E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Herën e parë kur Gjykata konsideroi se ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka shkelur me dy këmbë mbi Kushtetutën, Kosova u përball me krizë institucionale, pasojat e së cilës nuk po rikuperohen as pas më shumë se gjashtë muajve. Madje plagët janë “infektuar” dhe Kosova, veçanërisht imazhi i saj në sytë e ndërkombëtarëve, është njollosur me bojë të zezë.
Riciklimi i krizės










Milaim Shefkiu

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, edhe njëherë u bë personazhi më i përfolur në Kosovë. Ai arriti që të bartë mbi vete epitetin e “Demokleut”, i cili me shpatën e tij po rrëzon përtokë presidentë. Behgjet Pacolli u bë “viktima” e dytë e Enver Hasanit, i cili konstatoi se mënyra se si u zgjodh numri një i shtetit ka qenë antikushtetuese dhe jodemokratike.

Herën e parë kur Gjykata konsideroi se ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka shkelur me dy këmbë mbi Kushtetutën, Kosova u përball me krizë institucionale, pasojat e së cilës nuk po rikuperohen as pas më shumë se gjashtë muajve. Madje plagët janë “infektuar” dhe Kosova, veçanërisht imazhi i saj në sytë e ndërkombëtarëve, është njollosur me bojë të zezë.

Kriza po vazhdon të thellohet sërish. Vendi edhe një herë po zhytet në krizë institucionale. Gjykata përfundimisht kontestoi Behgjet Pacollin, por problemet nuk do të përfundojnë me kaq. Cilido që të jetë varianti i ardhshëm i zgjedhjes, rizgjedhjes, konsensusit politik apo zgjedhjeve të tjera që janë më të dëshiruarat, problemet ekzistojnë.

Rivotimi i Behgjet Pacollit në Kuvend duket i pamundur pasi që opozita sërish do të bojkotojë seancën “inauguruese” dhe Kuvendi del para aktit të kryer - përsëritja e shkeljes së Kushtetutës. Edhe nëse opozita detyrohet pas presionit ndërkombëtar që të qëndrojë në Kuvend, përsëri rizgjedhja e Pacollit konsiderohet mision i pamundur, sepse 15 deputetë, përfshirë edhe nënshkruesit e koalicionit qeverisës, nuk janë më pjesë e Kuvendit dhe nuk kanë të drejtën e votës.

Atëherë në sprovë do të vijnë ligjvënësit e rinj, 4 nga AKR dhe të tjerët nga PDK-ja. Nga tabori i këtyre të fundit është rreziku më i madh, sepse disa nga ata që kanë zënë postet e ministrave aktualë, që tashmë kanë dhënë betimin në Kuvend, konsiderohen të “padëgjueshëm” dhe si të tillë mund t’i bashkohen krahut të “rebeluar” të udhëhequr nga Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj, që janë deklaruar botërisht kundër Pacollit.

Kur dihet se këtij krahu i duhen vetëm edhe dy deputetë, sepse Pacolli më 22 mars u zgjodh president me 62 vota, ose vetëm një votë më shumë se që kërkon shumica e thjeshtë, rizgjedhja e tij bëhet e pamundur ose thënë popullorçe “nuk ia vlen barra qiranë”.

PDK dhe AKR, për të ruajtur koalicionin, ndërkaq, duhet të mendojnë për një kandidat tjetër, ose nga partia e Pacollit ose një kandidat jashtëpartiak që do të ishte, nëse jo i pranueshëm, i parefuzuar nga opozita. E nëse ruajtja e koalicionit me këtë konfiguracion nuk jep rezultat, atëherë koalicioni prishet dhe PDK duhet të kërkojë një partner tjetër, dhe e vetmja e domosdoshme mbetet AAK. Natyrisht, se pazari i kësaj të fundit është rritur duke kërkuar pa asnjë dyshim “kokën” e Thaçit. Edhe nëse AAK pranon të shkojë në koalicion me PDK-në, atëherë humbësi më i madh i këtij viti, pa asnjë dyshim, mbetet Naim Maloku, këshilltari për siguri i Pacollit.

Nëse ky variant realizohet, atëherë ky i fundit, bashkë me Mimoza Kusarin, Agim Çekun e Ferid Aganin, përveç që do të mbesin pa poste të larta qeverisëse, do të mbesin edhe jashtë Kuvendit, sepse vendin në legjislativ tashmë ua kanë zënë të tjerët.

Në krejt këtë zallahi politike, Pacolli megjithatë e realizoi ëndrrën e tij duke qëndruar për 5 javë në krye të shtetit të Kosovës. Brenda kësaj periudhe ai vizitoi dy shtete dhe priti disa zyrtarë ndërkombëtarë, në mesin e tyre edhe legjendën e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer.

Pacolli po ashtu ka hyrë në histori si presidenti i dytë i Republikës së Kosovës dhe si i pari president që kaloi këmbë urën e veriut.

Jetëgjatësia e tij si burrështetas nuk do të “hyjë” në histori të shqiptarëve, sepse ka edhe të atillë, madje edhe me më shumë bagazh, që kanë qëndruar më pak se ai në një post të lartë. Këtë primat e mban Hasan Prishtina, i cili mbahet në mend si kryeministri i vetëm që qëndroi vetëm tre ditë në këtë pozitë. Më 7 dhjetor 1921, ai u zgjodh kryeministër i Shqipërisë, ndërsa më 10 dhjetor të të njëjtit vit u detyra të japë dorëheqje.

Ndryshe, se si do të rrjedhin gjërat në vijim mbetet çështje relative, sepse as ata që kanë hartuar Kushtetutën nuk po dinë si të veprohet. Por, një gjë është e qartë se Kosova u kthye në ballinat e medieve ndërkombëtare si shtet pa president legjitim.

Atëherë, për ta përmbyllur këtë kaptinë, ligjvënësit duhet të rrezikojnë: të shkojnë në rivotim, duke fituar ose presidentin ose zgjedhjet e jashtëzakonshme, “Ja tirqit, ja hunin”!

Publikuar: 02.04.2011 | 12:31
Lexuar: 592 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime