E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ishte një rikthim i mirëpritur ai i një prej këngëtareve më të dashura dhe më popullore në Shqipëri, Aurela Gaçes. Këngët e saj ndër vite kanë bërë për vete shumë njerëz dhe është vërtet emocionuese të shohësh dëshminë e talentit që nuk mbetet kurrë në hije. Ndonëse prej vitesh ka jetuar jashtë, publiku e ktheu atë në skenë, duke mos e harruar për asnjë çast. Një çmim i parë në “Kënga magjike” dhe tre klipe të suksesshme, që pasohen nga një album ku Aurela shfaqet në disa forma. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Paloma”, këngëtarja vlonjate rrëfen detajet e këtij rikthimi, emocionet e një artisteje që as largësia nuk mund t`ia merrte dashurinë e publikut...
Aurela Gaçe tregon për albumin dhe të rejat nga jeta e saj











Intervistoi: Gentian Minga


Aurela,je kthyer në Amerikë.Si po ia kalon atje,të ka marrë malli që tani për Tiranën,për Shqipërinë?

Po,malli më merr,por tani e kam më të lehtë të vij,të paktën dy herë në vit,siç bëra vjet,shpresoj edhe këtë vit,kështu që mundohem të jem afër.

Publiku këtu e priti mjaft mirë krijimtarinë tënde,pjesëmarrjen te “Kënga magjike”,klipet dhe më në fund albumin tënd.Duket bukur kur vitet kalojnë,por një artist mbetet...

Më lumturon fakti që prurjet e reja që jam munduar të sjell kanë lënë shije të mirë.Pastaj koha atë punë ka,akrepat lëvizin,vitet kalojnë dhe unë do të plakem një ditë,si të gjithë.Por në qoftë se puna që do të bëj ndër vite lë shije te publiku,atëherë ia kam arritur qëllimit.

Pjesëmarrja te “Kënga magjike” të dha mundësinë të njiheshe edhe me shumë artistë të rinj.Çfarë mendon për këta artistë të rinj që po dalin në Shqipëri?Akemi shanse për një të ardhme më të mirë në muzikë?

Ka shumë të talentuar.Shumë nga ata shoh që punojnë shumë mirë me talentin e tyre.Talent + shumë,shumë,shumë punë = sukses!

Me muzikën e lehtë Aurela “të prek në tel”, kurse me populloren mund të themi se “t`i këput fare telat”.Kjo ka të bëjë ndopak me faktin që je vlonjate dhe për pasojë je mbrujtur me këtë lloj muzike?

Shiko,unë mendoj se talenti është i lindur,e ke ose nuk e ke.Në qoftë se mund t`i këndoj të dyja zhanret,është fat për mua.Fakti që kam lindur në Vlorë më ka ndihmuar të ndiej në qelizë këngën polifonike dhe ta këndoj me shpirt.

Në 10-vjetorin e shoqatës “Labëria”,ti ke kënduar muzikë polifonike dhe ishte një orvatje që la shije të mirë.Te ty muzika polifonike në veçanti dhe muzika popullore në përgjithësi,çfarë vendi zënë?

Përderisa e këndoj dhe e kam pjesë të repertorit tim që nga albumet e mia të para,do të thotë se e kam në gjak dhe e adhuroj muzikën e vendit tim.

Sot muzika popullore është tepër e pëlqyer dhe 99 për qind e shqiptarëve u vlon gjaku prej kësaj muzike.Në koncertin që ti ke mbajtur në Uestçester të Nju Jorkut,sheshi u mbush me njerëz që kërcenin.Çfarë të ka bërë kaq të dashur për publikun,i cili nuk mungon në takimet me ty?

Mëqe shumica e popullit është rritur me atë muzikë,normal që atë ka dëshirë të dëgjojë më shumë.Por ajo që më ka bërë të dashur këtu, është se unë respektoj publikun që vjen e më shikon; gjithashtu respektoj edhe parimet e mia dhe jam e vërtetë!Këtë publiku di ta ndajë dhe ta vlerësojë.

Ndërkohë që mbetemi te performancat “live”.S`kemi ç`themi për zërin se atë e ke shumë të bukur,kjo dihet tashmë nga të gjithë.Por ajo që më ka bërë personalisht përshtypje nga performanca jote te “E diela shqiptare” në Tv Klan ishte komunikimi i veçantë me publikun, orkestrën dhe Frederik Ndocin gjatë kohës që këndoje.Kjo mënyrë të kënduari,gjestet dhe lëvizjet,janë të studiuara apo spontane dhe të natyrshme nga ana jote?

Jo, jo,aty s`ka aritmetikë.Lëvizjet e menduara të bëjnë të kthehesh në robot.Në qoftë se shikon daljen time të parë në skenë (me këngën “Pegaso”) jam i njëjti personalitet,e njëjta gjallëri.Tani, duke pasur shumë eksperiencë në të kënduarit “live” më është zhvilluar intuita,të kuptuarit dhe të ndjerit të energjisë së njerëzve që ke përballë.Shkolla e arteve dhe ajo e jetës të kombinuara bashkë besoj se është përgjigjja e saktë.

Si rrallëherë, pyetjet e mia janë shumë të gjata, ndoshta sepse i kam ndjekur klipet dhe daljet e tua në skenë si një ndër artistet e rralla që kemi.Nuk është se po lodhesh me pyetjet se kemi shumë të tjera për të bërë!

(Qesh) Nuk lodhem jo,aq më tepër që shoh se pyetjet e tua janë të bazuara në fakte dhe duket që e njeh ecurinë time.Përfitoj nga rasti të të përgëzoj, pasi më ka ndodhur shumë herë kur gazetari/ja s`e ka idenë fare se çfarë pyetjesh të bën dhe mundohet të jetë “trendy” duke më bërë pyetje që s`kanë lidhje fare me mua.

T`i rikthehemi intervistës për albumin.S`ka pak që ka dalë në treg albumi yt më i ri.Pse mendove se ishte momenti i përshtatshëm për të hedhur në treg një album muzikor?

Të them të vërtetën,nuk e kisha menduar ta nxirrja tani albumin, pasi doja të punoja akoma.Por duke qenë se “Supersonic TV” mori përsipër të financonte videoklipet e reja (dhe i falënderoj shumë),e pamë të udhës që këngët e reja të mbanin firmën e Aurelës dhe jo t`i nxirrja si “single”.Besoj se është më mirë kështu,në një album ke Aurelën në shumë dimensione,që nga polifonia te jazz-soul.

Albumi shoqërohet nga klipi “M`u thanë sytë”, i cili është pëlqyer shumë në Shqipëri. Me kë ke punuar për realizimin e klipit?

“M`u thanë sytë” është një këngë që unë e kam dëgjuar vite më parë dhe të them të vërtetën më parë nuk kam ditur të merrja leje të përdorja këngën dhe frymëzimin e dikujt tjetër.Kështu që, bashkëpunimi nisi me autorin e këngës Feti Brahimin,më pas me Edi Balilin,që u mundua të sillte diçka të re pa e prishur shtratin dhe shijen e këngës.Duke futur këtu edhe mjeshtrat e polifonisë dhe fyellit,Vendim Kapajn dhe Vendim Zykajn.Pastaj,të krijosh një punë të bukur duhet bashkëpunimi financiar që erdhi nga “Supersonic”,me regjisor Aleksandrin.I falënderoj të gjithë,pasi vetëm nuk mundesh të kesh fryte.

Ndërkohë,ky ka qenë një moment i mirë për ty sepse përpara “M`u thanë sytë” është publikuar klipi “Jehonë”.Si lindi ideja për të bashkëpunuar me çunat e “West side family”?

Me djemtë e “West side family” unë kam dashur të bashkëpunoj që kur i kam parë për herë të parë te “Kënga magjike” (në vitin 2001, ndoshta).U largova dhe erdha prapë dhe dëshira m`u plotësua (qesh). Ideja ishte aty,kënga mungonte.Çunat merrnin pjesë te festivali i madh i këngës,më ofruan bashkëpunimin,kënga ishte hip-hop e me një refren shumë melodioz,këngë e ndërtuar nga Dr.Flori si tekst dhe Ardit Gjebrea bëri muzikën.S`kishte si të mos pranoja,apo jo?

Dua të të uroj, sepse pavarësisht se muzika e tyre nga e jotja ndryshojnë,kombinimi është shumë i arrirë.Ishte e vështirë të përshtateshit?

Përshtatja?Absolutisht jo,sepse unë hip-hop dëgjoj shumë dhe e shijoj.

Vazhdojmë me klipet.Duhet një “bravo” e madhe për ty në këtë drejtim,sepse ke realizuar tre klipe shumë të bukur në momentin e duhur.“Bosh”, pavarësisht nga titulli,duket se të ka bërë të ndihesh plot, duke qenë se ishte i pari klip në këtë “rikthim”,apo jo?

Ah...ke shumë të drejtë,më ka bërë të ndihem plot.Kënga e krijuar enkas për mua nga Ardit Gjebrea dhe Timo Flloko dhe me orkestrim të Shpëtim Saraçit ka qenë një nga krijimet që mezi kam pritur ta realizoj,për vetë historinë që tregon.

Meqë po flasim për klipet,ke ndonjë kujtim të bukur gjatë realizimeve të tyre,ndonjë situatë humori apo të sikletshme apo qoftë edhe të vështirë?

Situata humori dhe shumë të sikletshme,kam nga të dyja palët.Po xhiroja “M`u thanë sytë” dhe deri ato ditë koha ishte e këndshme; pikërisht ditët që unë xhiroja u bë një i ftohtë i hidhur dhe Aleksandri donte që unë të xhiroja jashtë dhe në mes të ujit për më tepër.Aq e hollë ishte veshja ime,sa era më hynte direkt në trup. Bëja disa dubla,deri sa më ngrinte komplet buza dhe me vrap shkoja te kamioni i dritave,ku ngrohesha pak me një projektor dhe pastaj prapë në ujë.M`u kujtua Lilo labja, si i tha ai te filmi “Malet me blerim mbuluar”, në mos gaboj:“Në më do,nuk do deç (vdesësh)”(qesh).Edhe unë,më keq se Lilo labja.

Si ndihet Aurela gjatë realizimit të klipeve?Një këngëtar gjatë klipeve është edhe paksa aktor.Ty kjo gjë të pëlqen dhe e bën pa problem,apo e ke bezdi impostimin dhe pjesën e aktrimit në klip?

Absolutisht,as më të voglin problem!Madje më jep mundësinë që të shpreh dhe të nxjerr më në dukje anë të tjera që ndoshta në një performancë “live” s`i bën dot.Pastaj,edhe shkollën kot s`e kemi bërë (qesh).Se i bie të themi, merre diplomën e pija lëngun,në qoftë se s`të hyn në punë!

Sapo keni dhënë një koncert së bashku me Pirro Çakon në Amerikë, jehona e të cilit ka arritur deri në Shqipëri...

Po,sapo kam dhënë një koncert së bashku me Pirron dhe gjithashtu të premten pata një shoë timin në Manhatan,një ambient më intim se koncertet e mëdha,ku unë këndoj për tri orë një repertor shumë të zgjedhur,shqip dhe anglisht.

Cili është projekti artistik i radhës, apo e ke surprizë?

Do të jem aty në verë,kam një projekt që shpresoj ta realizoj përpara se të largohem përsëri.Por, t`ia lëmë kohës...


Aurela jashtë skenës


E frekuenton jetën e natës dhe nëse po, do të zgjidhje një klub me muzikë “live” apo një diskotekë?

Eh,faleminderit që këtu,në këtë vend,kam mundësinë të zgjedh më shumë se thjesht dy mënyra argëtimi!Varet se si ndihem shpirtërisht.Kur kam nevojë të mësoj diçka dhe të qetësohem, shoh spektakle të ndryshëm; kur kam nevojë për zhurmë,shkoj atje ku bëhet zhurma.

Motra jote në Amerikë është njëkohësisht shoqja jote më e afërt. Për sa i përket karrierës tënde, ajo është më tepër kritike për punët e tua apo të mbështet?

Kritika është mbështetja më e mirë dhe motra më mbështet me kritikë, me mendime të reja (pasi është vetëm 23 vjeçe),më shtyn të jem më e vërtetë në krijimtari (jo keq, hë?).

Kur dilni bashkë për pazar,kush është më dorëshpuara dhe që harxhon më shumë para nëpër butikë?

Oh,ç`pyetje që më ke bërë tani!Hajde kush tregohet e sinqertë tani (qesh).Kjo është një sëmundje e imja,që mundohem me mish e me shpirt t`i bëj ballë tundimit që më përshkon trurin kur shikoj këpucët apo rrobat që më pëlqejnë.

Kur del në Amerikë dhe rastësisht në rrugë kalojnë shqiptarë, si ndihesh kur të ndalojnë dhe të komplimentojnë?Duhet të jetë një emocion i veçantë që në një “botë” aq të madhe si Amerika,dy shqiptarë të ndeshen me njëri-tjetrin.

Është bukur në fakt,pasi nuk ndodh shpesh të takosh shqiptarë në rrugë.

Më ka bërë shumë përshtypje një intervista juaj dhënë në televizionin “Klan” për emisionin “Blue”.Të them të drejtën,si gazetar dhe si publik i thjeshtë,shijues i punës suaj,ishte kënaqësi që njoha aq nga afër Aurelën.

Bledi ma dha këtë mundësi,që të jem e qetë dhe jo në mbrojtje ose në sulm me përgjigjet e mia.Ka shumë të bëjë se si të drejtohet gazetari dhe nëse është dashamirës me mua,atëherë unë ndihem shumë më e gatshme të flas për jetën time.

Kur të qëllojnë ditë pushimi, si, ku dhe me kë i kalon Aurela?

Po varet,mund të jem vetëm,me motrën ose me shoqëri.

Marrëdhënia jote me internetin.Je një përdoruese e rregullt e tij?

Jo,nuk i kam marrëdhëniet shumë të mira me internetin,megjithëse mundohem të marr informacione kur më duhen.Për çdo gjë,që nga mënyra e të ushqyerit,mirëmbajtja e lëkurës,biografi artistësh,informacione të ndryshme.Por nuk di ta përdor mirë,ndaj gjithmonë i kërkoj ndihmë motrës kur dua të bëj diçka më të ndërlikuar se kaq.

Publikuar: 03.05.2009 | 07:06
Lexuar: 5047 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
dafina (25/06/2010 23:29:03) je e mir ne thojzaaaaaaaaaaaa
fdf (25/09/2010 10:57:56) OOO saa e mir asht kja

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime