e konsideron veten në raport me të tjerët e bashkë me të edhe të tjerët, pastaj ambientin, familjen, partinë, shtetin
Egoja, uni pra, është virtyt ose cen i njeriut.
Si të merret. I njeriut, i asaj qenieje që me vetëdije planifikon e pastaj vepron. Ndoshta
Mirë ose keq. Si ti teket. Është, pra, një term i mbarë psikologjik, nga i cili pastaj mund të kenë lindur edhe termat egoist, lakmitar, narcisoid, ekscentrik, etj. Për të mos thënë më saktë: këmbëngulës, kryeneç ose më mirë kryefortë.
Historia është me përplot shembuj të këtyre egove, ose uneve të stërtheksuara, të dëmshme sidomos për shoqërinë ku janë shfaqur e në veçanti aty ku janë kultivuar si shumë edhe me lejen e përkrahjen e madhe të shoqërisë. Për unin ose egon që gjithmonë qëllim ka pasur mbiçmimin e vetes dhe nënçmimin e tjetrit, madje edhe të shoqërisë në përgjithësi.
A është harruar nga njerëzimi ajo fjalia e famshme e mbretit të mesjetës në Francë, Louis XIV: Shteti jam unë. Pastaj sjellja e tij me shtetin ashtu siç dëshironte ai vetë, ose mu ashtu si e kishte përkufizuar ai shtetin: ego ose mjet i tij për të sunduar me popullin dhe me pasurinë e tij.
Ose a të kthehemi paksa në antikën romake? Dhe ta kujtojmë Neronin që i vuri flakën Romës për ta bërë të re si ia donte atij qejfi. Sepse të gjithë të tjerët para tij kishin bërë gabime dhe kishin punuar keq në këtë qytet të dritës. Natyrisht edhe historia që kishte ardhur para tij.
Apo dhe më keq, a ta rikujtojmë Kaligulën që e bëri senator kalin e vet? Dhe që e futi në Senatin e Romës jo vetëm për të fyer senatorët e pranishëm, të cilët i konsideronte më budallenj se kali i tij shumë i dashur e shumë besnik, por për ta dëshmuar egon e vet. Më saktë të thuhet, për ta dëshmuar historikisht çmendurinë e vet.
Të gjitha këto janë pjesë e një të kaluare njerëzore që duhet kthyer në memorie për të mos u përsëritur sërish mbrapshtë kjo e kaluar.
Por ka edhe shembuj aktualë. Që po na sillen vërdallë nëpër gjithë botën.
Le të rikujtohen imituesit e rinj dhe modernë të udhëheqësve antikë romakë. Që gjenden mu nëpër territoret ku romakët kanë lënë shumë gjurmë e qytetërim. Të përmendet diktatori i Tunizisë, Zine ben Ali, që me gjasë pëlciti nga inati i largimit të padëshiruar nga pushteti. Ose Hosni Mubarakun, i cili po lufton me vdekjen e dëshiruar në vendin e vet të dashur.
Ose diktatorët e tjerë arabë që tashmë kanë ngjeshur revolet në brez për ta ruajtur egon, pardon, pushtetin mbi popullin, që është ngritur me gjithë forcën dhe pothuaj kudo në revoltë. Sidomos të përkujtohet ekzemplari i tyre. Muamer el Gadafi.
Unë jam udhëheqës i Arabisë, mbret i mbretërve të Afrikës dhe imam i të gjithë myslimanëve, përsëriste ai me mburrje para masës libaneze dhe edhe në tubime të rëndësishme ndërkombëtare. Ndërsa tash po lufton jo vetëm për ta shpëtuar pushtetin e tij që e premton të reformuar, por edhe lëkurën e vet. Apo fjalët e djalit të tij Seif el-Islam se Do të luftojmë deri në burrin e fundit, deri në gruan e fundit dhe deri në fishekun e fundit. Merreni me mend, për ta ruajtur Libinë nga kolonistët dhe jo për ta ruajtur pushtetin e babait të tij të marrë me dhunë para 41 vjetësh
Tani që nuk është lehtë të parashikohet saktësisht epilogu në gjithë këto fushëbeteja arabe për demokraci, a mund të thuhet se edhe në Ballkan, jo rrallë herë ego është bërë kredo te shumë politikanë. Pra, moto e veprimit vetjak, pa pyetur askënd. Vetëm veten e vet. E edhe te politikanët shqiptarë. Të cilët, historikisht, kush më pak e kush më shumë, ka dashur të ngrihet në shkallaren e historisë, duke e eliminuar paraardhësin dhe duke ia bërë një mijë pengesa pasardhësit.
Duke harruar, sikur të gjithë pushtetarët e tjerë egoistë, që tashmë janë shkundur nga dega e historisë, se populli ka vuajtur gjithmonë, por nuk ka humbur kurrë. Pavarësisht kush ka qenë dhe kush është në krye të tij. Dhe pavarësisht se si ka ardhur në krye të popullit të vet.