E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Zhelina daton prej mesjetës së hershme që e hasim në historiografi në vitin 1337-1346 (Selishçev.M.A “Polog i ego bugarsko naselenie-Sofija, 1929), ku përmendet kisha e Shën Mërisë që ka qenë në juridiksionin e kishës së Shën Mërisë së Tetovës në viti 1343. Ndërsa sipas dëshmive osmane në vitin 1452/53 ka pasur 35 familje, 8 të pamartuar dhe 3 vejusha, më 1467/68 ka pasur 60 familje, 3 të pamartuar dhe 2 vejushe, më 1481/82 ka pasur 35 familje dhe 2 vejushë, më 1544/45 ka pasur 61 familje dhe më 1568/69 ka pasur 26 familje dhe 14 të pamartuar.
Reportazh, fshati Zhelinë (Krojmiri)









Prof. Ismet Jonuzi-Krosi

Botuar më: 2003

“DËRVENI DJEP I LASHTË I QYTETËRIMIT TË PENESTISË ILIRE”


Zhelina është fillimi i Dervenit të Epërm apo KALLDËRMI BOGAZ (në gjuhën shqipe QAFA E KRUSHQIVE) siç e kanë quajtur në kohën e sundimit të osmanlinjve. Ky vendbanim paraqet qendrën dhe selinë e Komunës së Zhelinës. Fshati Zhelinë shtrihet në anën e djathtë të rrugës kryesore Tetovë-Shkup 8 km. larg nga Tetova, numëron mbi 700 shtëpi dhe mbi 5 mijë banorë. Lartësia mbidetare është 450 metra, sipërfaqja e sinorit është 19.9 km2, sipërfaqe agrare 1.495 ha., tokë punuese 603 ha., kullota 224 ha. dhe pyje ka 648 ha. Në këtë fshat jetojnë këto familje si: Skonde, Beshë, Grace, Matranç, Çajane, Muahaxher (të ardhur nga Ana Morava e Vilajetit të Nishit nga qendrat Vranjë, Leskoc) Hajvaze etj.

Në shekullin XIX, janë vendosur në Zhelinë e nëpër shumë lokalitetet tjera), si dhe shumë familje tjera që vijnë nga fshatrat për rreth e vendosen në Zhelinë, por edhe nga Zhelina ka shpërngulje simbolike nëpër qendrat urbane. Duhet veçuar sinonimin e Zhelinës pra URA E NUSEVE, e cila urë daton që në periudhën e sundimit romak në këto troje, për të cilën urë poeti-arsimtari dhe aktori amator zhelinas Jakup Limani i ka kushtuar një përmbledhje me poezi me titull “URA E NUSEVE”. Nga Zhelina janë të shpërngulur nga terrori sllav një numë i madh në Anadoll që për to Muzafer Ramadani u ka kushtuar një vepër unikate, po ashtu në luftërat ballkanike, në Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore janë ekzekutuar me dhjetëra zhelinas nga dora gjakatare e okupuesve serb e bullgar, që edhe sot e kësaj dite nuk janë të ndriçuara këto krime ndaj shqiptarëve. Vend-emërtimet në male, kodra dhe fusha: Zabeli-ku gjendet burimi i ujit, Fojniku- shtrihen livadhet dhe stanet, Ballshor-lokaliteti antik, Kroi i Kishës, Laoma e Ballëkit, Erebimë (erë+bimë), Gjuri i Kuq, Gjuri i Lagët, Gravanec, Kroi i Madh, Kroi i Vogël e shumë vend-emërtime tjera.

HISTORIKU

Zhelina daton prej mesjetës së hershme që e hasim në historiografi në vitin 1337-1346 (Selishçev.M.A “Polog i ego bugarsko naselenie-Sofija, 1929), ku përmendet kisha e Shën Mërisë që ka qenë në juridiksionin e kishës së Shën Mërisë së Tetovës në viti 1343. Ndërsa sipas dëshmive osmane në vitin 1452/53 ka pasur 35 familje, 8 të pamartuar dhe 3 vejusha, më 1467/68 ka pasur 60 familje, 3 të pamartuar dhe 2 vejushe, më 1481/82 ka pasur 35 familje dhe 2 vejushë, më 1544/45 ka pasur 61 familje dhe më 1568/69 ka pasur 26 familje dhe 14 të pamartuar.

Po ashtu duhet përmendur se në vendin e quajtur JEREBINË që gjendet në pjesën veriore afër 2 km. larg Zhelinës ka ekzistuar vendbanimi JAREBINË në anën e djathtë të lumit Vardar. Në këtë fshat, i cili është zhdukur, ka qenë kisha e Shën Gjërgjit. Banorët e këtij fshati janë vendosur kryesisht në fshatin Zhelinë.

Lartësia mbidetare e këtij lokaliteti antik në tërthoret e të cilit përmendet se ka ekzistuar një vendbanim qysh në kohën e re të gurit, pra 6000 deri 4000 vjet para kohës së re, në vendin e quajtur BALLSHOR, në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Vardar më saktësisht afër 500 metra në veriperëndim të pozitës së tashme të fshatit. Gjatë lëvrimit të arave, aty janë zbuluar eksponate enësh të dheut në formë të rrumbullakët dhe konusore, të modeluara në mënyrë të thjesht, me dorë të lirë, madje janë gjetur gurë nga qeramika për vegje pëlhurash, copa të vogla me tehe të mprehta thikash prej stralli, tokë e djegur, eshtra shtazësh dhe sende të tjera të imëta për stolisje, me ndonjë eksponat të rrallë të ngjyrosura me një cipë të kuqe të lëmuar dhe shumë e shumë gjëra tjera .

Pra, siç dihet se sot aty ku është Xhamia e vjetër e cila është ndërtuar në shekullin e XVII, më parë ka qenë Kisha e lashtë e të parëve të fisit PENEST të ilirëve që njihen si banues të kohës antike e deri më sot në Dervenin e Epërm. Edhe pse këto pak gjurmë të zbuluara deri më sot, por që flasin se qysh në kohën e lashtë nga antika e këndej, pra, 7000 vjet para erës së re, prej epokës së gurit, duke vazhduar në epokën e hekurit dhe të bronzit e deri në dyndjen e sllavëve në këto anë dhe përgjithësisht në Luginën e Pollogut, ka pasur jetë intensive, e cila ka qenë e zhvilluar më së shumti në anën e Malit Sharr, në Derven e më pak në anën e Malit të Thatë.

Vendbanimet kanë qenë të ndërtuara kryesisht rrëzë maleve duke përfshirë luginat anësore, grykat, brigjet, shpatet e maleve të përshtatshme për mbrojtje dhe pjesërisht në fushën e Pollogut. Emrat e vendbanimeve kanë ndryshuara dhe janë zhdukur gjatë shekujve nën ndikimin e kulturave dhe sundimeve-okupimeve të ndryshme, por për të gjitha këto duhet gjurmuar nëpër të dhënat e historiografisë nëpër shumë e shumë qendra etj.

Emri i fshatit Zhelinë sipas prof.dr.Fauzi Skenderi /Popullsia dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni-Kumanovë 2006, ku ndër të tjera thotë se ky lokalitet e ka emrin KROJMIR për shkak se është mjaft i pasur me kroje. Zhelina ka Bashkësinë Vendore me 15 këshilltarë. kryetar është Hamdi Latifi, dy këshilltarë komunal, sh.f qendrore “Luigj Gurakuqi” ku mësimin e vijojnë 643 nxënës, ka dy xhami e para është ndërtuar në shekullin XVII dhe imam është Idriz Huseini dhe ajo e reja e ndërtuar 1988, imam është Mesut Islami, Klubin e Futbollit “LIRIA”, që ndihmon në zhvillimin dhe ngritjen e vetëdijes sportive në këtë fshat që e kanë traditë me klubin në fjalë thuajse një dekadë, Shoqërinë Kulturore Artistike ”Rinia” e cila gati dy dekada është aktive e që ndihmon në ruajtjen dhe artikulimin e vlerave autoktone kombëtare të Zhelinës, objekt të postës e ndërtuar 1990, ndërsa rrjeti telefonisë tokësore prej viti 1985, ambulancë shëndetësie, ka mbi 50 firma afariste të cilat japin maksimumin në të mirë të ndërtimit të fshatit dhe të punësimit etj.

MËRGIMI

Edhe për këtë fshat plagë e rëndë është kurbeti, që përfshinë një përqindje të madhe që gjenden me punë të përkohshme jashtë vendit. Më të përqendruar janë në vendet e Evropës Perëndimore. Por, vlen të përmendet se mërgimtarët janë mjaftë aktiv sa u përket ndihmave të ndryshme drejtuar Zhelinës. Në Zhelinë ka gati 40 familje që marrin ndihma sociale e që ka tendencë të zvogëlohet ky numër për shkak të rregullave të reja për marrjen e ndihmës.

RINIA

Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate arsimore si me të mesme dhe pjesa dërmuese me arsimim të lartë, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore.

NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME JANË TË SUKSESSHME

Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në zhvillim të hovshëm, ku aktualisht funksionojnë mbi 50 ndërmarrje dhe lokale afariste, ndër to më të dalluara janë si “Golectrans” me afro 50 punëtor, “Beshatrans” me afro 20 të punësuar, “Agropollog” me afro 20 të punësuar, “Eurogranit” me afro 40 të punësuar, “Impalla” me afro 15 të punësuar, “Europollog” 10 të punësuar, “Bilimetal” 10 të punësuar, “Mulliri elektrik” 10 të punësuar, ambulanca private e shëndetësisë “Frolenc” 6 të punësuar pronë e mjekut Fatmir Uzairi nga Zhelina, “Zuha petrol” me 10 të punësuar, ka afër 30 taksi private e shumë ndërmarrje tjera që ndihmojnë në punësimin e të rinjve zhelinas.

Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
BUJQËSIA

Si në shumë vende të tjera edhe në arat e këtij fshati një përqindje simbolike mbeten të papunuara. Në fushën pjellore të këtij fshati kultivohen shumë kultura si të grurit specat, patatet, domatet, misër e të ngjashme. Kanë vërejtje serioze ndaj organeve përkatëse se nuk i mbrojnë interesat e tyre të prodhimeve si dhe viteve të fundit është evidente dukuria, se farërat e të mbjellave nuk japin frytet sipas standardeve, që për to thonë se kanë nevojë që ministritë përkatëse të merren me analizën e tokës që zhvillohet bujqësia.

Bujqit e Zhelinës thuajse dy herë në vit ballafaqohen me problemin e shkrirjes së nga bjeshkët e Malit Sharr, që ndikon dukshëm në shtimin e lumit të Porojit, që në fushat e Zhelinës vërshon e sjellë dëme të mëdha, pra, kjo është një dukuri që në pranverë dhe shirave në vjeshtë vërshojnë dhe se kërkon zgjidhje të përhershme nga ministritë përkatëse në të mirë të popullatës e në veçanti të bujqve.

Si në shumë fshatrat e Pollogut po ashtu edhe në Zhelinë është evidente çështja e deponisë së mbeturinave që kërkon zgjidhje adekuate në nivel komunal, por rrethanat dhe realiteti objektiv e bëjnë të veten edhe pse siç shprehen banorët e këtij fshati, se ky problem na preokupon të gjithëve, ngase individ të papërgjegjshëm e ndotin shtratin e lumit Vardar nga i cili dikur kanë mund të pinë ujë, ndërsa sot edhe nuk mund të afrohen pranë brigjeve nga mbeturinat, por falë formave individuale ia dalin disi edhe pse ka iniciativë që të gjendet një deponi për ta mënjanuar këtë dukuri të shëmtuar. Është karakteristike se banorët e këtij fshati, Bashkësia Vendore dhe dy këshilltarët komunalë i kanë të harmonizuara qëndrimet dhe kërkesat për të mirën e vet fshatit me Komunën e Zhelinës.

BLEGTORIA

Blegtoria dikur në Zhelinë ka qenë mjaftë e zhvilluar ku përmendin Xhezahir Qehajën që me familjen e tij ka pasur mbi 5 mijë kokë dele, ndërsa sot ka mbi 1 mijë kokë dele e ata janë Jusuf Xheladini, Nazmi Latifi, Ramadan Izahiri dhe Nexhat Huseini. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet me atë të Leshnicës së Poshtme, Dobërcën, Grupçinin, Cerovën, Siriçinën, Pallaticën, Treboshin, Saraqinën dhe Strimnicën.

INFRASTRUKTURA

Çështja e ujit për pije, siç kuptova nga kryetari Këshillit të Bashkësisë Vendore Hamdi Latifi se vetëm një pjesë e fshatit furnizohet me ujë për pije, pjesa tjetër me puse, që është gjendje e mjerueshme ngase ujërat e zeza dhe ato fekale janë të pakontrolluar dhe se uji aktual nuk përmbush asnjë normë themelore për pije, por për këtë çështje jetike janë duke përfunduar me rregullimin e dokumenteve juridiko-teknike të projektit që të ndërtojnë dy puse me standarde ku do të përfshihet edhe rrjeti i ujit së bashku me infrastrukturën për kanalizim e që parashikojnë se do t’u kushtojë afro 600 mijë euro. Mbi 90% e zhelinasve janë me lidhje telefonike. Ndriçimi publik i këtij fshati është i rregulluar edhe pse presin që të intervenohet nga vetë Komuna e Zhelinës e në veçanti për ndërrimin e rrjetit elektrik si dhe ka ankesa serioze se duhet të përforcohet rryma elektrike me trafostacione të reja ngase vetëm dekadën e fundit janë ndërtuar mbi 100 shtëpi të reja e shumë objekte të destinuara për afarizëm, por edhe pse është drejtuar kërkesë në instancat përkatëse për të kryetari i Komunës së Zhelinës, Mefail Osmani më informoi se kjo gjendje aktuale do të tejkalohet që sipas tij e vetmja zgjidhje e përhershme është që të ndërtohet një central elektrik, që është një projekt konkret për Komunën e Zhelinës, që elektrodistribucioni i Tetovës e posedon këtë projekt të gatshëm që parashihet ndërtimi i hidrocentralit në Zhelinë e që do të jetë solucion ngase parashihen t’i bashkëngjitet i tërë rrjeti elektrik i Dervenit të Epërm e të kenë një furnizues të përbashkët ngase realisht ky terren ka rrjet të gjatë e të shpërndarë. Rrugicat janë të shtruara që para tri dekadave, që para 7 vjetësh i kanë zgjeruar rrugicat e i kanë shtruar me berkatone me vetëkontribut që ka kushtuar gati 250 mijë euro, por zhelinasit sikur nuk pajtohen me këto të arritura në rrafshin e infrastrukturës dhe kanë bërë gati projektin-ideor në bashkëpunim me Komunën e Zhelinës për të shtruar trotuaret në gjatësi prej 1200 metrash e që parashikojnë se do t’u kushtojë mbi 40 euro.

SHKOLLA FILLORE“LUIGJ GURAKUQI”

Në rajonin e Dervenit të Epërm shkollim daton qysh në vitin 1926 që ka qenë në fshatin Grupçin me emrin Dielli (Sunce) ku është mësuar serbokroatisht, që në vitin 1932 në Grupçin shkolla e merr emrin Zheden ku mësimin e kanë ndjekur fshatrat për rreth si dhe zhelinasit. Deri në vitin 1990 shkolla e Zhelinës emrin e ka pasur “Josip Broz Tito”, ndërsa prej atëherë e deri më sot mban emrin e rilindësit e patriotit të shquar Lugj Gurakuqi. Shkolla fillore “LUIGJ GURAKUQI” ku mësimin e ndjekin 643 nxënës, 24 paralele si dhe 2 paralele parashkollore me 62 vogëlushë, mësohet në dy ndërrime ka të punësuar 48 veta.

Në këtë shkollë gravitojnë edhe dy shkolla territoriale ajo e Leshnicës së Poshtme dhe të Epërme. Shkolla e Zhelinës është rindërtuar në vitin 2000, kushtet për procesin edukativo-arsimor thuajse janë në gjendje solide. Siç kuptova nga Saubi Avziu, udhëheqës për veprimtari shoqërore në Komunën e Zhelinës se kjo shkollë ka fushë sportive dhe se i mungon salla sportive, kanë kuzhinë por nuk funksionon, kanë bibliotekë të pasur me libra të shumta. Shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit ku vlen të përmendet shkollimi i femrës. Nga ky fshat ka një numër të konsiderueshëm që ndjekin studimet si në UT, UEJL, në Shqipëri, Prishtinë, Shkup, Zagreb e gjetiu.

Publikuar: 01.03.2011 | 12:04
Lexuar: 6527 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Xhemal Asipi (02/03/2011 18:18:22) Prof.krosi Ju përgëzoj për të dhënat kronologjike që i keni dhënë për Zhelinën.

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime