E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur e bindur se Koalicioni për Kosovë të Re nuk do të dalë jashtë kornizave të programit të saj për t’i shërbyer partisë së kryeministrit, Hashim Thaçi.
Kusari - Lila: Qeveri e pastėr






Jeton Llapashtica

Kushti i Aleancës Kosova e Re për Partinë Demokratike të Kosovës, që koalicioni qeverisës mund të bëhet vetëm nëse qeveria e re përbëhet nga persona me duar të pastra, ka pasur sukses. Në qeverinë “Thaçi 2” nuk ‘frekuentojnë’ ministra të korruptuar ose që kanë keqpërdorur paranë publike.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur e bindur se Koalicioni për Kosovë të Re nuk do të dalë jashtë kornizave të programit të saj për t’i shërbyer partisë së kryeministrit, Hashim Thaçi.

Ajo beson se partnerët e koalicionit mund të kenë qasje të ndryshme për ndonjë çështje të caktuar, por, sipas saj, kjo do të ishte normale, kurdo që ndodh.

Zëri: Zonja Kusari, kohë më parë ju jeni deklaruar se nuk do të jeni në një qeveri ku do të jetë edhe Fatmir Limaj. A mendoni se ia keni arritur qëllimit tuaj për të ndërtuar qeveri me persona “të pastër”?

Kusari: Nuk kam njohuri, ose të paktën nuk jam njeri kompetent të flas se kush mund të jetë tani në kabinetin qeveritar nën hetime, ose a është dikush nën hetime. Unë në fakt kam folur për një parim, i cili qëndron dhe i cili ka qenë parim i Koalicionit për Kosovë të Re gjatë gjithë fushatës dhe pas fushatës, që ne do të jemi pjesë e qeverisë, vetëm në një qeveri me njerëz profesionistë, kompetentë dhe njerëz të pastër. Do të thotë, ky ka qenë një qëndrim i yni, ai qëndrim është prezantuar edhe nga ana ime dhe ai qëndrim është ai i cili mbetet dhe të paktën, me aq sa kemi ne dijeni është aplikuar në rastin e zgjedhjes së kabinetit qeverisës së ri.

Zëri: Gjatë kohës sa keni qenë në opozitë vazhdimisht e keni kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi për keqqeverisje. Mirëpo, me të hyrë në koalicion jeni përafruar për së tepërmi. Pse ky ndryshim?

Kusari: Parimet mbesin parime, pa marrë parasysh a është kryeministri Thaçi, apo ministra të caktuar. Nëse një parim qëndron dhe është parimi që duhet të qeveriset drejt dhe nuk duhet të keqqeverisjet, atëherë ai parim duhet të vlejë dhe do të mbetet me ne, flas edhe për veten, edhe gjatë këtij mandati. Ne natyrisht se i kemi vendosur disa parime kur kemi negociuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, kemi marrë konfirmimin se ato parime do të zbatohen për qeverisje, kemi besuar se duke qenë pjesë e qeverisë do të japim shembull për parime të drejta, për qeverisje të mirë dhe qeverisje me profesionalizëm, së bashku me ministra tjerë të cilët besojmë se i kanë kualifikimet e duhura për të qenë në krye të dikastereve të veta. Përafrimet të cilat ju po flisni janë përafrime programore, përafrime të cilat, natyrisht ne e kemi ofruar një program të cilin besojmë se do ta zbatojmë aq sa kemi hapësirë dhe natyrisht se ne edhe në kuadër të mandati katërvjeçar qeverisës mund të kemi prapë diferenca ose dallime në mendime, në ide dhe nuk do të thotë se do të mungojë debati brenda qeverisë. Nuk do të thotë se ne jemi pjesë e një kabineti qeverisës dhe tash duhet të pajtohemi me çdo gjë...

Ka alternativa tjera për privatizimin e PTK-së

Zëri: Një çështje tjetër që e keni kritikuar qeverinë e kaluar ka qenë forma e privatizimit të PTK-së, madje keni propozuar edhe ajo të jepej në menaxhim për një periudhë disavjeçare. Çfarë qëndrimi keni tani për privatizimin e PTK-së?


Kusari: Ndonëse prapë do të ketë debat për privatizimin e PTK-së, konsiderojmë se ajo formë e cila është prezantuar, është prezantuar në mënyrë jotransparente dhe në mënyrë shumë të shpejtë para opinionit publik që nuk ka pasur biseda dhe diskutime me njerëz dhe grupe të interesit në kuadër të PTK-së. PTK-ja është e vërtetë që mbetet një ndërmarrje shumë e rëndësishme për buxhetin e Kosovës dhe një aset me vlerë për qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë të shikojmë mundësitë dhe alternativat tjera për privatizimin e PTK-së. Dihet se ne gjithmonë kemi thënë se nuk jemi kundër privatizimit, por jemi kundër kësaj forme të privatizimit, e cila në një farë forme është prezantuar shpejt e shpejt në opinionin publik dhe nuk ka pasur kohë për një debat më të gjerë dhe për mundësinë e prezantimit dhe promovimit më të mirë të vlerës së PTK-së. Kemi qenë gjithashtu kundër prezantimit të një vlere nga ana e qeverisë. Ju e dini se në buxhetin e Kosovës ka qenë një hyrje prej treqind milionëve si shitje nga PTK-ja, për arsye se kemi thënë se ata që shesin gjithmonë duhet të synojnë të shesin më shtrenjtë, ndërsa ata që e blejnë do të mundohen t’ia ulin vlerën. Nuk ka nevojë ne t’ia ulim vlerën. Prandaj, këto do të jenë disa parime që prapë do t’i arsyetojmë, që edhe në rastin e shtyrjes së privatizimit, që një pjesë të mbetet prapë aksionare Qeveria e Republikës së Kosovës, qytetarët e Kosovës, por edhe që vlera për shitje të përcaktohet nga tregu dhe jo nga qeveria.

Zëri: Mediet kanë raportuar se presidenti Pacolli kishte lobuar që PTK-në t’ia jepte në menaxhim këshilltarit të tij, Esad Pusckar. Çka ka të vërtetë rreth kësaj çështjeje?

Kusari: Nuk ka asgjë të vërtetë... Krejt çka ka ndodhur është se presidenti Pacolli sa ka qenë kryetar i Aleancës Kosova e Re, ka prezantuar një formë tjetër alternative të financimit dhe të thithjes së mjeteve, të arkëtimit të mjeteve nga PTK-ja për buxhetin e Kosovës. Për ato mjete është gjetur një formë e konsensionimit dhe ne në asnjë formë nuk jemi shtyrë që kompania me të cilin ka pasur një kontakt Pacolli të jetë ajo kompani, por e kemi prezantuar si mundësi. E njëjta letër, me të gjitha kontaktet i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe iu ka mbetur atyre të vazhdojnë nëse kanë dashur të kenë ndonjë informatë shtesë nga kjo kompani. Ne e dimë se si është bërë në rastin e koncensionimit, që nuk mund të bëhet në raste njëburimore, që për koncensionim në kësi rasti do të kërkohen oferta dhe mund të kishte kompani tjera të cilat do të ofronin shuma të caktuara të hollave për PTK-në, për ta menaxhuar atë. Por, ka qenë një mundësi e mirë që të mbetet PTK-ja në pronësi të qeverisë por të arkëtohen mjetet, të cilat në këtë rast janë parë si mjete që shitet PTK-ja dhe që qeveria më nuk ka aksione në të. Është keqkuptuar, është prezantuar në vazhdën e një fushate mediatike kundër presidentit Pacolli, nuk ka asnjë risi në këtë lajm, të them sinqerisht. Letra ka qenë e bërë publike, unë vetë e kam prezantuar në konferencë për medie këtë ofertë dhe kam thënë si një alternativë tjetër nëse dëshiron qeveria. Qeveria nuk ka bërë asnjë hap tjetër. Si mund të quhet një lobim kur në asnjë mënyrë zoti Pacolli personalisht nuk e ka shtyrë tutje që kjo çështje të shtyhet ose qeveria të diskutojë me këta persona të kompanisë. Ai e ka bërë publike, nuk e ka bërë përmes kanaleve interne. Përmes konferencës për medie e kemi prezantuar letrën, i kemi prezantuar kontaktet, kemi dërguar letrën në qeveri, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

E pavendosur për ta drejtuar partinë

Zëri: Njëri nga figurat kyçe të Koalicionit për Kosovë të Re, Muhamet Mustafa, nuk ka pranuar të jetë zëvendëskryeministër i Thaçit. A flet kjo për përçarje të këtij koalicioni?


Kusari: Jo, në asnjë mënyrë. Koalicioni vazhdon të jetë i fortë, ashtu siç ka qenë. Koalicioni ka mbajtur konsistencën edhe në periudha do të thotë të vështira, kur nuk është ditur se a do të jemi a nuk do të jemi pjesë e qeverisjes. Për arsyet e tërheqjes duhet ta pyesni profesor Muhamet Mustafën, por ai shumë qartë ka deklaruar se do të mbetet pjesë e deputetëve të Koalicionit për Kosovë të Re dhe do të kontribuojë si deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Zëri: Kur pritet që të zgjidhet kryetari i ri i AKR-së dhe a keni në plan të kandidoheni për kryetare të kësaj partie?

Kusari: Kryetari i ri i AKR-së do të zgjidhet sipas afateve kohore të prezantuara në statusin e partisë. Ne në fakt, tani pas tërheqjes së z. Pacolli do të fillojmë me organizimin e kuvendeve nëpër degë dhe pastaj me organizimin e një kuvendi të përgjithshëm të partisë, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri. Unë personalisht nuk kam vendosur a do të kandidoj apo jo për kreun e partisë. Kjo çështje mbetet e hapur, por gjithsesi që do të jem e angazhuar në subjektin tim për një demokraci të brendshme dhe për një proces sa më të shpejtë të përzgjedhjes së udhëheqësish së re.

Publikuar: 27.02.2011 | 10:20
Lexuar: 560 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime