E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kodi i heshtjes që mbizotëron në këtë parti që prej themelimit, ka filluar të thyhet. Me deklaratat e fundit, Limaj tregoi dy anët e medaljes, atë se në çfarë derexhe ka ardhur kjo parti dhe se si manipulohet edhe mes “shokëve të luftës”. Në të njëjtën kohë, për herë të parë del dikush nga PDK-ja që kundërshton Thaçin dhe flet haptazi për dallaveret që bëhen përbrenda partisë.
Kodi i heshtjes






Arbana Xharra

“Mbi 100 mijë vota i kam marrë, po nja 30 mijë më kanë rënë rrugës diku”, kështu deklaroi ditë më parë i dyti në PDK, Fatmir Limaj. Ai pa hezitim tregon sesi brenda partisë së tij i janë vjedhur me mijëra vota. Deklarata e Limajt është pikënisje për të nxjerrë në pah se brenda PDK-së kanë nisur të prishen punët.

Kodi i heshtjes që mbizotëron në këtë parti që prej themelimit, ka filluar të thyhet. Me deklaratat e fundit, Limaj tregoi dy anët e medaljes, atë se në çfarë derexhe ka ardhur kjo parti dhe se si manipulohet edhe mes “shokëve të luftës”. Në të njëjtën kohë, për herë të parë del dikush nga PDK-ja që kundërshton Thaçin dhe flet haptazi për dallaveret që bëhen përbrenda partisë.

Jo nga tani, por realisht ndarja në së paku në dy fraksione brenda PDK-së ka kohë që ka nisur. Ajo është heshtur deri më tani, pasi që aktorët kanë llogaritur gjithmonë në interesin e partisë dhe të tyre për të qenë sërish në pushtet dhe kësisoj janë kujdesur që të mos dalin publikisht mosmarrëveshjet e ashpra që kanë Limaj dhe Thaçi.

Gjithçka ka nisur në nëntor të vitit 2005, kur Fatmir Limaj u lirua nga gjykata e Hagës dhe u prit si lider nga turma prej dhjetëra mijëra njerëzve. Thaçi nisi të ndihet i rrezikuar nga ky popullaritet dhe kështu ai filloi të hartojë strategjinë rezervë që nga atëherë, sesi ta nxjerrë nga loja Limajn, vetëm e vetëm që të mos i rrezikohej pushteti në parti.

Limaj aso kohe, përkundër dëshirës së madhe, nuk ndihej i sigurt dhe me mbështetje për të nisur iniciativë private, dhe ra nën prehrin komod të Thaçit.

Si rezultat, Thaçi luajti potez të mençur dhe mori një vendim për t’u përshëndetur, kur me ardhjen në pushtet i dha Limajt ministrinë më të rëndësishme në qeveri. Pazari u nda dhe punët ecën si ishte më së miri mes tyre.

Këtë pazar e prishi EULEX-i. Por, ai nuk ia prishi komoditetin e Thaçit, i cili u rrit edhe më shumë kur u bastis Limaj, me shpresë se me këtë e hoqi qafe atë. Aty shpërtheu edhe “lufta” mes tyre, Limaj u revoltua pse vetëm ai të jetë nën hetime, duke pyetur se ku janë të tjerët.

Nuk shkoi shumë gjatë dhe po ashtu Thaçi u zu në befasi nga raportet ndërkombëtare për të dhe mbi të gjitha raporti i Dick Martit, duke bërë që e gjithë vëmendja të përqendrohet tek ai.

Në të njëjtën kohë u kërkua që të kemi qeveri me duar të pastra, por Thaçi vendosi me çdo kusht të mos e humbë privilegjin e kreut të qeverisë. Nuk besoj se është aq injorant sa të mos e dijë se ai është diskredituar aq shumë karshi Evropës, sa që zor se do ta pranojë atë në takim ndokush derisa të mos sqarohen akuzat e ngritura ndaj tij. Deri sot, nga Evropa nuk i erdhi asnjë urim për zgjedhjen kryeministër i ri i vendit.

Limaj, duke mbetur jashtë qeverisë, me ministra aktualë po ashtu të përfolur për hetime, dhe me kryeministrin tashmë afër hetimit, vendosi të flasë. Thaçi rezistoi, bile duke “luajtur” më Limajn, nuk i futi në qeveri as njerëzit e tij.

Edhe atyre përkrahësve të qëndrimit të Limajt për të mos e votuar Pacollin për president, në pauzën disaminutëshe Thaçi iu tha “dy fjalë”, që bënë që t’iu ndërrohet mendja dhe pa hezituar ta qesin votën pro.

Thaçi me sukses përjashtoi nga loja Limajn më “shokët ë tij”, por kjo nuk është garanci se ata njëmbëdhjetë veta që në raundin e parë votuan kundër presidentit nuk do t’i kthehen bumerang në momentet më të rëndësishme Thaçit.

Sepse Limaj është jashtë qeverisë dhe s’ka punë të mëdha për të bërë, ka kohë për “shokun” e tij të luftës. Natyrisht, nëse edhe kësaj radhe nuk ndërhyn EULEX-i.

Publikuar: 25.02.2011 | 12:49
Lexuar: 618 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime