Vullneti i votuesit kosovar thjeshtë është hudhur për dritare, sepse ky sistem vazhdon të shpërblejë pakicat edhepse ata në pjesën më të madhe kanë bojkotuar zgjedhjet. Të gjitha partitë e pakicave kanë marrë së bashku vetëm 7% të votave, por ata kontrollojnë plot 21% të parlamentit kosovar.
Robert Nesimi
Edhe në Maqedoni mund të na ndodhë që me një ngritje të vetme gishtash deputetët shqiptarë nga një e katërta të bëhen një e pesta e parlamentit
Një proces zgjedhor thuhet se ka përfunduar kur përfundimisht konstituohen institucionet që ai është dashtur ti zgjedhë. Me konstituimin e parlamentit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, kjo më në fund mund të thuhet edhe për procesin e gjatë zgjedhor në Kosovë. Por siç jemi dëshmitarë këto ditë, ky proces e ka vënë Kosovën në krizë politike me akuza se institucionet e porsazgjedhura janë jolegjitimite dhe jopopullore. Lënë anash problemet me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilat sadopak u korigjuan me rivotim dhe më në fund u pranuan nga aktorët e zgjedhjeve, shumë pak është folur për njërin nga shkaktarët kryesorë të krizës së sotme, edhe atë sistemin e paqëlluar zgjedhor. Siç do të argumentoj më poshtë, institucionet e tanishme të Kosovës nuk shprehin vullnetin e votuesit kosovar, jo sepse zgjedhjet ishin të vjedhura apo manipuluara, por se vetë korniza ligjore zgjedhore është e manipuluar. Dëshmitë më eklatante për këtë janë procesi i ndarjes së mandatave me lista të hapura të kombinuar me përfaqësimin e duhur gjinor dhe vendet e garantuara për pakicat.
Natyrisht rregulla e parë, që thotë se të paktën një e treta e deputetëve duhet të jenë femra, është bërë me qëllim tepër fisnik: pjesëmarrje aktive e femrave në politikë. Pa marrë parasysh se debati rreth asaj nëse kjo kërkesë është demokratike apo edhe efektive, kjo është bërë praktikë në një numër vendesh të botës. Edhe në Maqedoni për shembull, çdo kandidat i tretë në listë duhet të jetë femër. Por paralelisht me këtë ligjvënësi kosovar poashtu ka përcaktuar që kandidatët të zgjidhen me lista të hapura, ku votuesi përveç listës partiake rrethon edhe emrin e kandidatit që parapëlqen. Në kombinim me barazinë gjinore, listat e hapura kanë shkaktuar rezultate paradoksale që shtrembërojnë dhe anashkalojnë vullnetin e zgjedhësve. E kjo ka ndodhur sepse në Kosovë ligji ka parashikuar që një e treta e të zgjedhurve e jo të kandidatëve të jenë femra, pa marrë parasysh se si votojnë qytetarët. Për pasojë, për shembull në listën e PDK-së, një kandidate femër është zgjedhur deputete me gjithsej 3099 vota të fituara, ndërsa jashtë kuvendit ka mbetur një kandidat mashkull që ka plot 6097 vota. Listat e hapura dhe përfaqësimi gjinor kanë bërë që votat e votuesve për këtë kandidate të kenë dyfish më shumë vlerë se sa ata që kanë votuar kandidatin mashkull. Situata të ngjajshme gjenden te listat e të gjitha partive. Barazia (artificiale) gjinore është arritur me thyerjen e vullnetit të elektoratit, gjegjësisht me anashkalimin e parimit një votues një votë. Në vend që procesi zgjedhor të reflektojë vullnetin e qytetarëve, ai është shëndruar në mekanizëm për ti disciplinuar ata.
Është e nevojshme të ritheksohet se qëllimi i sistemit është padyshim fisnik, por ai nuk mund të fshehë realitetin e hidhur se Kosova vazhdon të mbetet botë e meshkujve. Nëse llogaritim votat e duhura për tu bërë deputet, votuesi kosovar ka menduar se në kuvend duhet të jenë vetëm 12 femra. As nuk diskutohet se shteti dhe shoqëria duhet të gjejnë mekanizma të ndryshëm për arritjen e barazisë gjinore, por manipulimi i sistemit zgjedhor nuk është njëri prej tyre. Së pari sepse procesi zgjedhor është baza themelore e çdo demokracie nëpërmjet së cilit votuesit zgjedhin përfaqësuesit e vet dhe si i tillë ai duhet të reflektojë saktësisht vullnetin e zgjedhësve, pa marrë parasysh nëse ai është ideal ose jo. Sa më larg iket nga ky parim, aq më tepër kuvendi do ti ngjajë një institucioni të emëruar e jo të zgjedhur. Së dyti, mënyra e këtillë e zgjedhjes së deputetëve femra i degradon vetë femrat, pasi ata rrezikohet të perceptohen se janë në kuvend vetëm pasi janë femra, vetëm për dekor, se nuk përfaqësojnë vërtetë popullin dhe se rrjedhimisht duhet të rrinë anash dhe të lënë meshkujt të kryejnë punët e veta.
Por problemi me përfaqësimin adekuat gjinor as për së afërmi nuk është problematik sa ai i vendeve të garantuara për pakicat. Në këtë rast vërtetë të vjen të skuqesh nga pretendimet se bëhet fjalë për ndonjë proces zgjedhor demokratik. Partia më e madhe e pakicave, SLS, ka marrë më pak vota se LDD dhe FER, por megjithatë kësaj partie i ndahen 8 mandate ndërsa FER dhe LDD mbeten jashtë parlamentit. Shifrat për deputetë individualë janë edhe më eklatante. Përderisa kandidati i lartëpërmendur shqiptar mbetet jashtë parlamentit me 6097 vota të mbledhura, njëfarë Albert Kinolli nga PREBK është bërë deputet me vetëm 393 vota. Apo thënë ndryshe votuesit e tij sistemi i konsideron si 20 herë më të vlefshëm se ata që kanë votuar për deputetin shqiptar.
Vullneti i votuesit kosovar thjeshtë është hudhur për dritare, sepse ky sistem vazhdon të shpërblejë pakicat edhepse ata në pjesën më të madhe kanë bojkotuar zgjedhjet. Të gjitha partitë e pakicave kanë marrë së bashku vetëm 7% të votave, por ata kontrollojnë plot 21% të parlamentit kosovar. Me ose pa qëllim, pakicat kështu janë shëndruar në lojtarin kyç gjatë formimit të institucioneve kosovare. Simulimet me sistemin një votues, një votë tregojnë se PDK realisht do të kishte fituar 41 deputetë, LDK 32, Vetëvendosje 16, AAK 14, AKR 9, FER dhe LDD nga 2 dhe pakicat 4 deputetë. Në këtë formacion që shpreh vullnetin e mirëfilltë të votuesve, as partitë në pushtet nuk do të kishin mundur të kushtëzohen nga pakicat, as partitë opozitare nuk do të mund të nxireshin se qeveria është krijuar vetëm për shkak të inkuadrimit të pakicave në të, ashtu siç ndodh në të vërtetë sot. Parlamenti i zgjedhur sipas vullnetit të qytetarëve do të detyronte partitë politike të bëjnë marrëveshje koalicioni të rënda por reale. Besoj që poashtu do të kishte shumë më pak dilema dhe shumë më pak debate nëse qeveria dhe presidenti i zgjedhur reflektojnë vullnetin e popullit. Këto probleme në masë të madhe rrjedhin nga fakti se pikë së pari parlamenti nuk reflekton vullnetin e popullit.
Në rastin e Kosovës mendoj se është tepër e përshtatshme thënia: Rruga drejt Ferrit është e shtruar me qëllime të mira. Nisur edhe nga Plani i Ahtisarit, Kushtetuta, nevoja reale për inkuadrimin e femrave e sidomos inkuadrimin e pakicave në jetën politike, të gjitha këto qëllime të mira dhe të dëshiruara në vetvete, Kosova megjithatë ka përfunduar me një sistem zgjedhor i cili faktikisht është që në rrënjë i dështuar. Nuk kam dyshim se ligjvënësit dhe kushtetutëbërësit kosovarë do të arrijnë të revidojnë në mënyrë të drejtë këtë sistem, edhe në pajtueshmëri me planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën, ashtuqë ai më së miri të reflektojë dëshirat e votuesve.
Por nga ana tjetër, edhe ky eksperiment i dështuar kosovar mund të na shërbejë mirë si shembull se çka nuk duhet bërë. Në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, në tavolinë për marrëveshje janë edhe listat e hapura edhe vendet e garantuara për pakicat. Politikbërësit në Maqedoni, e sidomos ata shqiptarë, bëjnë mirë të hedhin një sy përtej kufirit dhe të shohin se në çfarë Ferri mund të çojnë qëllimet e këtilla të mira, posaçërisht ata për vendet e garantuara për pakicat. Përndryshe edhe në Maqedoni mund të na ndodhë që me një ngritje të vetme gishtash deputetët shqiptarë nga një e katërta të bëhen një e pesta e parlamentit.