Para auditorit pjesëmarrës, Doc. Dr. Fehari Ramadani theksoi se që nga mesi i shek. XIX, qeveria austro-hungareze filloi të interesohet për çështjen shqiptare. Ky interesim, fillimisht lidhej me fenë katolike dhe çështjen e shkollave shqipe.
Universiteti "Vitrina" nga Republika e Shqipërisë, më 28 mars 2011, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë, Institutin e Historisë në Prishtinë dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, e organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Aspekte të bashkëpunimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve me Evropën gjatë shek. XX. Konferenca shkencore u organizua nga Prof. Dr. Mario Kedhi, Akademik As. Marenglen Verli, Akademik Beqir Meta, Prof. Dr. Jusuf Bajraktari, Dekani i Fakultetit Filozofik të USHT, Doc. Dr. Fehari Ramadani, Prof. Dr. Hamit Kaba dhe Dr. Teki Kurti.
Me kumtesat e tyre në këtë takim shkencor morën pjesë: Prof. Dr. Luan Malltezi, me kumtesën Rreth marrëdhënieve të Shqipërisë me Europën në periudhën e Skënderbeut, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi Voskopoja një produkt i marrëdhënieve të shqiptarëve me Europën në shek.XVII-XVIII Prof. Dr. Teodor Çepreganov dhe Prof. Dr. Katerina Todorovska me temën Aktiviteti i emigracionit shqiptar në Kroaci / botimi i gazetës Shpresa e Shqipërisë, 1905-1908, Dr. Ledia Dushku, Kryengritjet shqiptare antiosmane të viteve 1910-1912 dhe Komiteti ballkanik i Londrës, Prof. Dr. Halim Purellku , Qëndrimi anglo francez ndaj rivalitetit italo-serb në Shqipëri dhe shumë pjesëmarrës të tjerë , ndërsa Doc.Dr Fehari Ramadani në konferencën e lartpërmendur u paraqit me punimin Disa aspekte të raporteve shqiptaro-austro-hungareze gjatë vitit 1908.
Para auditorit pjesëmarrës, Doc. Dr. Fehari Ramadani theksoi se që nga mesi i shek. XIX, qeveria austro-hungareze filloi të interesohet për çështjen shqiptare. Ky interesim, fillimisht lidhej me fenë katolike dhe çështjen e shkollave shqipe. Por, nga fundi i atij shekulli, kur për të gjithë tanimë ishte bërë e qartë se fundi i Perandorisë Osmane ishte i afërt, qeveria e Vjenës nisi të interesohet edhe për çështjet politike dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Po ashtu, ai e përmendi edhe veprimtarinë e qeverisë austro-hungareze në Shqipëri që shtrihej në disa fusha, si në atë të hapjes dhe të financimit të shkollave në gjuhën shqipe, të botimit të teksteve shkollore dhe veprave të tjera që e kishin objekt trajtimi Shqipërinë dhe shqiptarët; ndihmat financiare për botimin e gazetave shqipe, për klubet shqiptare, për personalitete të ndryshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për fenë katolike etj.
Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor të shqiptarëve dhe çdo përpjekje që bëhej për zhvillimin e tyre kulturor. Madje, ajo, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, Pallaviçini, në vitin 1908, kërkoi nga Porta e Lartë të fuste mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore të viseve shqiptare. Me këto veprime, qeveria vjeneze, synonte të siguronte epërsinë në çështjen shqiptare, e cila po merrte peshë gjithnjë e më të madhe në politikën e saj ballkanike.
Sipas Doc.Dr. Fehari Ramadanit, qeveria austro-hungareze, gjatë vitit 1908, financonte në Shqipëri, një varg shkollash, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Këto shkolla kryesisht shtriheshin në territoret e banuara nga popullsia shqiptare e besimit katolik, si në Shkodër, në Shirokë, në Dajç-Bunë, në Bushat, në Juban, në Selcë, në Shkup, në Ferizaj, në Stubëll, në Janjevë, në Letnicë, në Prizren, në Gjakovë, në Pejë, në Durrës, në Rrëshen, në Milot, në Hajmel, në Dajç- Zadrimë, në Kallmet, në Orosh, në Kashnjet, në Spaç, në Gomsiqe etj.
Që nga viti 1900, qeveria e Vjenës nisi të interesohet edhe për koloninë shqiptare në Borgo Erizzo (Arbanasi ose Arbëneshi), afër qytetit të Zarës në Dalmaci. Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme për konsullin e përgjithshëm në Shkodër, Ippen, theksohej se qeveria perandorake dhe mbretërore, ishte duke bërë përpjekje për të ringjallur kujtimet për atdheun origjinal, tek pjesëtarët e kolonisë Borgo Erizzo.
Krahas hapjes dhe mbajtjes së shkollave, sigurimit të rrogave të mësuesve, qeveria e Vjenës i pajiste shkollat e saj në Shqipëri edhe me tekste dhe mjete të tjera mësimore. Të gjitha shkollat austro-hungareze në Shqipëri, tekstet mësimore dhe pajisjet tjera të nevojshme i siguronin nga Austro-Hungaria..
Në kumtesën e tij, po ashtu Fehari Ramadani foli edhe për ndihmën që ka ofruar qeveria austro-hungareze në periudhën e lartpërmendur ndihmoi edhe në shumë fusha të tjera si në botimin e teksteve shkollore, gazetave, kontribuoi edhe për kulturën shqiptare. Në përmbyllje të kumtesës së tij ai tha se interesimi i qeverisë vjeneze, për arsimin dhe kulturën shqiptare, në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, ishte, në radhë të parë, rezultat i interesave të saj gjeostrategjike në Gadishullin Ballkanik. Perandoria Austro-Hungareze ishte interesuar të kishte aleatët e saj në Ballkan. Por, që të sigurohej një aleancë e këtillë, ishte e nevojshme që të sigurohej mbështetja e të paktën një populli që jetonte në territoret ballkanike. I vetmi popull, që mund të ishte aleat i natyrshëm i Vjenës, ishin shqiptarët. Prandaj, qeveria perandorake dhe mbretërore përkrahu përpjekjet e shqiptarëve për zhvillimin e tyre kulturor.