Fshati ndahet në disa mëhallë. Përmenden disa emra familjesh siç janë Krasniqe, Ujlie, Plave, Tërkalaçe, Buzë Mali, Koci etj, gjithashtu përmenden një mori vendemërtimesh si; TREBAK, BRAZDA, JASEN, JASIKAT, TUMBA (vend karakteristik ku njihet si vend ku janë të vendosura kulte besimesh nga periudha shumë të hershme si kisha, manastiri, varre etj), CËRVENIKU, OGRADË, RAKITË, STANOVCI, JURIA, SHTICA, PAPARAGNICË etj. Ozormishti shtrihet në lartësinë mbidetare prej 407 m. në hapësirat aluvionale në anën e majtë të Lumit Vardar, pra vendbanim ultësinor gjegjësisht në pjesën veriperëndimore të Komunës së Zhelinës 5 kilometra larg, sinori i këtij fshati ka dalje në hapësirën e Komunës së Jegunovcës ndërsa prej Tetovës është larg 12 km. dhe se lidhet me rrugën kryesore në magjistralen Tetovë-Shkup.
Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2003
FSHATI QË GËRSHETON KULTURA TË ZONAVE TË NDRYSHME
Fshati Uzormisht graviton në Komunën e Zhelinës. Në historiografi haset prej shekullit të XV gjegjësisht më 1453 ku ka pasur 15 ndërsa më 1468 me 20 familje sipas të dhënave turko-osmane, por kjo nuk do të thotë se ky fshat nuk ka ekzistuar që më herët që dëshmojnë edhe shënimet e lartshënuara. Ky lokalitet përmendet në historiografinë e dëshmive të Isa Beut në Pollogu të Tetovës dhe Gostivarit në vitin 1455, fshati i sotëm Ozormisht përmendet edhe me emrin ZARNISHT, ka pasur 10 shtëpi, ndërsa në defterin nr.4 të osmanlinjve të shekullit XV përmendet në vitin 1468 me 20 familjeje. Po ashtu Ozormishti dikur para shumë shekujsh është shtrirë në vendin e quajtur TUMBA apo Jasen (sipas dëshmive historiografike se lokaliteti i lashtë ku të parët kanë banuar ka një mori dëshmi të themeleve që janë evidente ndërsa sa i përket vendemërtimit në TUMBA ka pasur kishë të lashtë, manastir dhe varreza që dëshmon për lashtësinë) vend me baltë prej ku është shpërngulur gjegjësisht është përhapur në lokalitetin e sotëm të zgjeruar fshati Ozormisht. Ky fshat në Luftën e Dytë Botërore është ndarë përmes fshatit njëra anë e Shqipërisë, e tjetra Bullgarisë.
Fshati ndahet në disa mëhallë.
Përmenden disa emra familjesh siç janë Krasniqe, Ujlie, Plave, Tërkalaçe, Buzë Mali, Koci etj, gjithashtu përmenden një mori vendemërtimesh si; TREBAK, BRAZDA, JASEN, JASIKAT, TUMBA (vend karakteristik ku njihet si vend ku janë të vendosura kulte besimesh nga periudha shumë të hershme si kisha, manastiri, varre etj), CËRVENIKU, OGRADË, RAKITË, STANOVCI, JURIA, SHTICA, PAPARAGNICË etj. Ozormishti shtrihet në lartësinë mbidetare prej 407 m. në hapësirat aluvionale në anën e majtë të Lumit Vardar, pra vendbanim ultësinor gjegjësisht në pjesën veriperëndimore të Komunës së Zhelinës 5 kilometra larg, sinori i këtij fshati ka dalje në hapësirën e Komunës së Jegunovcës ndërsa prej Tetovës është larg 12 km. dhe se lidhet me rrugën kryesore në magjistralen Tetovë-Shkup.
Ka 1.6 km2 ose tokë agrare ka 152 ha., tokë punuese ka 149 ha., kullota 1 ha. dhe pyje 8 ha. Numëron mbi 105 shtëpi dhe 732 banorë sipas regjistrimit të vitit 2002. Pra, shtrihet në fushën e Pollogut të Poshtëm. Ozormishti kufizohet me fshatrat; Pallaticë, Siriçinë, Shemshovë, Zhelinë dhe Trebosh. Si në shumë fshatra të tjerë edhe Ozormishti, ka specifikat e veta ngase ka infrastrukturë relative ka Bashkësinë Vendore të përbërë nga pesë këshiltarë ku kryetar është ing. I lëkurtarisë Muhamet Zylbehari, Shkollën territoriale SHEMSHOVA ku mësimin e ndjekin deri në klasën e katër 46 nxënës në një barakë prej druri që as për së afërmi nuk mund të llogaritet si godinë shkollore ku janë të punësuar dy mësimdhënës, përgjegjës është Jonuz Mahmuti dhe ka një punëtor teknik, nxënësit e Ozormishtit që janë 50 më pas vazhdojnë prej të V deri në të VIII në fshatin fqinjë në Shemshovë, po ashtu shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv ku në të mesme shkollimi i femrës apo thënë se qind për qind vijojnë mësimin e mesëm. Nga ky fshat ka me dhjetëra që ndjekin studimet si në UT, UEJL, në Shqipëri, Kosovë e gjetiu.
Kanë rrjet telefonik ku duhet të shtohen numrat, ujësjellësin ende nuk e kanë rregulluar edhe pse siç kuptova nga kryetari i Bashkësisë Vendore i cili është edhe këshilltar komunal në Zhelinë, se kanë projekt të gatshëm e të finalizuar në detaje që uji për pije të sigurohet nga pusi me të gjitha standardet e parapara, ky projekt jetik është paraparë të kushtojë 7 milionë denar dhe se kërkesat janë shtruar nëpër ministritë përkatëse, por vetëm nga Ministria e Urbanizmit janë lëshuar 13 mijë euro që as për së afërmi nuk mund të përmbushin nevojën e investimit. Muhamet Zylbehari shpreh optimizëm se kërkesa është dërguar në një mori adresash edhe pse të gjitha shtiren të shurdhër për këtë projekt siç thonë Ozormishtasit ngase janë shqiptarë, por presin së shpejti këtë projekt ta vë në jetë Ambasada e Norvegjisë me përkrahje financiare. Siç kuptova nga banorët bujarë të Ozormishtit se kontributi dhe aktivitetet i Muhamet Zylbeharit si kryetar i Bashkësisë Lokale njëherë edhe këshilltar komunal, vërtet ka ndihmuar në shumë segmente që kanë munguar ku me përkushtim serioz e me vetëkontribut kanë rregulluar varrezat me mure dhe i kanë rrethuar në vitin 1999/2000, projekt i cili ka kushtuar afër 20 mijë euro.
Në vitin 2000 janë shtruar të gjitha rrugët me asfalt me mjetet financiare të siguruara prej Komunës së Zhelinës dhe Fondit të Rrugëve në shumë prej 13 milionë denarë, ku nuk ka munguar participimi I Ozormishtasve si me mjete financiare edhe me punë në terren, në të njëjtin vit u instaluan dy trafostacione që e kanë zgjedhur çështjen e rrymës elektrike së paku edhe për tri dekada. Gjithashtu, kanë projekt ideor për kanalizimin e fshatit i cili është paraparë të jetë mbi 4 km. ku do të përfshiheshin ujërat atmosferik, të zeza dhe ato fekale. Ky projekt ka peshë të jashtëzakonshme ngase i takon zonës së dytë që duhet mbrojtur burimet e ujit të fshatit Rashçe, prandaj në këtë projekt i cili do të kushtojë afër 1 milion euro janë paraparë të përfshihen me kanalizim fshatrat Ozormisht, Trebosh dhe Pallaticë dhe se kanë shpresë se një ditë do të bëhet realitet.

Ndriçimi publik mirëmbahet nga Komuna e Zhelinës që nënkuptohet se i koordinojnë punët me Bashkësinë Vendore që dëshmojnë investime praktike nga ana e komunës. Por, në terren gjegjësisht afër vendit të quajtur TUMA në anën e djathtë ishte duke u ndërtuar terreni apo stadiumi i fshatit për të cilin projekt kanë ndihmuar të gjitha komunat e reja shqiptare të dala nga Komuna e vjetër e Tetovës, projekti duhet të përmbyllet, dhe kushton 30 mijë euro, për të cilin projekt thonë se asnjë shoqatë nuk u ka ndihmuar që është cinizëm i llojit të vet.
Ozormishti ka xhami, një shitore dhe dy ëmbëltore, ndërsa ambulancën e shëndetësisë, zyrën e vendit, PTT-në e tjera në fshatin Shemshovë, edhe pse një ditë, të gjitha këto të dhëna flasin qartë se ky fshat i ka gjasat reale për tu zhvilluar, pasi ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe kushte solide për jetë dhe se do ti ndërtojnë objektet e lartpërmendura që i shfrytëzojnë në Shemshovë e gjetiu.
Edhe këtë fshat plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me një përqindje të theksuar. Me punë të përkohshme jashtë vendit gjenden thuajse çdo shtëpi ka mërgimtarë. Më të përqendruar janë në vendet e Evropës Perëndimore, të cilët gjithmonë kanë dhënë ndihmën që e ka dashur vendlindja e tyre për të cilën gjë Muhamet Zylbehari shpreh mirënjohje në emër të të gjithë banorëve të Ozormishtit.
Nga ky fshat mund të themi se janë të punësuar vetëm një përqindje shumë e vogël. Mbi 20% e banorëve marrin ndihma sociale, por që druajnë se kjo përqindje do të zvogëlohet në dëm të shfrytëzuesve të ndihmave sociale për shkak të ligjit të ri. Pjesa dërmuese e cila merren me bujqësi kanë probleme serioze me ujin për ujitjen e tokave pjellore. Po ashtu edhe blegtoria dikur është zhvilluar në këtë fshat, por për shkaqe të njohura të mungesës së ujit ky segment tradicional ngadalë është shuar. Gjatë sundimit otoman ky fshat ka qenë vend çifligjesh ku përmenden në historiografi se kanë qenë Ali Shasib-Aga me prejardhje para 200 vitesh nga Kurdistani që është dëshmi se ka kurd në këtë fshat që e flasin turqishten, Eib Rushit-Aga e Ali Shaqir-Aga. Ndërkaq sipas të dhënave historike përmendet se para 200 vitesh në këtë lokalitet janë vendosur familje nga Ana Morava, nga Plava e Gucisë, nga rrethina e Kaçanikut, ndërsa gjatë shekujve janë vendosur familje të ndryshme nga fshatrat e Malësisë së Sharrit, nga Mali i Thatë, nga Dërveni etj që të jep përshtypjen e gërshetimit të shumë kulturave të zonave të ndryshme e që janë të harmonizuar që dëshmohet se kurrë në këtë fshat nuk kanë pasur zënka njerëzore e aq më pak familjare.
Edhe pse ka afër 10 të diplomuar dhe mbi 10 me shkolla të larta që do të thotë se rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate arsimore si me të mesme, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në zhvillim e sipër. Si në shumë vende të tjera edhe në arat e këtij fshati një përqindje simbolike mbeten të papunuara që siç shprehen sa për nevojat klasike të jetës. Bujqit kultivojnë grurë, misër, speca, patate, domate, e kështu me radhë ngase vetëm me pompa e ujisin tokën-arat pjellore.
Gëzon fakti se gjallëria e jetës në këtë fshat është për shembull të mirë që vërtetohen se të jep përshtypjen se këtu jeta ka marrë trajtën e rregullt ngase ndërtimi i shtëpive të reja që janë me dhjetëra në dekadën e fundit, rregullimi i oborreve e të ngjashme të lë përshtypjen e fshatit të Luginës së Pollogut ku mburrje e kanë rininë si dhe është evidente dukuria se në këtë fshat ruhet tradita që do të thotë se nuk këmbejnë as marrin e japin vajza në fshat. Si shumë fshatra të Pollogut edhe ky fshat me banorët e saj janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira. Kështu e lashë këtë fshat të Pollogut të Poshtëm me shpresë se në të ardhmen do të ecën përpara në të gjitha poret e jetës.