Mediat vendore e ndërkombëtare kanë publikuar, gjatë ditës, informata të ndryshme sikurse për identitetin e jetën e Arid Ukës, ashtu dhe për motivin e sulmit të së mërkurës. Megjithatë, gjithçka mbetet ende në nivelin e spekulimeve.
Edona Peci
Autoritetet kosovare nuk kanë arritur të krijojnë një profil të hollësishëm për Arid Ukën, i cili pohon të ketë vrarë të mërkurën dy ushtarë dhe plagosi dy të tjerë në Aeroportin e Frankfurtit. Policia e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet gjermane lidhur me këtë rast, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë për përfshirjen e Ukës në vepra terroriste në Kosovë.
Autoritetet në Gjermani po hetojnë rastin, ndërsa gatishmërinë për të sjellë informata për kryesin e veprës, e kanë shprehur edhe mekanizmat përgjegjës në Prishtinë.
Mediat vendore e ndërkombëtare kanë publikuar, gjatë ditës, informata të ndryshme sikurse për identitetin e jetën e Arid Ukës, ashtu dhe për motivin e sulmit të së mërkurës. Megjithatë, gjithçka mbetet ende në nivelin e spekulimeve.
Nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve mësohet se një pjesë e familjes së Arid Ukës, në mesin e të cilëve Behxhet dhe Rexhep Uka, jetojnë në Mitrovicë.
Autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të nxjerrin informata shtesë, ndërsa kanë thënë se edhe në rast se zbulojnë të dhëna të reja, nuk do ti publikojnë ato.
Kosovari vret dy ushtarë amerikanë
Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën mbrëma se, bazuar në informatat që ka, Arid Uka ka lindur më 8 shkurt të vitit 1990 dhe se është nga Mitrovica, mirëpo mbetet e paqartë se çfarë shtetësie kishte kosovari që po jetonte në Gjermani.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kanë thënë se janë në pritje të informatave lidhur me shtetësinë e Ukës - informata këto, që, sipas tyre, duhet të kërkohen në komunën e Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka shprehur gatishmërinë e policisë për të bashkëpunuar me autoritetet gjermane në rast të kërkesës për informata shtesë lidhur me profilin e Ukës.
Policia e Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Gjermanisë përgjithësisht, por edhe në rastin konkret ka filluar bashkëpunimi dhe kontaktet. Diçka më tepër nuk mund të bëjmë publike, për shkak se rasti hetohet prej policisë së Gjermanisë dhe ne jemi ende bashkëpunues në suazat e marrëveshjeve të bashkëpunimit që janë, ka bërë të ditur Sadriu.
Lidhur me dyshimet për ndërlidhjen eventuale të rastit me terrorizëm, Ministria e Brendshme i shtetit Hes në Gjermani, ka njoftuar se hetimet kanë treguar se Uka ka vepruar i vetëm dhe se nuk i përket ndonjë rrjeti terrorist.
Mundësinë për përfshirjen e Ukës në vepra terroriste e ka hedhur poshtë dhe Policia e Kosovës.
Ne kemi bërë verifikimin në sistemin tonë informativ të policisë dhe i njëjti nuk ka lënë të jetë i regjistruar në regjistrat tanë për veprime anti-terroriste në Kosovë, ka deklaruar Sadriu.
Pavarësisht kësaj, Prishtina zyrtare ka dënuar aktin. Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e së enjtes me një minutë heshtje për viktimat amerikane.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë:
Të nderuar qytetarë, sot në emrin tuaj dhe timin shpreh indinjatën e thellë për aktin e djeshëm kriminal të ndodhur në Aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Në emër të qytetarëve të Kosovës që përfaqësojmë, në emër tuajin - deputetë dhe kabinet qeveritar, i shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane, popullit amerikan dhe familjeve të të vrarëve dhe për të vrarët lus deputetët që të ngrihen në këmbë për një minutë heshtje. (rel)