E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në kuadër të takimeve të rregullta dhe intensifikimit të përgatitjeve, të hënën është takuar Komiteti Drejtues i Fondit të Mirëbesimit shumë-donatorësh për Regjistrimin e Popullsisë.
Kosova gati pėr regjistrim





Besiana Xharra

Institucionet e Kosovës i kanë bërë edhe përgatitjet përfundimtare për të filluar procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, por akoma mbetet e paqartë nëse këtij procesi do t’i përgjigjen edhe serbët e Kosovës. Këta të fundit mbeten të ndarë rreth pjesëmarrjes në regjistrim, i cili pas 30 vjetësh zyrtarisht do të mbahet në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të takimeve të rregullta dhe intensifikimit të përgatitjeve, të hënën është takuar Komiteti Drejtues i Fondit të Mirëbesimit shumë-donatorësh për Regjistrimin e Popullsisë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka theksuar rëndësinë e Regjistrimit 2011 dhe ka shprehur interesimin për një realizim të suksesshëm të këtij projekti, duke pasur parasysh dhe përkushtimin dhe punën që është bërë nga gjithë faktorët relevantë të përfshirë në përgatitjen e tij.

Përfaqësuesit e Entit të Statistikave të Kosovës, ndërkaq kanë siguruar se të gjitha përgatitjet janë bërë dhe se Kosova është gati për këtë proces, i cili përfundimisht fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill.

Kryetari i Komisionit shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, tha se aktualisht problemi i vetëm mund të konsiderohet pjesëmarrja e serbëve.

“Nuk kemi vërejtje të mëdha, përveç disa vështirësive të infrastrukturës, e cila është komplekse pasi që kemi regjistrim në të gjithë Kosovën. Pastaj kemi edhe ndonjë pakënaqësi të ndonjë minoritari të cilët po kërkojnë më shumë pjesëmarrje të tyre nëpër komisione”, tha Blaku, duke shtuar se çështje e pjesëmarrjeve nëpër komisione është e rregulluar me ligj dhe, sipas ligjit, edhe është vepruar.

Ndryshe, sipas tij, në përgjithësi çdo gjë po ecën mirë, sipas planit programor dhe se regjistrimi do të nisë siç është thënë më 1 prill deri më 15.

Apeli i të ashtuquajturit ministrit për Kosovë në Qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq për mospjesëmarrje në regjistrim, ka zgjuar reagime të ndryshme të serbëve kosovarë, ku disa e kanë kundërshtuar e disa përkrahur.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq e ka kundërshtuar këtë thirrje.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” ai tha se serbët e Kosovës duhet kuptuar se regjistrimi është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Unë shpresoj se serbët do të marrin pjesë në regjistrim, sepse kjo është e rëndësishme për ta dhe këtë ata duhet ta dinë”, tha Petroviq. Kundër Bogdanoviqit, ndërkaq është deklaruar edhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq.

“Ne punojmë në kuadër të sistemit të Republikës së Kosovës dhe se nuk është e qartë se çfarë përfitojnë serbët në rast se nuk i përgjigjen thirrjes për regjistrimin e popullsisë”, është cituar të ketë thënë Stojanoviq për disa media kosovare.

Për bojkotimin e regjistrimit, ndërkaq është deklaruar edhe deputetja serbe në Parlamentin e Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila konsideron se “Kosova nuk ka drejtë të bëj kësi organizime, pasi që ende nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht”.

Në anën tjetër Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, është i bindur se serbët e Kosovës nuk do marrin pjesë në regjistrim.

“100 për qind jam i sigurt që serbët e veriut nuk do marrin pjesë. Kurse për pjesën jugore edhe atje besoj se nuk do të regjistrohen, duke përjashtuar ndonjë rast”, tha Ivanoviq për “Zërin”. Ai e shpjegon se arsyeja kryesore që të mos marrin pjesë është se më shumë se gjysma e serbëve nuk jetojnë në Kosovë dhe nëse regjistrohen vetëm serbët që jetojnë momentalisht në Kosovë do të thotë “spastrim etnik i serbëve”.

Edhe malazeztë të përçarë

Edhe përfaqësuesit e komunitetit malazez që jeton në Kosovë janë të ndarë për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë.

Një koalicioni deri tash inekzistent, i cili thotë se përfaqëson disa organizata joqeveritare malazeze të Kosovës, ka bërë thirrje kundër regjistrimit.

Mirëpo është kundërshtuar nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës, e cila nëpërmjet një kumtese kundërshton thirrjet për bojkot.

“Thirrja që kolektivisht të bojkotohet regjistrimi i popullsisë në Kosovë është vetëm edhe një kombinatorikë e ndytë e radhës”, konsideron kjo shoqatë.

Publikuar: 22.03.2011 | 10:46
Lexuar: 312 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime