"Sot pata një takim me mikun tim Shpëtim Idrizi, me të cilin biseduam rreth nevojës së zhvillimit të një tregu të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në të ardhmen, zgjerimin e këtij tregu edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës", tha Presidenti Pacolli, duke vlerësuar punën e zhvilluar deri më tani nga PDIU.
Presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli, sot gjatë takimit me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në Hotel "Sheraton", në kuadër të vizitës zyrtare të tij në Tiranë, theksoi se njësimi i tregut, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe mes shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë është një nevojë e ditëve të sotme, bëri të ditur zyra e shtypit e PDIU.
"Sot pata një takim me mikun tim Shpëtim Idrizi, me të cilin biseduam rreth nevojës së zhvillimit të një tregu të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në të ardhmen, zgjerimin e këtij tregu edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës", tha Presidenti Pacolli, duke vlerësuar punën e zhvilluar deri më tani nga PDIU.
Idrizi përshëndeti fjalimin e Presidentit të Kosovës dje në Kuvend, që ishte në përputhje të plotë me Komunuellthin Ekonomik Mbarëshqiptar, të propozuar nga PDIU.
"Ne mendojmë se krijimi i një tregu të përbashkët, është një përqasje realiste e çështjes tonë kombëtare" - tha z. Idrizi, duke shtuar se "ne përshëndesim thirrjen e Presidentit Pacolli drejtuar dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për krijimin e kushteve të nevojshme ligjore që të hiqen të gjitha barrierat ekonomike mes dy vendeve".
Idrizi shtoi se çështja kombëtare është një çështje që përqas të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike dhe u zotua se do të përkrahë dhe do të iniciojë nismat e nevojshme që do të mundësojnë realizimin e Komunuellthit Ekonomik Shqiptar.
Idrizi e njohu bashkëbiseduesin me arritjet e PDIU-së në çështjet kombëtare, mbi çështjen çame, si një problem që duhet zgjidhur dhe mbi nevojën e një politike kombëtare për diasporën.