Përballja mes dy gjigantëve të peshës së rëndë pritet të ndodhë më 2 korrik, ndërsa do të ketë peshë prej 40 milionë funtesh. Vladimir Klitschko është kampion bote në versionet IBF, WBO dhe IBO.
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në boks, në versionin WBA, David Haye, ka dhënë shenja se një përballje mes tij dhe ukrainasit Vladimir Klitschko ka ende gjasa që të ndodhë, shkruan gazeta angleze "The Sun" të shtunën.
Përballja mes dy gjigantëve të peshës së rëndë pritet të ndodhë më 2 korrik, ndërsa do të ketë peshë prej 40 milionë funtesh. Vladimir Klitschko është kampion bote në versionet IBF, WBO dhe IBO.
Haye dhe menaxheri i tij Adam Booth mësohet se kanë nisur bisedimet me Klitschkon, për të arritur marrëveshjen për këtë datë. "Gjërat janë duke ecur mirë dhe mund të ndodhë marrëveshja", ka thënë Haye në faqen e tij "Twitter".
Haye ishte paraparë të mbronte titullin e tij të botës të versionit WBA më 21 maj kundër uzbekut Ruslan Chagaev, mirëpo dueli pritet të dështojë për shkak se Chagaev nuk ka të drejtë të boksojë në Britani të Madhe, pasi kishte qenë i sëmurë me hepatit B.
Haye pritet të pensionohet nga boksi profesionist në fund të tetorit, ndërsa ai më herët kishte thënë se ka humbur shpresat që do të mund të përballet me Klitschkot.
Si arenë e mundshme pritet të jetë Gjermania, mirëpo opsione janë edhe Britania e Madhe dhe Las Vegasi.
Vladimir Klitschko së pari do të mbrojë titujt e tij të botës më 30 prill, ku do të përballet me britanikun Dereck Chisora.