Sllupçani shënoi edhe një përvjetor të shpalljes së Karadakut zonë të lirë. Më 2 maj të vitit 2001 njësitet e UÇK-së shpallën zonë të lirë këtë rajon, me çka filluan luftimet gjashtëmujore me pjestarët e njësive të armatosura maqedonase.
Sllupçani shënoi edhe një përvjetor të shpalljes së Karadakut zonë të lirë. Më 2 maj të vitit 2001 njësitet e UÇK-së shpallën zonë të lirë këtë rajon, me çka filluan luftimet gjashtëmujore me pjestarët e njësive të armatosura maqedonase.
Në këtë tubim përkujtimor i cili tradicionalisht mbahet afër varrezave të dëshmorëve të pranishëm ishin mbi 10 mijë shqiptarë nga Shkupi, Kumanova, Tetova, Struga, por kishte edhe nga Kosova dhe Shqipëria. Në manifestim morën pjesë familjet e dëshmorëve, si dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili u zotua se do të angazhohet për të përmbushur ëndrrën e dëshmorëve të konfliktit të armatosur të 2001.
Amaneti i tyre ka qenë, ëndrra e tyre ka qenë që shqiptarët të jetojnë të lirë, të jetojnë të barabartë dhe pa u ndarë, sepse kufijtë i kanë vendosur në të kaluarën fuqitë e mëdha, por sot ama historia po punon për shqiptarët sepse sot pas atyre kërkesave po qëndrojnë SHBA-të, NATO, po qëndron Bashkimi Europian. Ëndërr të cilën ne do ta realizojmë sepse realizojmë edhe amanetin e këtyre dëshmorëve që këto hapësira i lanë me gjak, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Pas Drenicës, Sllupçani mbahet mend në historinë tonë si vendi që rezistoi dhe që luftoi gjithë armiqtë e të gjitha kohëve. Vendi juaj mori emrin në historinë tonë si vendi që nuk e la vetë vendin por që e mbajti fjalën, nuk i lëshojmë trojet pa këndua çyçja kullë më kullë, tha kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës, Fazli Veliu.
Manifestimin përshëndeti edhe bashkëshortja e komandant Telit si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së veteranëve të luftës nga Ferizaji, Gafur Bytiçi.
"Ju përshëndes dhe ju uroj që ta mbajmë këtë ditë të gjallë dhe mos ta shkyçim amanetin e dëshmorëve, gjakun e dëshmorëve, u shpreh bashkëshortja e Komandant Telit, Rabije Bicaj.
Me dhjetra, qindra e mijra dëshmorë dhe dhjetra, qindra e mijra invalid dhe mijëra veteran të luftës na krijuan kushte që sot të kemi përjetime të veçanta, përjetime të krenarisë kombëtare, tha kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Kosovë, Gafur Bytiçi.
Edhe përkundër mesazhit që 2 maji duhet të bashkojë shqiptarët, kjo gjë edhe kësaj radhe nuk u dëshmua nga subjektet politike, pasi në manifestim nuk morën pjesë përfaqësues të PDSH-së. Në këtë përvjetor ndonëse I paralajmëruar nuk mori pjesë as Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Pas manifestimit të pranishmit bënë homazh në varrezat e dëshmorëve.