E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ata me veprimet nuk po analizojnë fort se si po i kryejnë punët, por thjesht duan t’i kryejnë pa e lodhur mendjen mbi pasojat ligjore që i bartin veprimet e tyre. Thjesht, mendojnë se ia kanë hedhur dhe se askush nuk mund t’iu prishë punët.
Hajt e bu!








Gjergj Filipaj

Mjeshtrit kosovarë zakonisht nuk i qëndrojnë besnik marrëveshjes kur kryejnë punime ndërtimore. Kur muri del shtrembër ose parketi nuk fle si duhet, ata pa pikë marreje të thonë në fytyrë: Hajt e bu, usta! Bon edhe kështu! Fatkeqësisht, logjika e muratorëve dhe e shtruesve të parketit është vërejtur edhe te vendimmarrësit institucionalë kosovarë.

Ata me veprimet nuk po analizojnë fort se si po i kryejnë punët, por thjesht duan t’i kryejnë pa e lodhur mendjen mbi pasojat ligjore që i bartin veprimet e tyre. Thjesht, mendojnë se ia kanë hedhur dhe se askush nuk mund t’iu prishë punët.

Kështu ndodhi edhe me zgjedhjen e presidentit para pak më shumë se 30 ditësh në Parlamentin e Kosovës. Aty nuk u respektua Kushtetuta, thua se ajo është një rregullore e UNMIK-ut, e cila nuk duhet mbajtur në kornizë sa për sy e faqe.

Vendimet dhe veprimet lidhur me procedurën parlamentare të zgjedhjes së presidentit të dytë të Republikës së Kosovës do të duhet të hyjnë në librat e lëndës të së drejtës kushtetuese si shembull se si nuk duhet bërë. Studentët kosovarë të juridikut duhet të mësojnë nga gabimet e bëra në stilin e muratorëve ditën e zgjedhjes së presidentit.

Studentët e juridikut duhet të kuptojnë si ta përdorin logjikën e shëndoshë para marrjes së vendimeve të rëndësishme për zhvillimin e shtetit. Logjikimi i arsyeshëm përtej mbajtjes automatike mend të Kushtetutës do të duhej të jetë jo vetëm në ABC-në e studentëve të Fakultetit Juridik, por edhe të burrështetasve kosovarë që zgjedhin dhe që zgjidhen në postet më larta të shtetit.

Por, kur liderët institucionalë nuk janë juristë, por historianë, mësues, inxhinierë të elektroteknikës apo edhe ekonomistë, duhet ta vendosin gishtin në tëmth dhe të mendojnë që të kenë këshilltarë ligjorë, që iu tregojnë edhe gjëra të tjera përveçse si të reagojnë ligjërisht ndaj akuzave për korrupsion dhe shkrimeve e raporteve kritikuese në medie.

Këshilltarët ligjorë apo edhe zyrat ligjore janë pjesë jo vetëm e institucioneve, por edhe e çdo kompanie private a publike. Çdo vendim paraprakisht para zyrtarizimit kalon nga zyra ligjore, e cila edhe e jep mendimin final mbi përmbajtjen dhe mbi atë se si duhet vepruar. Por, as kryeministrit e as kryetarit të parlamentit nuk iu ka ndezur llamba e alarmit që të kërkojnë edhe vlerësimin e atij djalit a vajzës të veshur në të zeza e që quhet këshilltar/e ligjor/e kur kanë vendosur që të zgjedhin kryetarin e shtetit. I kanë hyrë një pune të bindur se do t’ia dalin përtej, por duket se kanë rënë brenda e bashkë me ata ka shkuar poshtë edhe fytyra e shtetit fëmijë 3-vjeçar të Kosovës.

Burrështetasit e Kosovës, nëse mund ta gëzojnë këtë epitet, kanë pas vetes një armatë këshilltarësh që do të duhej t’i furnizonin me përgjigje, sidomos në ato çështje ku ata janë laikë dhe nuk marrin fare vesh mbi çështjet e shtruara. Duket se ata ose nuk e kuptojnë Kushtetutën, ose nuk duan ta kuptojnë atë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet t’iu hapë sytë duke i çuar ata nga ëndrra se janë më të mirët, më të bukurit, më elokuentët dhe më të përgjegjshmit në këtë vend.

Liderët institucionalë, duke mos pasur një kulturë të pranueshme komunikimi, kanë “pajtuar” këshilltarë për komunikim, në të shumtën e rasteve ish-gazetarë, për t’i bërë që të flasin, të duken dhe të sillen bukur gjatë daljes në publik, sidomos para kamerave të televizioneve kombëtare. Mund të përfundohet se sa i përket orientimit për pamjen publike këshilltarët kanë korrur sukses. Liderët janë më të gdhendur, vishen bukur dhe përdorin një lloj fjalori paksa më normal se në të kaluarën.

Por, aman, duhet marrë seriozisht edhe këshillën e zyrës ligjore, e cila mund t’i shpëtojë jo vetëm figurën e tyre publike, por edhe karrierën e tyre si politikanë seriozë që janë mbi logjikën e muratorëve dhe mjeshtërve të parketit.

Publikuar: 02.04.2011 | 12:32
Lexuar: 499 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime