Shqiptarët nuk janë vetëm populli më optimist në botë. Shqiptarët janë edhe populli i vetëm që kanë më së shumti ish-kryetarë dhe kryetarë në botë. Janë kampionë me këtë pasuri politike a historike, apo trashëgimi kombëtare, e quajmë si të doni. Vetëm paradoks të mos i themi.
Binak Kelmendi
Shqiptarët nuk janë vetëm populli më optimist në botë. Shqiptarët janë edhe populli i vetëm që kanë më së shumti ish-kryetarë dhe kryetarë në botë. Janë kampionë me këtë pasuri politike a historike, apo trashëgimi kombëtare, e quajmë si të doni. Vetëm paradoks të mos i themi.
Pra, shqiptarët kanë më së shumti ish-kryetarë dhe kryetarë në botë! Të cilët, ose mua më duket kështu, janë po ashtu të vetmit në botë që e kanë shumë më shumë për qejfi të quhen presidentë sesa kryetarë, me fjalën e gjuhës shqipe, për postin e kreut të vendit që e bartin me ose pa meritë, që zgjidhen drejt ose me hile. Dhe, jo vetëm kaq. Sepse ata e duan fjalën, përkatësisht emrin e funksionit të tyre President me P të madhe pasi presidenti me p të vogël nuk i bën të tillë.
Duket se emërtimi President i bën të ndihen më madhështorë, më rehat, më tingëllues, më bubullues, më kryetarë pra. Prandaj, në të gjitha rrethanat dhe sa herë që u ofrohet mundësia, ata dhe këshilltarët e tyre, evitojnë të përdorin emërtimin shqip për postin që e bartin kryetar ose kryetar. Nuk ka lidhje, për ta e as për të tjerët, çfarë thotë drejtshkrimi për këtë emërtim
Le ta quajnë veten si të duan, kryetarë ose presidentë, Kryetarë apo Presidentë. E ne ti kthehemi temës sonë. Dhe të konstatojmë me krenari se jemi bërë vërtet një popull i madh. Për lakmi. Madje shumë më i madhe sesa amerikanët e SHBA-së.
Natyrisht vetëm me numrin e kryetarëve të gjallë të shtetit, pas kryerjes së mandatit, pa kryerje të tij dhe në mandat e sipër. Dhe, a të thuhet menjëherë: amerikanët e SHBA me mbi 350 milionë banorë aktualisht i kanë katër ish-kryetarë (Jimmy Carterin, babë e bir Bush që të dy me emrin George dhe Bill Clintonin) dhe një kryetar (Barack Obama).
E ne?
Ne (nuk dihet saktësisht sa banorë jemi 7 milionë apo më shumë sepse regjistrimet nuk janë bërë as në Shqipëri dhe as në Kosovë ndoshta, me standarde fetare, kombëtare e minoritare, bëhen sivjet në të dy vendet), i kemi rrafsh gjashtë ish-kryetarë (Ramiz Alia, madje kryetari i parë i shtetit shqiptar i dalë nga zgjedhjet e para pluraliste, Sali Berisha, Rexhep Meidani Alfred Moisiu, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi, u.d.) dhe dy kryetarë aktualë (Bamir Topi dhe Behgjet Pacolli). Janë mjaft për një komb dhe ky numër i kryetarëve mund të dëshmojë jo vetëm jetëgjatësinë e kryetarëve tanë, por edhe të kombit vetë!
Është krejtësisht diçka tjetër si ka funksionuar dhe si funksionon ky zinxhir kryetarësh të vendit në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe, është po ashtu krejtësisht tjetër gjë çraporte kanë këta ish-kryetarë dhe kryetarë aktualë ndërmjet vete.
Ose me pozitën a opozitën. Ose pse ndonjë kryeministër apo ndonjë zyrtar tjetër shumë i lartë nuk flet fare me ndonjërin nga ta sepse e ka harruar bazën deleguese ose e ka keqkuptuar rolin. Ose pse vetë ish-kryetarët dhe kryetarët nuk flasin dot njëri me tjetrin apo nuk duan të flasin me njëri tjetrin.
E të mos flasim fare për raportin e opinionit publik me ish-kryetarët dhe me kryetarët në detyrë. Ndërsa raportet e kryetarit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës deri më tash janë ndërtuar kryesisht me një telegram urimi dhe me një gatishmëri për bashkëpunim të sinqertë e miqësor verbale shumë më pak vëllazërore sesa miqësore ose me ndonjë vizitë sa për të qëndruar dy ditë në Vlorë ose në Durrës rëndom gjatë verës.
Nëse numri i madh i kryetarëve të Shqipërisë e të Kosovës i lidh pak a shumë me numrin e kryetarëve të SHBA-së, është diçka tjetër që i zgjidh totalisht këta ish-presidentë e presidentë ndërmjet tre vendeve mike. Në SHBA ish-kryetarët paguhen për të mbajtur fjalime, e këshilla. Në Kosovë e në Shqipëri ata do të paguheshin që të mos mbajnë fjalime e aq më pak këshilla.
Të mos e përkujtojmë as mënyrën e zgjedhjes së tyre në këto vende. Pasi që ato dallojnë në tërësi.
Sidomos jo mënyrën e zgjedhjes në vendin tonë. Pasi një kryetar shkeli Kushtetutën gjatë mandatit dhe dha dorëheqje, një tjetër u zgjodh kryetar duke u shkelur kjo Kushtetutë ndërsa një tjetër u privua nga kjo e drejtë pasi e përjashtoi Kushtetuta e Partisë.
Dhe këtu ndodh të ndeshen shpesh Kosova e Shqipëria.
Sepse një popull jemi, apo jo?