Historianit të njohur për lexuesit shqiptar me përkthimet në shqip të "Stalini", "Stalini i ri", "Në oborrin e Carit të kuq", "Jeruzalemi", etj iu dha ky titull me motivacionin e një historiani ambicioz, mahnitës që ka mundur të realizojë glorifikimin letrar dhe artistik të së shkuarës epike në trajtën e së gjallës.
Historiani dhe shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore u nderua paraditen e sotme nga Senati i Universitetit të Tiranës me titullin "Doctor Honoris Causa", që iu dorëzua nga rektori i Univeristetit të Tiranës, Dhori Kule.
Historianit të njohur për lexuesit shqiptar me përkthimet në shqip të "Stalini", "Stalini i ri", "Në oborrin e Carit të kuq", "Jeruzalemi", etj iu dha ky titull me motivacionin e një historiani ambicioz, mahnitës që ka mundur të realizojë glorifikimin letrar dhe artistik të së shkuarës epike në trajtën e së gjallës.
Në ceremoninë e zhvilluar në Rektoratin e UT-së, Montefiore u shpreh se tërheqja e këtij titulli dhe botimi i librave të tij në shqip është një nder për të.
"Për dikë që e dashuron historinë e Evropës dhe që e ka studiuar atë, të vlerësohet nga Shqipëria, që për mua ka qënë pjesë e historisë së Evropës, është një nder i madh", tha Montefiore.
Autori bestseller, gjatë fjalës së tij, tha gjithashtu se ka lexuar për historinë e Shqipërise dhe se do të donte të njihte më shumë shkrimtarë shqiptarë, pas Kadaresë që, siç tha ai, është shumë i njohur në Angli.
Në ceremoninë e dhënies së titullit, shefja e Departamentit të Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Ilira Çaushi, tha se Montefiore me veprat e tij ka bërë që mijra njerëz të ngelen në histori, personazhe të njohur që rrallë mund ti zbulosh ashtu siç i ka shkruar ai.
"Simon Montefiore, për lexuesit dhe studiuesit krijon mundësinë e ekzistencës së njerëzve të thjeshtë dhe atyre që kanë vendosur fatet e botës në dy kohë, në të shkuarën dhe në të sotmen e historisë botërore", tha Çaushi.
Shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore konsiderohet si ati i historisë moderne, ndërsa libri i tij "Jeruzalemi" kryeson listën e librave më të shitur. Historiani, novelisti dhe njëkohësisht drejtues televiziv, Montefiore ka lindur në vitin 1965 në Londër. Ai është nderuar me shumë çmime për romanet e librat e tij historikë, disa prej të cilëve janë realizuar edhe në kinematografi. Librat e Montefiores janë botuar në rreth 33 gjuhë.
Universiteti i Tiranës ka nderuar me titullin "Doctor Honoris Causa", shumë figura të shquara botërore, ndër të cilët edhe shkrimtarin nobelist turk Orhan Pamuk.