Në Evropë njerëzit ndihen të kërcënuar për shkak të migrimit. Kjo del në pah nga një studim i universitetit të Bielefeldit mbi "mentalitetet antidemokratike".
Ksenofobia, intoleranca dhe paragjykimet kundër minoriteteve janë të përhapura gjerësisht në Evropë. Kjo del në pah në një studim për tetë vende, që fondacioni Friedrich Ebert paraqit të premten (11.3.) në Berlin.
Në Evropë njerëzit ndihen të kërcënuar për shkak të migrimit. Kjo del në pah nga një studim i universitetit të Bielefeldit mbi "mentalitetet antidemokratike". Kështu, gjysma e të gjithë të pyeturve në disa vende është e mendimit se në vendet e tyre ka shumë emigrantë dhe prandaj në periudha krize vendasit duhet të kenë përparësi për vende pune. Myslimanët janë veçanërisht të papreferuar si migrantë.
Profesor Andreas Zick, ekipi i të cilit e bëri studimin i ngarkuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, paragjykimet dhe intolerancën përballë minoriteteve në Evropë nuk i sheh si një fenomen dytësor: "Ne kemi një përhapje të gjerë të armiqësisë ndaj të huajve, antisemitizëm të fortë, i cili është i ri dhe më i kamufluar, sepse lidhet me kritikë ndaj Izraelit. Por ne gjejmë edhe një seksizëm shumë të fortë në shumë vende të Evropës. Evropa ka një problem me paragjykimet e saj përballë minoriteteve."
Paragjykime ndaj fesë islame dhe hebrenjve
Studiuesit pyetën në fund të vitit 2008 me telefon nga 1000 qytetarë në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Hollandë, Itali, Portugali, Poloni dhe Hungari. Ajo që rezultoi ishte se në këto vende janë të përhapura shumë pikëpamjet, në bazë të të cilave feja islame është një fe e intolerancës ose se hebrenjtë përpiqen të nxjerrin përfitim nga fakti se kanë qenë viktima në kohën e nazizmit. Disa pozicionime, për të cilat pyetën studiuesit, pasqyrohen në forma shumë të ndryshme në vende të ndryshme. Kështu, vetëm gjashtë përqind e hollandezëve, por 70 përqind e hungarezëve janë të mendimit se hebrenjtë kanë shumë ndikim.
Gjermania paraqitet "në nivel mesatar", përsa i përket intolerancës ndaj minoriteteve, mendon studiuesi Zick: "Megjithatë, na duhet të themi shumë qartë se armiqësia ndaj fesë islame është e ngulitur shumë thellë. Veçanërisht, kur bëhet fjalë për atë se si përshtatet kultura islame me kulturën gjermane. Këtu Gjermania nuk paraqitet mirë. Dhe veçanërisht jo mirë Gjermania paraqitet në të ashtuquajturin antisemitizëm modern. Kjo do të thotë te paragjykimet ndaj hebrenjve, të cilat ia ngarkojnë pastaj politikës izraelite." Vetëm 17 përqind e gjermanëve mendojnë se kultura islame përshtatet mirë me Gjermaninë. Një mbështetje shumë më të gjerë ka te francezët, britanikët dhe portugezët.
Përbëjnë të huajt ngarkesë apo pasurim?
Në përgjithësi rezulton që në shumicën e vendeve numri i emigrantëve ndihet si i lartë, por kultura e tyre shihet si pasurim. Gati gjysma e britanikëve ndihen për shkak të numrit të madh të emigrantëve si të huaj në vendin e tyre. Mbi 70% në Britaninë e Madhe i japin përgjigje megjithatë pohuese pyetjes, nëse emigrantët e pasurojnë kulturën e vendit.
Pamje qartësisht raciste konfirmon studimi, kur del në pah se një e treta e të pyeturve janë të mendimit se ka një hierarki të natyrshme midis popujve të zinj dhe atyre të bardhë. Ky është një element bazë i pozicionimeve populiste të djathta dhe ekstremiste të djathta, thonë studiuesit. Shumica e evropianëve ka veç kësaj pozicionime seksiste, sipas studimit, sepse kërkon që gratë ta marrin më seriozisht rolin e tyre si bashkëshorte dhe nëna, duke mbështetur ndarjen tradicionale të rolit midis burrit dhe gruas.
(DW)