Do të ngeleni me gojë hapur
Albani, njëri nga anëtarët e grupit Produkt 28, na tregon për planet e grupit dhe ato vetjake. Ai vjen me shumë surpriza për publikun jo vetëm si këngëtar, por tashmë edhe... Për më shumë, lexoni intervistën!
Alban,tani që grupi është në pauzë,le të themi,me se po merresh?
Pavarësisht se si grup jemi në pauzë,merrem vazhdimisht me materiale të reja.Për çdo ide të re që më vjen ndërmend,punoj në ministudion që kam krijuar në dhomën time.
Meqë ra fjala,pse po pushoni tani?
Duke pasur parasysh se vitin që shkoi kemi qenë shumë prezent për publikun,si p.sh. me pjesëmarrjen në Kënga magjike,Top fest, klipet dhe bashkëpunimet trefishe,menduam të pushojmë pak sa për të rimarrë energji.
Kur do të vijë sërish Produkt 28?
Në fillim të verës është e sigurt.
Do të na çudisni kësaj radhe?
Patjetër, do të mahniteni, do të ngeleni me gojë hapur.
Çfarë do të keni ndryshe?
Momentalisht jemi duke punuar për klipin e këngës Si herën e parë, e cila siç e përmenda edhe më sipër do të jetë gati në fillim të verës.Kjo këngë është pjesë e albumit të dytë dhe klipi që e shoqëron do të jetë ndryshe nga të tjerët që kemi prezantuar si grup.Këtu nuk jemi karagjozë,por çuna romantikë.Ta këpusim shpirtin (qesh).
Le të flasim pak për ty
Me se merresh konkretisht në grup,cila është pjesa jote brenda tij?
Unë merrem me muzikën në total,idenë e këngës,kompozimin me një fjalë.Normalisht që për çdo gjë konsultohem me çunat,në mënyrë që secili të japë kontributin e tij për çdo material.
Përveçse kompozon për grupin,di që ke dhënë kontributin tënd edhe për këngëtarë të tjerë,si p.sh. Xhensila Myrtezaj.Diçka më shumë në lidhje me këtë çmund të na thuash?
Xhensilën e kemi ndjekur gjatë pjesëmarrjes së saj tek Ethet,na ka pëlqyer si këngëtare dhe menduam ta mbështesnim në karrierën e saj artistike duke i realizuar disa këngë.Është ende e vogël,por ka mjaft perspektivë.Është e kompletuar si këngëtare,me pak punë nga ana e saj mund të arrijë shumë lart.
Të kemi parë në duet me Orindën,po ndonjë duet tjetër do të doje?
Duke pasur parasysh se në duetin me Orindën u ndjeva mjaft mirë dhe pati sukses,pse jo.
Më mirë me grupin, apo projekte solo?
Pavarësisht se në projektet solo ndihem shumë mirë, me grupin është tjetër gjë.Me grupin jam rritur,e ndiej si shtëpinë time.Më mirë me grupin,normal.
Ty të kanë konsideruar djalin e matur dhe të pjekur të grupit, ai që flet vetëm kur ka diçka të rëndësishme për të thënë.Sa e vërtetë është kjo?
I kemi ndarë gjërat,unë muzikën,Fabi teknikën,llafet i ka Turi .
Në jetën e përditshme je po kaq serioz?
Jo, jo.
Si është një ditë e zakonshme për Albanin?
Një ditë e zakonshme për mua është njëlloj si ditët e zakonshme për çdo njeri tjetër.Punë,shtëpi,kafe me shoqërinë dhe shpesh dreka ose darka me ta.
Po me Florin çfarë marrëdhëniesh ke? Të nxeh shpesh?
Marrëdhënie shumë të mira.Nuk më nxeh,sepse nuk jam tip që nxehem kollaj unë,jam shumë i qetë.
Kur të ka bërtitur për herë të fundit?
Kur kam qenë në klasë të parë se i hëngra vezën kinder fshehurazi (qesh).
Kur të ka kërkuar Flori falje për herë të fundit?
Nuk është tip që kërkon falje në fakt,mbase ngaqë edhe nuk ka pasur nevojë ta bëjë një gjë të tillë.
Si është të kesh dy artistë në familje? Çthotë mami për këtë?
Mirë është,shumë bukur.Mamit i bëhet qejfi normal.
Po kur konkurroni të dy në një festival për kë bën më shumë tifo mami?
Për mua se më ka pikë të dobët.
Po babi?
Kush ta ketë këngën më të bukur.
Po gjyshja?
Për Florin se e ka rritur vetë.
Alban,di që së shpejti një nga krijimet e tua do të lançohet nëpër media.Do të na thuash diçka më shumë në lidhje me këtë projekt?
Në fakt janë disa produksione,jo vetëm një.Ka me grupin,por ka materiale edhe për këngëtarë të tjerë të cilët do të dalin solo.Janë të gjitha shumë të bukura,sidomos ato me grupin.
Takohesh me djemtë e tjerë të grupit?
Sigurisht,përditë pothuajse.
Pra vazhdoni ti qëndroni tezës që në fillim jeni shokë, pastaj anëtarë të Produkt 28?
Normal, në fillim jemi shokë ndryshe vështirë që grupi të ecë mirë.
Tani na thuaj diçka që nuk dimë për Fabin...
Kohët e fundit edhe unë nuk di shumë gjëra për Fabin, është bërë misterioz,bëj shaka.Unë nuk bëhem spiun (qesh).
Për Turin
Për Turin i dini të gjitha,nuk lë gjë mangët pa thënë ai.
Jepu një këshillë shokëve
Të bëjnë pak pushim se kanë shumë angazhime.
Jepi një këshillë Florit...
Të sjellë sa më shumë këngë të reja sepse i ndihet mungesa.
Jepu një këshillë fansave të P.28...
Të vazhdojnë të na ndjekin, sepse kemi ende për të dhënë dhe sigurisht i falënderojmë për mbështetjen.
Dhe tani, nëse të ka ngelur diçka pa thënë, urdhëro thuaje
Do të doja të falënderoja të gjithë ata që kanë kontribuar për ngritjen dhe rritjen e grupit.
Faleminderit për intervistën!
Ishte kënaqësi.
Gazeta Paloma