E hënë, 24.11.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Jemi pajtuar që krimet e luftës janë akte të ndëshkueshme sipas ligjit, por sikur duam t’i mbyllim sytë kur këto ligje duhet të aplikohen në praktikë kundër komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.
Krimet e luftės






Shkelzen Maliqi

Është një thënie e vjetër se pas luftërave, historinë e shkruajnë fituesit. Nuk di sa është ajo e saktë në kohën e sotme dhe për luftërat e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ndoshta pse ka pasë më shumë fitues dhe humbës, kjo histori ende shkruhet dhe prezentohet në disa versione jokomplete. Po kështu, nga arsyeja se disa ato luftëra i konsiderojnë të papërfunduara, edhe shkrimi i “historisë së fituesit” mendohet se është një punë e papërfunduar, ose work in progres, madje edhe tregim që mund të ndryshohet. Për këtë të fundit si shembull merren rishkrimet dhe revidimet aktuale të historisë së kohës së komunizmit, ku humbësit e dikurshëm përpiqen t’iu hakmirren fituesëve të dikurshëm, duke fshirë kujtesën për komunizmin dhe duke rehabilituar forcat e mposhtura nga ai. Por, kjo tendencë nuk është se mund të çojë në një përfundim absurd që, siç duan dhe pretendojnë disa, skema e fitores dhe humbjes pas Luftës së Dytë Botërore duhet thjesht të përmbyset. Fakti se Luftën e Ftohtë e humbën komunistët, nuk çon në rehabilitimin e atyre forcave anti-komuniste në Ballkan dhe në Lindje, që gjatë LDB kanë qenë në anën e fashizmit dhe nacizmit.

Sidoqoftë, për një historizim më të qëndrueshëm të luftërave të fundit mungon edhe ajo që quhet “distancë historike”, distancë kjo që mundëson shqyrtimin dhe vlerësimin e proceseve dhe ngarjeve historike pa ngarkesat dhe pengesat emocionale të sotme. Po kështu, distanca historike kërkon edhe zbardhjen dhe bërjen publike të dokumenteve dhe dëshmive që aktualisht gjenden nëpër arkiva dhe mbajnë ndalesën “sekret shtetëror” ose “tepër rezervat”.

Është edhe një element që këtë çështje e paraqet në një dritë krejt të re, që dallon nga e kaluara. Dikur luftërat kanë qenë kasaphane të tmerrshme, ku kanë mundur të bëhen edhe maskra dhe krime ndaj civilëve, e që pas mbarimit të konflikteve dhe betejave nuk janë proceduar si krime. Pas dy luftërave botërore, konventat ndërkombëtare kanë kodifikuar dhe imponuar ligjet dhe një etikë të luftës që palëve në konflikt ua ndalonte represaliet ndaj popullsisë civile. Për më shumë, krimet e luftës janë bërë akte të ndëshkueshme jo vetëm për humbësit, por edhe për fituesit e luftës.

Ky rekapitulim tejet i thuktë i ndryshimit të karakterit të luftës në botën e sotme shpresoj se mund të jetë një ndihmesë për sqarimin e një konfuzioni që ekziston në opinionin e Kosovës, rreth vazhdimit të proceseve gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, qoftë në Tribunalin e Hagës, qoftë në gjykatat e Kosovës dhe hetimet që i ka filluar EULEX-i. UÇK-ja padyshim ka qenë në anën e fituesëve të luftës së fundit të Kosovës dhe asnjë histori nuk mund ta mohojë se ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe për kauzën e pavarësimin e merituar të Kosovës, duke e pasur në këtë luftë edhe përkrahjen e botës demokratike dhe angazhimin vendimtar të forcave të NATO-s. Mirëpo, ky rol i lavdishëm historik nuk e amniston UÇK-në në përgjithësi nga hetimet dhe ndëshkimet e rasteve ku dyshohet dhe dëshmohet se pjesëtarët e UÇK-së, ose që janë paraqitur si të tillë, kanë bërë akte që konventat ndërkombëtare, e edhe ligjet e shteteve demokratike, i cilësojnë si krime të luftës. Në në Kosovë parimisht dhe në bazë të ligjeve që janë bërë normë e sistemit demokratik, jemi pajtuar që krimet e luftës janë akte të ndëshkueshme sipas ligjit dhe, si të tilla, nuk vjetrohen, por sikur duam t’i mbyllim sytë kur këto ligje duhet të aplikohen në praktikë për ato raste kur hetuesia dhe prokuroritë ngrisin paditë kundër komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.

Nuk jam prej atyre që paragjykoj fajësinë e asnjërit ushtar a komandant të UÇK-së, që akuzohet për krime. Është detyrë e prokurorisë që të jep provat për akuzat dhe e gjyqeve që ata t’i ndëshkojë ose t’i lirojë nga akuzat nëse janë të pabaza ose nuk ka dëshmi se kanë bërë krime.

Nëse, psh., ndëshkohen Ramush Haradinaj ose Fatmir Limaj, që janë komandantët më të spikatur të UÇK-së që po ndiqen si të dyshuar për krime lufte, kjo nuk do të thotë se me këtë do të ndëshkohet edhe vetë UÇK-ja dhe se kjo çon në revidimin radikal të historisë. Ndëshkimet eventuale të Haradinajt, Limajt dhe të tjerëve që akuzohen, do të jenë një tagër që ata e paguajnë për idetë dhe praktikat parademokratike që i kanë pasur për luftën në ato rrethana të vështira të rebelimit dhe rrezikut permanent, gjatë viteve të konfliktit 1998-1999.

Njëfarëdore, pozitën e komandantëve të UÇK-së që po gjykohen e shoh si një ndeshje të dy koncepteve të luftës dhe të drejtësisë - njëra tradicionale dhe paramoderne e rebelit dhe kaçakut që është trim i pashoq, por luftën e sheh si suspendim të ligjeve ku ai vetë e merr rolin e arbitrit, që vendos mbi jetën dhe vdekjen e armikut dhe atyre për të cilët dyshon se janë bashkëpunëtorë të tij dhe tjetra moderne, që për luftën ka vendosur konventa dhe rregulla, sipas të cilave betejat e ushtrive konsiderohen të paevitueshme, por ndalohen ekzekutimet dhe trejtimet çnjerëzore të ushtarëve të zënë rob dhe të civilëve të paarmatosur.

Sipas pikëpamjes së parë dhe meritava, ata janë padyshim heronj. Por, pikëpamja e dytë thotë “na falni, trima, por ky është shekulli XXI dhe edhe në Kosovë sot duhet të sundojë ligji”.

Publikuar: 29.03.2011 | 18:29
Lexuar: 1282 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime