Me thirrjet "UÇK - Limaj" dhe parullat "Liri për çlirimtarët", "Lufta jonë është e shenjt", "Çlirimtarët meritojnë respekt e jo padrejtësi", "Stop rolit ekzekutiv të EULEX-it", "Lufta e UÇK-së të mbrohet ne ligj", qytetarët kanë protestuar në Prishtinë dhe komunat e tjera të Kosovës.
Mijëra qytetarë i janë bashkuar thirrjes së organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe kanë protestuar të mërkurën kundër arrestimeve të fundit të luftëtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it. Protestuesit i kërkuan Kuvendit të Republikës miratimin e ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe Qeverisë që të heq kompetencat ekzekutive të EULEX-it, duke e vënë atë vetëm në pozitën e një misioni këshillëdhënës.
Me thirrjet "UÇK - Limaj" dhe parullat "Liri për çlirimtarët", "Lufta jonë është e shenjt", "Çlirimtarët meritojnë respekt e jo padrejtësi", "Stop rolit ekzekutiv të EULEX-it", "Lufta e UÇK-së të mbrohet ne ligj", qytetarët kanë protestuar në Prishtinë dhe komunat e tjera të Kosovës.
Në emër të protestuesve në Prishtinë ka folur Sabit Krasniqi, i cili ka drejtuar kritika në adresë të institucioneve të vendit dhe ka kërkuar nga ato që të thyejnë heshtjen disa vjeçare karshi misionit ndërkombëtar. Ai tha se është e nevojshme dhe e domosdoshme miratimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Përveç kritikave dhe kërkesës për Kuvendin, protestuesit kërkesën më thelbësore e kanë drejtuar në adresë të Qeverisë së Kosovës, prej së cilës është kërkuar që të heq kompetencat ekzekutive të EULEX-it, duke e vënë atë vetëm në pozitën e një misioni këshillëdhënës.
"Duke e konsideruar EULEX-in si të panevojshëm ne kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të tij dhe pasi po pretendohet se si shtet i ri duhet të kemi mision ndërkombëtar në Kosovë, atëherë të mbetet si mision këshillëdhënës. Heqja e kompetencave ekzekutive të EULEX-it, duhet të iniciohet nga institucionet që e kanë ftuar dhe duhet të bëhet sa më shpejtë, sepse ky mision nuk i kryen detyrat e tij. Tash e tri vite nuk i vendosi Doganat në veri të Kosovës, nuk bëri asgjë për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe grupeve kriminale serbe, me një fjalë u tregua mision i pasuksesshëm dhe i dështuar", ka thënë Krasniqi.
Duke kërkuar lirimin e gjithë luftëtarëve të lirisë nga burgjet, Krasniqi ka ritheksuar se lufta e UÇK-së ishte luftë kundër një okupimi 86 vjeçar të një armiku të egër dhe kundër një shteti gjenocidal.
Ai ka dënuar veprimet e fundit të EULEX-it, duke thënë se arrestimi i sh- luftëtarëve të UÇK-së dëshmon edhe një herë se ky mision po e pengon vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Gjatë ditës protesta kundër arrestimeve të fundit të EULEX-it janë mbajtur në 26 komuna të Kosovës, kurse shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar protestë gjithëpopullore edhe për 29 mars.