Një element i rëndësishëm i tij është rrjetëzimi i shkollave të larta me institucionet e tjera hulumtuese të qytetit. Këtu hyn Akademia e Shkencave të Gëtingenit, Instituti Max-Plank, Qendra Gjermane për Fluturimet Ajrore dhe Kozmike si dhe Qendra Gjermane e Primatëve.
Në Gëtingen mund të studiosh thuajse gjithçka, dhe mund të kombinosh në mënyrë të përsosur jetën me studimin. Në dy kampuse moderne jashtë qendrës së qytetit, ndodhen pjesa më e madhe e instituteve.
Universiteti "Georg August" në Gëtingen u krijua në vitin 1737. Është universiteti më i madh dhe më i vjetër që ende ekziston në Saksoninë e Poshtme. Afro 24.000 studentë janë regjistruar këtu dhe që nga viti 2007 koncepti i ardhmërisë së universitetit, mbështetet zyrtarisht nga Nisma e ekselencës.
Një element i rëndësishëm i tij është rrjetëzimi i shkollave të larta me institucionet e tjera hulumtuese të qytetit. Këtu hyn Akademia e Shkencave të Gëtingenit, Instituti Max-Plank, Qendra Gjermane për Fluturimet Ajrore dhe Kozmike si dhe Qendra Gjermane e Primatëve.
13 fakultete dhe 80 degë
Ajo që në kohën e themelimit të universitetit konsiderohej si diçka e jashtëzakonshme, sot ka kohë që është bërë standard. Të mendosh vetë, të hulumtosh vetë! Në 13 fakultetet mund të studiohen shkenca inxhinjerike, hulumtimet janë fokusuar ndër të tjera në fushat kimi, fizikë materialesh dhe të trupave të fortë, biodiversitet dhe matematikë. Por edhe gjermanishtja, shkencat orientaliste dhe antike, si dhe teologjia, nuk mbeten pas dore. Universiteti i jep shumë rëndësi larmisë së degëve.
44 nobelistë kanë studiuar në Georg August në Gëtingen
Një thesar i vërtetë i Georgia Augusta-s, siç quhet shkurtimisht universiteti, janë librat e tij. Në bibliotekën e vjetër gjendet njëri nga koleksionet më të rëndësishme të literaturës gjermane të shekullit të 18-të dhe 19-të. Librat mund t'i përdorë kushdo, veçse huazimi nuk lejohet. Ndërsa biblioteka e vjetër në qendër të qytetit pasqyron shkëlqimin e viteve të para, Biblioteka Shtetërore dhe Universitare e Saksonisë së Poshtme në territorin e kampusit të filologjikut tregon pamjen e sotme të tij: transparente, me hapësirë, moderne.
Nobelistët e Gëtingenit
44 nobelistë kanë studiuar e bërë kërkime në Gëtingen, si për shembull Werner Heisenberg (1901-1976), i cili në vitin 1932 mori çmimin Nobel në Fizikë për punimet në mekanikën e kuanteve, ose Bert Sakmann (lindur në vitin 1942), të cilit në vitin 1991 iu dha çmimi Nobel për mjekësi, për zbulimet që kishte bërë për funksionin e kanaleve ionike nëpër qeliza.