Ky trajnim ishte i projektuar për studentë të cilët në të ardhmen duhet të punojnë si arsimtarë dhe pedagogë në shoqëri dhe grupe shumëetnike.
Ministri e Arsimit dhe Shkencës Nikolla Todorov sot mori pjesë në ndarjen e vërtetimeve për studentët që kanë përfunduar trajnimin për tolerancë ndëretnike në organizatën e OSBE-së.
Çertifikatat u janë ndarë rreth 80 studentëve-trajnues nga Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti Filozofik në Shkup dhe nga Universiteti Shtetëror në Tetovë të cilët në tre muajt e fundit e kryen trajnimin e realizuar në shkollat rreth vendit.
Ky trajnim ishte i projektuar për studentë të cilët në të ardhmen duhet të punojnë si arsimtarë dhe pedagogë në shoqëri dhe grupe shumëetnike.
Studentët punuan me fëmijë të cilët vijnë nga grupe të ndryshme etnike dhe flasin gjuhë të ndryshme.
"Procesi i arsimit është në lëvizje të vazhdueshme. Mënyra moderne e jetesës dhe rrethanat në të cilat zhvillohen fëmijët tanë të çon drejt përmirësimit të vazhdueshëm dhe adaptimit të programeve arsimore dhe proceseve edukative.
Republika e Maqedonisë çdo ditë punon në promovimin e multikulturalizmit dhe përmirësimin e bashkëjetesës multietnike. Përmes sistemit edukativo-arsimor, secila nga bashkësitë e gëzon të drejtën e arsimit në gjuhën e vet në arsimin filllor dhe në atë të mesëm", tha ministri Todorov.
Ai theksoi se ky projekt për punë me fëmijë në mjedise multietnike është sfidë që në realitet është i pranishëm dhe duhet të kultivohet që në moshë më të hershme.
"Në drejtim të shoqërisë së integruar, në të cilën respektohen më disa kultura dhe gjuhë, me rëndësi të veçantë është që në mënyrë të vazhdueshme të ndikohet në ngritjen e vetëdijes te të gjitha institucionet dhe subjektet për respektimin e shumëgjuhësisë", shtoi Todorov.
Ky trajnim ishte pjesë e projektit qeveritar për arsim të integruar, i cili duhet të mundësojë që Republika e Maqedonisë të vazhdojë të ndërtohet si shtet multikulturor me demokraci në të cilën të gjithë qytetarët do t'i gëzojnë të drejtat e tyre arsimore.
Në këtë eveniment, përkrah ministrit, morën pjesë disa dekanë, ambasadorja e misionit të OSBE-së në vend Natalija Drozd dhe sekretarja e parë e Ambasadës të Republikës së Gjermanisë Katarina Nauman-Etjen