Tri viktimat, qytetarë të Gostivarit, Shpend Iseini nga fshati Forinë, Nazmi Saliu nga Turçani dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll, megjithëse shkaktuan dhimbje pa fund për familjarët, të mërkurën u përkujtuan vetëm me homazhe, respektivisht vendosje të luleve në varreza nga familjarët ashtu edhe nga qytetarët dhe udhëheqësit e funksionarët tjerë në Komunën e Gostivarit.
Ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997 në Gostivar edhe pse akoma kanë lënë plagët e hapura për familjarët e atyre që humbën jetën në mënyrë tragjike gjatë mbrojtjes së flamurit kombëtar shqiptar, 11 vite më pas kaluan nën hije.
Tri viktimat, qytetarë të Gostivarit, Shpend Iseini nga fshati Forinë, Nazmi Saliu nga Turçani dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll, megjithëse shkaktuan dhimbje pa fund për familjarët, të mërkurën u përkujtuan vetëm me homazhe, respektivisht vendosje të luleve në varreza nga familjarët ashtu edhe nga qytetarët dhe udhëheqësit e funksionarët tjerë në Komunën e Gostivarit.
Ndërsa, Akademia përkujtimore për veprën e tyre sivjet mungoi, arsyetimi për mosorganizimin e një evenimenti të tillë nga autoritetet e Komunës së Gostivarit ishte sipas tyre, fakti se Akademia ishte organizuar vitin e kaluar kur u mbushën dhjetë vite dhe se të tilla ngjarje organizojnë çdo pesë vjet.
"Dhimbja asnjëherë nuk do të mund të shuhet, sepse bëhet fjalë për të afërmin tonë, i cili u nda nga jeta në një moshë shumë të re. Këtë dhimbje akoma më të madhe e bën fakti që ai u nda nga jeta për një çështje shumë madhore, për çka edhe e kujtojnë të gjithë", tha Hazbi Iseini, vëllai i Shpendit të ndjerë, i cili pas vete ka lënë edhe dy djemtë, Shpatin dhe Shkëmbin, njëri 14 e tjetri 16 vjeç.
Trishtimi i kësaj date nuk ishte më i lehët edhe për familjarët e Nazmi Saliu, i cili po ashtu humbi jetën në lule të rinis duke lënë pas vetes dy djem të vegjël, Vebiun dhe Adnanin, të cilët tash janë në moshën 17 dhe 16 vjeçare. "S'mund ta harroj atë dhimbje, e kam pasur vëlla, por me fatin duhet të pajtohemi, sepse ai ka dhënë jetën për çështjen kombëtare. Por prapë plagët i kemi të hapura, për mua është sikur kjo të ketë ndodhur para një viti e jo para njëmbëdhjetë vitesh", deklaroi Vezir Saliu, vëllai i Nazmiut.
Pikërisht njëmbëdhjetë vite më parë, forcat policore maqedonase me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, Branko Cërvenkovski, hynë në Gostivar për të hequr flamurin shqiptar që valonte para Këshillit komunal të Gostivarit. Ata atë ditë kishin bllokuar hyrje daljet e qytetit në pesë pika kryesore që e lidhin Gostivarin me fshatrat për rreth, në rrugën për në fshatin Debresh, Raven, Çajlë, në Bajnicë dhe kalimin te ura e Vardarit pranë "Gorni Pollogut" të atëhershëm.
Forcat policore kryesisht kanë qenë të përqendruar përpara Këshillit komunal. Inspektorët e sigurimit shtetërorë fillimisht, para agimit, arrestuan kryetarin e Komunës, Rufi Osmanin dhe kryetarin e Këshillit komunal, Refik Dautin. Në këto kohë forcat policore kanë realizuar edhe qëllimin e tyre, rrëzuan flamurin shqiptarë që valonte përpara Kuvendit komunal duke e copëtuar dhe duke e tërhequr zvarrë deri në afërsi të sheshit të qytetit. Ndërkohë, një ditë më parë filluan edhe të shtënat me armë zjarri, ndërsa viktima e parë ishte Nazmi Saliu, kurse menjëherë pas tij edhe Shpend Iseini, të dy këta të moshës 30 vjeçe. Viktima e tretë e kësaj ngjarje ishte Milaim Dauti, i cili vdiq dy ditë më pas nga të rrahurat që i kishin bërë policia maqedonase.