Vërtetim për nënshtetësi apo kopje të letërnjoftimit, dëshmi për kyçje në infrastrukturën komunale apo ndonjë faturë për pagesë të rregullt të ndonjë shërbimi publik, dhe elaborati gjeodezik, janë tre dokumentet që qytetarët duhet ti dorëzojnë në komuna nëse duan legalizimin e ndërtimeve të tyre.
Legalizimi i ndërtimeve pa leje në vend fillon prej muajit të ardhshëm. Ligji për veprim me objektet e ndërtuara pa leje është votuar dje në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi ditën e tetë pas shpalljes në Gazetën zyrtare, ndërsa do të vlejë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Qytetarët do të kenë mundësi që t'i legalizojnë shtëpitë për një euro për një metër katror, ndërkaq do t'u nevojiten vetëm tre dokumente: vërtetimi për shtetësi apo kopje e letërnjoftimit, dëshmi për kyçje në infrastrukturën komunale apo fletë-pagesë për shërbimet publike dhe elaborati i gjeodezisë për përcaktimin e gjendjes faktike të objektit me fletë-pronësi.
Çmimorja për elaboratin e gjeodezisë do të sillet në mbledhjen e ardhshme qeveritare, ndërkaq siç theksoi sot në konferencën për shtyp ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, çmimet për objektet individuale nuk do të jenë më shumë se një euro.
Përfundimisht me ditën e djeshme në Agjencinë për kadastër të patundshmërive janë evidentuar 310 mijë ndërtime pa leje në tërë territorin e shtetit.
Ndryshim në ligj është ajo që krahas objekteve fillimisht të parapara të cilat ishin përfshirë, tani është paraparë të trajtohen edhe ndërtimet e rëndësisë lokale, përkatësisht të gjitha llojet e ndërtimeve (ndërtime pa leje dhe mbindërtime) të parapara me Ligjin për ndërtim, ndërsa do të mund të legalizohen edhe entet publike shëndetësore. Këto objekte do të legalizohen në pajtim me kompensimin për rregullimin e tokës ndërtimore apo të ashtuquajturat komunale.
Përmes debatit të amandamenteve në Kuvend, është bërë edhe ndryshim në afatin brenda të cilit komunat duhet ta japin pëlqyeshmërinë urbanistike. Ashtu, në vend që fillimisht tre muajt e paraparë, tani komunat në afat prej gjashtë muajve do të duhet të japin pëlqyeshmëri rreth pranimit të kërkesës, ndërsa në periudhë prej pesë viteve, objektin e legalizuar ta instalojnë në planet e ardhshme urbanistike.
Është paraparë edhe ndërprerja e procedurës nëse me kërkesën nuk parashtrohen dokumentet e nevojshme, gjithnjë derisa ato nuk sigurohen.
"Qytetarët aspak nuk duhet të frikësohen nëse nuk sigurojnë ndonjë prej këtyre dokumenteve. Ajo mund të jetë rast me elaboratin e gjeodezisë. Komuna sipas detyrës zyrtare do të bëjë ndërprerjen e procedurës me çka, deria zgjat ky ligj, do të kenë mundësi të parashtrojnë dokumente", potencoi ministri.
Sipas tij, sjellja e Ligjit për veprim ndaj objekteve të ndërtuara pa leje paraqet zgjidhje përfundimtare të një problemi me kaosin urban me të cilin Maqedonia po përballet me vite të tëra.
Gjatë periudhës së ardhshme është paraparë organizimi i tribunave publike, në të cilat qytetarët do të njihen më hollësisht me afatet për parashtrim të kërkesës për legalizim, ndërsa gjatë fundjavës do të mbahet edhe stërvitje për të punësuarit në njësitë për vetëqeverisje lokale, të cilët në pjesën më të madhe duhet ta implementojnë ligjin.
Të gjitha mjetet nga legalizimi i objekteve individuale do të derdhen në komuna, ndërsa objektet të cilat nuk do të legalizohen do të trajtohen në pajtim me dispozitat e Ligjit për ndërtim dhe do të mënjanohen nga ana e shërbimeve kompetente inspektuese.