Besim, feminilitet dhe vetëvlerësim dhe do ta keni botën nën këmbët tuaja. Këto janë fjalët e Kylie Minogue, mbretëreshës shtatshkurtër të popit që prej 20 vjetësh dominon skenën muzikore botërore. Jeta ime është një përrallë me një moral: dëshirë dhe pushtet.
Padyshim që karriera e Kylie Minogue, ka qenë e jashtëzakonshme. Në moshën 42-vjeçare, këngëtarja australiane, një metër e 55 cm e gjatë dhe 45 kilogramë ka shitur më shumë se 60 milionë disqe në më shumë se 20 vjet të karrierës së saj. Në kopertinën e albumit të fundit shfaqet e veshur me fustan ngjyrë pana ku duket si një perëndeshë hyjnore. Turi i saj i ri Aphrodite - Les folies tour 2011, nisi në 19 shkurt në Danimarkë për të përfunduar në fund të majit pas një sërë ndalesash në Europë, Azi dhe në Amerikën e Veriut. Jam shumë entuziaste, ndihem shumë në formë dhe sot si kurrë më parë nuk kam pasur dëshirë kaq të madhe për të shijuar jetën, tregon hyjnorja Kylie.
Cila është arsyeja e këtij ekzaltimi kaq të madh?
Natyrisht dashuria, jo më kot i kushtova një album të tërë kësaj ndjenje. Po jetoj vërtet një periudhë të shkëlqyer, me gëzime dhe kënaqësi dhe e gjitha kjo është meritë e të fejuarit tim (Andrés Velencoso Segura, 32 vjeç është model spanjoll: çifti është bashkë që nga fundi i vitit 2008). Kam gjetur shpirtin tim binjak.
Çfarë ju bën kaq të sigurt?
Provimi që unë bëj: Andres është i pari që e ka kaluar me maksimumin e votave. Pa dashur, të gjithë të dashurit e mi i nënshtrohen një provimi shumë të vështirë: të arrijnë të më largojnë stresin që më shoqëron gjatë turneve të mi të pafundmë. Për koncerte më ndodh që të qëndroj me javë të tëra larg shtëpisë dhe rastet për tu takuar bëhen të rralla. Ja në krahasim me ish të dashurit e mi, Andres ka treguar që është ndryshe. Për më tepër ka treguar pjekuri dhe besueshmëri. Unë jam mbështetur shumë tek ai. Mund tju tregoj një ndodhi?
Sigurisht, me kënaqësi!
Ngjarja i takon tetorit të vitit 2009 kur performova live për herë të parë në Amerikën e Veriut. Andres e dinte që isha nën presion për shkak të debutimit dhe më shoqëroi në disa shfaqje. Kishte kaluar shumë vështirësi për të qenë aty me mua dhe unë kisha frikë se do të donte të rrinte gjithë kohës me mua. Por sapo erdhi më befasoi: Rri e qetë zemër, mos mendo për mua. Unë po dal me ndonjë shok për të parë qytetin. Shihemi me qetësi kur të jesh gati, më tha. E ndjeva veten kaq të lehtë, të lirë dhe të qetë. Një ndjesi që kisha vite që se kisha provuar.
Me pak fjalë të pëlqejnë tipat e pavarur dhe të sigurt në vetvete. Karakteristika të tjera?
E di që mund të qeshni, por më pëlqejnë meshkujt shumë më të gjatë se vetja. Mundësisht mbi 1 metër e 80 e që kanë dëshirë për të ndërtuar një familje. Andres i ka të gjitha këto karakteristika, ndaj është thjesht perfekt dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim.
Ndonjë martesë së afërmi?
Më shumë sesa një fustan të bardhë nusërie, dëshiroj të kem fëmijë. Sa? Le ta nisim me një si fillim. Deri pak vite më parë as që e mendoja fare diçka të tillë. Nuk më kishte shkuar kurrë nëpër mend që të bëhesha nënë. Isha përqendruar te vetja dhe karriera.
Pastaj çfarë ndodhi?
Në vitin 2005 zbulova se isha me kancer ndaj iu riktheva prioriteteve të mia. Edhe pse sëmundja u largua shumë shpejt, pas ndërhyrjes dhe kimioterapisë isha shumë e dërrmuar: migrena dhe temperatura nuk më largoheshin dhe për shkak të ilaçeve qaja dëshpërimisht sa nuk e njihja më veten. Përveç rënies së flokëve, për të cilën isha përgatitur psikologjikisht, ilaçet më kishin fryrë dhe sa herë shihja veten në pasqyrë pësoja një traumë të vërtetë. Ishte pikërisht atëherë që nisa të imagjinoja një të ardhme ndryshme, me fëmijë të cilëve mund tu përkushtohesha.
Jo rastësisht, në vitin 2006 shkrove librin The showgirl princess.
E kam treguar jetën time sikur të ishte një përrallë dhe si çdo përrallë edhe kjo e imja ka një moral. Nëse beson në vetvete dhe punon shumë, arrin të realizosh çdo ëndërr.
Ju në fakt keni realizuar shumë të tilla....
Kam nisur herët. Ambicia nuk më ka munguar. Më pëlqente aktrimi dhe në moshën 11-vjeçare kam debutuar në një serial televiziv, pastaj hyra në kastën e Neighbours, një telenovelë që kishte rreth 20 milionë spektatorë. Por meqë edhe në këngë isha e talentuar në vitin 1988 prezantova këngën time të parë, The Loco-Motion, që qëndroi në krye të klasifikimeve australiane për shtatë javë.
Si të mos mjaftonte ke krijuar Kylie Minogue Parfums dhe linjën e të brendshmeve Love Kylie.
Meqë ra fjala duhet të nis sërish punën, sepse i kam lënë pak pas dore: shumë gra më shkruajnë për të më pyetur se kur do të dalë koleksioni i ri. I kam skicat pothuajse gati dhe dua të marr vetëm këshillën e miqve të mi Domenico Dolce e Stefano Gabbana, që kanë dizajnuar edhe kostumet e mia për turin nëpër botë. Kam nevojë gjithmonë për këshillën e tyre.
Me ndihmën e tyre mund ti hyni rrugës së modës dhe të krijoni një linjë veshjesh. Në fund të fundit jeni një ikonë e botës së show-biznesit?
Jo, jo nuk ka mundësi. E respektoj dhe adhuroj shumë punën e stilistëve. Kam shumë defekte, por një cilësi: e di deri ku mund të arrij. Kështu që as që e provoj. Më mjafton ndjesia kur i vesh...
Ju pëlqen shumë moda. Jeni e fiksuar pas saj.
Jo, i ndjek tendencat e fundit vetëm nëse përputhen me shijet e mia. Preferoj të shpik diçka vetë që të më shkojë sesa të vesh fustane firmato që nuk më shkojnë.
Nuk keni nevojë të frymëzoheni nga asnjë yll d.m.th...
Përkundrazi, kam nevojë të frymëzohem nga dy gjigantë të muzikës: Freddie Mercury dhe David Bowie. Jo më tepër për stilin, por për imazhin revolucionar që ata krijuan për atë epokë.
Cila është arma sekrete e Kylie Minogue?
Feminiliteti. Sipas meje duhet të tregojmë në çdo moment bukurinë, dhe talentet që zotërojmë. Nuk është e thënë të ekzagjerohesh për tu dukur e bukur. Ndonjëherë thjeshtësia të bën më të bukur. Nëse kemi vetëbesim e kemi botën në këmbët tona.