Zhvillimet në sferën e arsimit të lartë në Maqedoni dhe Turqi kanë qenë temë e tryezës së rrumbullakët të përfaqësuesve të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe Universitetit Gazi të Turqisë.
Zhvillimet në sferën e arsimit të lartë në Maqedoni dhe Turqi kanë qenë temë e tryezës së rrumbullakët të përfaqësuesve të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe Universitetit Gazi të Turqisë. Në këtë shkëmbim përvojash të zhvilluar të hënën e kaluar mysafirët nga Turqia kanë shprehur interesimin e tyre mbi përvojat nga zbatimi i Procesit të Bolonjës në UEJL.
Siç informojnë nga UEJL, rektori i këtij universitetit, Alajdin Abazi është shprehur se bashkëpunimi me universitetin turk do të përfshijë më shumë sfera, ndërsa në fokus do të jetë mjekësia. Ndërsa rektori i Universitetit Gazi, Mehmet Ibrahimgyl është shprehur pro shkëmbimit të përvojave mes profesorëve turq me stafin e UEJLsë. "Njëri ndër qëllimet më kryesore të kësaj vizite është që stafi ynë të vijë këtu dhe të takohen me stafin e UEJLsë, për të parë mundësitë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta", theksoi Mehmet Ibrahimgyl.
"Dëshiroj të them se kemi ambicie më të mëdha bashkëpunimi në projekte të ndryshme. Edhe pala turke ka shprehur interesim për një gjë të tillë dhe shpresoj se në të ardhmen e afërt do të fillojmë me projekte që do të financohen qoftë nga burime financiare nga Turqia, qoftë nga burime evropiane", është shprehur rektori Alajdin Abazi.
/Monitor/