E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Anketa e organizuar për qëllim të hulumtimit të mendimit të publikut për përdorimin e Teknologjive të Informimit dhe tregtisë elektronike, ishte organizuar me ndihmën e studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke përfshirë të anketuar nga e gjithë Maqedonia, dhe e zhvilluar prej muajit Janar deri në muajin Dhjetor të vitit 2008.
Perceptimet e opinionit në Maqedoni për tregtinë elektronike dhe instrumentet elektronike të pagesave

















Mr.sc. Besim Abdullai

Kërkimet shkencore mbi opinionin e publikut janë pjesë e aktiviteteve të shkencave sociale, dhe përdoren në shumë disiplina akademike, duke përfshirë edhe komunikimin. Kërkimet bazuar në opinionin e publikut kanë për qëllim kuantifikimin dhe përshkrimin e preferencave të një numri shumë të gjerë njerëzish. Edhe pse ekzistojnë kontroverse të shumta rreth rezultateve të anketave, dhe zhvillohen diskusione rreth validitetit të konkluzioneve nga to, megjithatë përgjigjet e fituara nga anketat kanë domethënie substanciale sidomos nëse organizohen nga institucione relevante.

Disa autorë si psh. Daniel Yankelovich në librin “Comming to Public Judgement”, thekson mungesën e kualitetit të zhvillimit të anketave. Ai potencon se nuk ekziston një përafrim apo metodë për vlerësimin e kualitetit të anketave.
Edhe pse Yankelovich ka realizuar shumë hulumtime së bashku me shkencëtar tjerë të kësaj lëmie, megjithatë ende nuk ka një konkludim të praktikave më të mira për sa i përket organizimit të një ankete.

Përforcimi i rezultateve të anketave bëhet nëpërmjet hulumtimit të mendimeve të grupeve të fokusit, analizës së përmbajtjes, dhe eksperimenteve të kontrolluara laboratorike.
Anketa e organizuar për qëllim të hulumtimit të mendimit të publikut për përdorimin e Teknologjive të Informimit dhe tregtisë elektronike, ishte organizuar me ndihmën e studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke përfshirë të anketuar nga e gjithë Maqedonia, dhe e zhvilluar prej muajit Janar deri në muajin Dhjetor të vitit 2008.

Struktura e të anketuarve ishte përafërsisht e njëjtë me strukturën e popullsisë së Maqedonisë, duke përjashtuar popullsinë shumë të moshuar të cilët i kemi konsideruar të padobishëm për anketën tonë.

Anketa për perceptimin e publikut kishte për qëllim grumbullimin e informatave të përgjithshme mbi përdorimin e Internetit si medium kryesor i cili mundëson tregtinë elektronike dhe aktivitetet e biznesit elektronik, studimin e infrastrukturës së makinave dhe rrjeteve tjerë që mundësojnë transaksionet e tregtisë elektronike, studimin e sjelljes së qytetarëve dhe testimin e njohurive të tyre për teknologjitë e informimit dhe të komunikimit (TIK), studimin e instrumenteve elektronike për pagesa (IEP) të përdorura si dhe besimin e qytetarëve ndaj TIK.

Ndërlidhja e punësimit, vendit të punës dhe përdorimit të instrumenteve elektronike për pagesa

Nga të dhënat e anketës nxorëm rezultate dhe konkluzione shumë interesante. Arsyeja se pse të intervistuarit ishin pyetur për statusin e punësimit, dhe llojin e punëdhënësit, ka qenë vërtetimi i paramendimit se të punësuarit në sektorin publik, përdorin më shumë instrumentet elektronike për pagesa sesa të punësuarit në sektorin privat.
Zakonisht punëtorët në sektorin publik, pajisen me automatizëm me kartela Debitore dhe Kreditore në momentin e punësimit, përderisa punëtorët në sektorin privat edhe pse marrin të ardhurat nëpërmjet kontove bankare megjithatë ato nuk detyrohen të kenë kartela elektronike.
Që nga viti 2009, në Maqedoni numri i qytetarëve të punësuar është shumë i vogël, shumë punëtorë të sektorit privat pranonin të ardhurat në kesh, duke mundësuar keqpërdorime dhe kështu duke kontribuar në ekonominë informale, por, pas disa ndryshimeve në legjislativ kjo gjë u ndryshua. Edhe përkundër kësaj, papunësia në Maqedoni është shumë e madhe, gjë që ndikon në zvogëlimin e ritmit të zgjerimit të instrumenteve elektronike të pagesave në mesin e popullatës.

Paramendimi jonë i mëparshëm, u aprovua nga rezultatet e anketës, ku 61% e të anketuarve ishin të punësuar, ndërsa 39% nuk ishin të punësuar, numra këto të cilat paraqesin realitetin e ekonomisë së Maqedonisë për sa i përket punësimit të popullatës. Nga të anketuarit, 38% ishin të punësuar në sektorin publik, dhe 62% në sektorin privat.

Nga të anketuarit e punësuar në sektorin publik, 96% kanë konto në bankë, prej të cilëve gati të gjithë kanë kartela elektronike. Ndërsa nga të anketuarit e punësuar në sektorin privat, 86% kanë konto në bankë, ndërsa 14% jo, përderisa 85% e tyre kanë kartela elektronike.

Nga ku shohim se nga të punësuarit në sektorin privat vetëm disa persona, gjegjësisht 1%, nuk kanë kartela elektronike edhe pse posedojnë konto në bankë, pra, kjo kategori e personave realizon transaksionet financiare nëpërmjet sportelit. Ky konkluzion përkrahë një fenomen që nuk haset në vendet e zhvilluara, por që haset shpesh në vendet në tranzicion.

Nga të anketuarit e papunësuar (që ishin 39%), 55% e tyre kanë deklaruar se kanë një konto bankare, që paraqet një përqindje mjaft solide, edhe pse një përqindje e madhe apo 45% e tyre nuk kanë konto bankare. Gati të gjithë të papunësuarit që posedojnë një konto në bankë, kanë edhe kartela elektronike.

Më shumë detaje jepen në Tabelën e mëposhtme, nga ku shihet se 404 persona apo 76% kanë konto bankare, ndërsa 128 persona apo 24% nuk kanë.


Ndërlidhja punëdhënës, kartelë elektronike dhe konto bankare



Tabela 1 Ndërlidhja punëdhënës, kartelë elektronike dhe konto bankare



Nga të anketuarit me konto bankare, 7 apo 1.3% nuk kanë kartela elektronike, përderisa nga po i njëjti grup i të anketuarve 125 ose 31.5% kanë më tepër se një kartelë elektronike.
Struktura e llojit të kartelave të shpërndara në mesin e të anketuarve është si në vijim: Maestro Debit card: 146 (27.6%), Visa Electron: 92 (17.4%), Master Card: 144 (27.2%), Visa Classic: 129 (24.4%), Dinners Club: 4 (0.8%), tjera: 7 (1.3%).
Të dhënat e nxjerra nga anketa janë identike me të dhënat që jep Banka Qendrore. Numri i përgjithshëm i kontove krahasuar me numrin e popullsisë, është 1.4 konto për kokë banori, gjë që është e reflektuar edhe te të dhënat e anketës, nga ku gati të gjithë të anketuarit e punësuar (rreth 90%) deklaruan se kanë një konto në bankë, gjë që e deklaruan edhe 55% e të anketuarve të papunësuar.

Infrastruktura përkrahëse e tregtisë elektronike dhe pagesave elektronike

Përpara se të pyesim të anketuarit se si përdorin ata kartelat elektronike dhe se si ata paguajnë faturat dhe blejnë produkte, duhet të shohim funksionalitetin e infrastrukturës që ju mundëson atyre përdorimin e rehatshëm të IEP. Nga shkrimi i mëparshëm mbi sistemin elektronik të pagesave, mund të mësojmë se kah fundi i vitit 2007 dhe fillimi i vitit 2008, numri i firmave që pranojnë kartelat elektronike si mjete pagesash kishte shënuar rritjen më të madhe në vitet e fundit. Shkalla e rritjes në Janar të vitit 2008, arriti 19.9% apo 17079 firma, krahasuar me muajin paraardhës gjegjësisht Dhjetorin e vitit 2007 (14243 firma), përderisa numri i firmave që pranojnë IEP në Dhjetor 2008, ishte 22152, me një shkallë rritjeje prej 2.4% krahasuar me Janarin e vitit 2008. Së këndejmi, mund të përfundojmë se numri i firmave që pranojnë IEP dhe përkrahin e-pagesat është relativisht i ulët.
Edhe pse infrastruktura në këtë pikë nuk është mbresëlënëse, përdorimi i Internetit në mesin e popullatës në Maqedoni është shumë i lartë. Nga gjithsej 532 të anketuar, 506 apo 95% kanë qasje në Internet, dhe 26% apo 5% nuk kanë qasje në këtë medium komunikues. Struktura është paraqitur në tabelën e mëposhtme:


Qasja në Internet sipas lokacionit


Tabela 2 Qasja në Internet sipas lokacionit[/b]



Nga numri i tërësishëm i të anketuarve (532), 195 persona kanë qasje në Internet nga më tepër se një lokacion, psh., shtëpi dhe shkollë, punë dhe shkollë, shkollë dhe Internet kafe apo vende tjera publike, e çka paraqet 37% e të anketuarve me qasje në Internet.
Provajderët më të përhapur në mesin e të anketuarve janë si në vijim: ADSL Telekomi i Maqedonisë, 290 (53.9%), Onnet, 201 (37.4%), Cable Tel, 24 (4.5%), Sonnet, 7(1.3%), Hydranet, 3(0.6%), provajderë të tjerë, 13 (2.4%). Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 32 ose 6% përdorin shërbimet e më tepër se një Internet provajderi.
Në pyetjen, A mendoni se qasja në Internet është e shtrenjtë?, 342 apo 64%, deklaruan qasja në Internet nuk është e shtrenjtë, përderisa 190 ose 36%, mendojnë se qasja në Internet është e shtrenjtë.
Duke u nisur nga fakti se përdorimi i Internetit në Maqedoni është në nivel të kënaqshëm, ne duhet fokusuar dhe gjurmuar për arsye tjera pse tregtia elektronike po stagnon.


Faktorët kritik për sukses të tregtisë elektronike dhe disa biznese elektronike te ne


Një ndër shumë faktorët kritik për sukses të tregtisë elektronike është plotësimi i nevojave të konsumatorëve, të gjenden preferencat e tyre ashtu që prodhuesi ose ofruesi i shërbimeve të bën ata të kënaqur. Përveç çmimit të volitshëm, konsumatorët duan komfor, shërbim të mirë, dhe kualitet. Ata shpesh duan të kënaqen me eksperiencën e të blerit online. Kjo mund të arrihet, nëse shitësit online organizojnë kërkime tregu. Por, sa nga kjo është e realizuar nga bizneset online të organizuara në Maqedoni, rëndë është të konfirmohet. Firmat që operojnë në Maqedoni dhe ju ofrojnë produkte dhe shërbime konsumatorëve të vet janë shumë pak në numër, dhe jo mirë të zhvilluara. Disa nga bizneset online të organizuara në Maqedoni janë: flowershop.com.mk, që është një e-shitore moderne për shitjen e luleve dhe dhuratave përcjellëse, me një nivel të ulët të personalizimit por me një sistem pagesash shumë të sigurtë, amc.com.mk, një shitore lokale për komponentë kompjuterike dhe konfiguracione të ndryshme, me një interfejsi shumë të varfër dhe me një kohë reagimi shumë të gjatë (psh. shfletimi i katalogjeve shumë i ngadalshëm), gomacedonia.org, që është një portal i cili ofron një sistem për rezervimin e udhëtimeve dhe vizitave të ndryshme turistike në Maqedoni, shumë mirë i organizuar, me një nivel të ulët të personalizimit, etj.
Numri i përgjithshëm i bizneseve që shesin produkte dhe shërbime online nuk tejkalon numrin 100, por, përdorimi i Internetit në marketing, informim dhe komunikimet e llojit B2B janë në një formë të mirë.


e-bay


Sa, qytetarët e Maqedonisë blejnë produkte online?

Në pyetjen, A keni blerë ndonjëherë diçka me kartelën tuaj?, 252 ose 47.6% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, përderisa 277 ose 52.4% janë shprehur negativisht. Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve që kishin kartela elektronike, 141 ose 26.7% kanë blerë diçka në Internet, ndërsa 391 persona ose 73.3% asnjëherë nuk kanë blerë diçka në Internet. Menjëherë, kjo vë në dukje faktin se njerëzit në Maqedoni shumë dobët përdorin Internetin si një vend-tregtim, edhe pse shpesh ata e përdorin atë për qëllim informimi. Këto rezultate megjithatë nuk janë shumë befasuese, sidomos duke përmendur faktin se shumë rëndë gjendet një biznes serioz nën domenin .mk, ngjashëm me bizneset serioze Amazon.com, eBay.com, Dell.com, Alibris.com, etj., për më tepër, shumë mundësi ndërkombëtare të tregtisë elektronike nuk janë të qasshme për qytetarët e Maqedonisë, ndikuar nga fakti se Maqedonia nuk gjendet e radhitur në listën e vendeve të këtyre portaleve apo bizneseve elektronike, psh., një qytetar i Maqedonisë nuk mund të hapë zyrtarisht një konto në PayPal.com.

Siguria gjatë blerjes online dhe ndikimi i sigurisë në sjelljen konsumatore

Një çështje tjetër e cila duhet diskutuar bazuar në literaturën e tregtisë elektronike, është çështja e sigurisë. Siguria e shitoreve elektronike, siguria e të dhënave dhe e informacioneve të transmetuara online, janë çështje të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në përdorimin e kartelave elektronike në proceset biznesore online.
Në fillim ekzistonte një adoptim i ulët i kartelave kreditore në pagesat elektronike edhe pse kishte kode të përdorura për sigurinë e tyre. Por, me shtimin e zbulimeve dhe procedurave të sigurisë për mbrojtjen e transaksioneve online, kjo u ndryshua. Një diferencë e madhe ndërmjet pagesave online dhe offline, është fakti se në pagesat online nuk jepet kopje fizike e kartelave dhe shitësi nuk merr një konfirmim të nënshkruar të konsumatorit. Gjithashtu, përderisa të gjitha transaksionet offline janë të autorizuara, kjo nuk është rasti me të gjitha blerjet (sidomos me bizneset e vogla), edhe pse, teknologjitë e autentifikimit dhe verifikimit kanë ngritur mundësinë e autorizimit efikas të transaksioneve. Që të parandalojnë ndërprerjen e informatave gjatë transmetimit të të dhënave për kartelat kreditore, përdoret shërbimi SSL (angl. Secure socket layer), i cili përdoret në masë të madhe në një sërë aplikacionesh të sigurisë. SSL mundëson verifikimin e shitësit dhe identitetin e tij nëpërmjet një certifikate në SSL serverin. Të gjitha teknologjitë e sipërpërmendura që përdoren për sigurimin e transaksioneve në Internet, implementohet nga shumica e e-bizneseve në Maqedoni, duke ju ofruar klientëve të vetë transaksione të sigurta online.

Besimi është një status psikologjik i mvarshmërisë në një person tjetër apo organizatë, me qëllim të arritjes së një qëllimi të planifikuar. Kur njerëzit besojnë njëri tjetrin, ata kanë besim si partnerë që realizojnë një transaksion dhe se do të mbajnë premtimet e ndërsjella. Sidoqoftë, të dy palët në një transaksion parashikojnë njëfarë mase risku. Në tregtinë elektronike, shitësit dhe blerësit nuk takohen sy më sy. Blerësi mund të sheh një figurë të produktit, por jo vetë produktin. Premtimet për kualitetin dhe dërgimin e prodhimit bëhen lehtë, por ato duhet të mbahen. Që të merren me çështje të tilla, prodhuesit e apo shitësit në tregti elektronike duhet të vendosin besim të lartë me klientët aktual dhe ata potencialë.

Besimi është sidomos i rëndësishëm në transaksionet globale të tregtisë elektronike, për shkak të vështirësive të ndërmarrjes së masave legjislative në rast mosmarrëveshjesh, keqpërdorimesh dhe vjedhjesh, si dhe për shkak të konflikteve potenciale shkaktuar nga diferencat në kulturë dhe mjedisin biznesor.

Përveç besimit të ndërsjellë të shitësve dhe blerësve, që të dyja palët për më tepër duhet të kenë besim në ambientin kompjuterik të tregtisë elektronike dhe në infrastrukturën e e-tregtisë. Nëse njerëzit nuk kanë besim te infrastruktura e e-tregtisë, ata nuk do të ndjehen rehat gjatë përdorimit të kartelave elektronike për realizimin e e-blerjeve.

Njerëzit në Maqedoni, duket se nuk kanë frikë nga realizimi i blerjeve në Internet, ata përdorin Internetin, ata i besojnë infrastrukturës dhe teknologjisë. Ky përfundim bazohet në përgjigjet e të anketuarve në pyetjen: A keni frikë të bleni në Internet?, prej nga 218 apo 41% e tyre deklaruan se nuk kanë blerë në Internet sepse kanë frikë nga keqpërdorimi i kartelave të tyre, ndërsa 311 apo 59% nuk kanë frikë nga blerja e produkteve në Internet, edhe pse kishin deklaruar se nuk blejnë produkte online.

Çka i pengon qytetarët e Maqedonisë të blejnë online?

Të anketuarit përmendën disa arsye pse nuk kanë blerë diçka me kartelat e tyre në Internet, në mesin e arsyeve janë: ata nuk kënaqen dhe nuk e duan një shoping të tillë, ata nuk kanë pasur arsye të blejnë online, ata nuk ju besojnë shitoreve online, shumë prej tyre bile nuk besojnë se blerja në Internet është realitet. Me një fjalë, popullsia e Maqedonisë nuk është e gatshme të përkrahë natyrën e jetës online, prandaj mund të themi se ekziston një moskuptim i konceptit të tregtisë elektronike. Por, popullsia e Maqedonisë është relativisht mirëpritëse e teknologjisë informative, dhe si e tillë mund të themi se fenomeni i “hendekut digjital” (angl. Digital Divide) në Maqedoni nuk është shumë i theksuar.

Duke vazhduar anketën tonë, qëllimi ishte të testojmë të anketuarit nëse ata do të kishin dashtë apo po përdornin kartelat e tyre ndokund tjetër përveç Internetit. Nga 532 të anketuar, 359 ose 74.7% përdorin kartelat e tyre nëpër ATM apo bankomate për të tërhequr para, përderisa 134 ose 25.3% e të anketuarve, nuk i përdorin kartelat e tyre as edhe për këtë qëllim.
Supozimi jonë se popullata e Maqedonisë është mirëpritëse e teknologjisë përkrahet nga rezultati i anketës, ku nga numri i të anketuarve që nuk i përdorin kartelat e tyre online, 66.6% e tyre deklaruan se ata i përdorin kartelat për të tërhequr para në bankomate, ndërsa vetëm 34.3% e tyre nuk i përdornin ato aspak.

Përfundimi dhe konkluzionet

Duke ju falënderuar kësaj ankete, ne mundemi të nxjerrim konkluzionin se përdorimi i IEP në Maqedoni është i kënaqshëm, shumica e popullsisë i përdorin kartelat e tyre që të paguajnë ose blejnë të mira dhe shërbime, edhe pse shumë prej tyre preferojnë të paguajnë në kesh. Siç pamë, njerëzit nuk frikësohen nga blerja online e produkteve, por, thjeshtë ata nuk janë ende të përgatitur të pranojnë këtë trend të ri. Bizneset që ofronin mundësi të blerjes online ishin në numër të vogël, përderisa portalet e huaja ose shitoret elektronike të njohura si Amazon.com, si edhe shumë provajderë shërbimesh online të tillë si PayPal.com, as që e kanë Maqedoninë në listën e vendeve të regjistruara në bazën e tyre të të dhënave. Kështu që qytetarët e Maqedonisë nuk mund të shfrytëzojnë shërbimet e tyre. Restrikcionet e shfrytëzimit të të gjitha mundësive online, po shpjer drejt stagnimit në sjelljen apo traditën e blerjes online të qytetarëve të Maqedonisë. Duke ia shtuar kësaj faktin se qytetarët e Maqedonisë nuk janë të gatshëm të përkrahin jetën online, për shkak të mungesës së dijeve dhe kuptimin e konceptit të tregtisë elektronike. Rrjedhimisht, mund të konkludojmë se aktivitetet e tregtisë elektronike në Maqedoni janë në një krizë të thellë, ndërsa krahasuar me vendet e rajonit mbeten shumë mbrapa.
Së këndejmi, mund të themi se Maqedonia ka nevojë për ndryshime imediate në klimën e tregtisë elektronike, firmat tona duhet të bëjnë përpjekje më të mëdhaja për marketing në rrugë elektronike, të shesin produkte online, të shesin shërbime online, të tërheqin klientët dhe t'ju ofrojnë atyre siguri dhe besim krahas komforit gjatë blerjes online.
Qeveria e Maqedonisë duhet të bëjë më shumë përpjekje sidomos në planin ndërkombëtar, me qëllim të krijimit të partneriteteve me aktorët globalë dhe të sjellë shërbimet e tyre online në vend, që me një fjalë d.t.th. të tërheqë investimet e huaja në vend.



Publikuar: 04.05.2009 | 13:34
Lexuar: 4249 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime