Performanca e artistëve të rinj për afro 30 minuta zgjoi te spektatorët në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" kënaqësinë e elementëve koreografikë pak të njohur, ku tradita shqiptare e muzikës dhe kërcimit folklorik "u vesh"me petkun modern të lëvizjes, si mundësi universale e komunikimit.
Studentët e Akademisë së Arteve në Tiranë, me shfaqjen e përgatitur nga koreografi kanadez Paul Ibey, mbyllën të mërkurën në mbrëmje edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan, që nisi në 30 prill.
Performanca e artistëve të rinj për afro 30 minuta zgjoi te spektatorët në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" kënaqësinë e elementëve koreografikë pak të njohur, ku tradita shqiptare e muzikës dhe kërcimit folklorik "u vesh"me petkun modern të lëvizjes, si mundësi universale e komunikimit.
Në përfundim të edicionit të katërt të kësaj veprimtarie, si pjesë e kalendarit të veprimtarive artistike në Durrës, presidenti i Festivalit, Gjergj Prevazi përshëndeti pjesmarrësit e 9 kompanive teatrore të ardhura nga vende të ndryshme të botës. "Festivali nga viti në vit ka zgjeruar hartën e pjesmarrësve dhe në këtë edicion solli larmi spektaklesh e shkollash të ndryshme të kërcimit modern dhe kontemporan", tha ai.
Gjatë shtatë ditëve të Festivalit në skenën e teatrit të Durrësit performuan trupa nga Izraeli, Italia, Sllovenia, Greqia, Britania e Madhe, Kanadaja, Hungaria dhe Shqipëria, por në këtë edicion, pati më shumë larmi tematike të këtij danci modern.
Pas spektaklit të trupës izraelite "Kolben kompany", e cila performoi me sukses edhe në skenën e "Black box teater" në Akademinë e Arteve në kryeqytet, kërcimtarët e kompanive të tjera, prezantuan shfaqje, të cilat kanë patur jo vetëm kohëzgjatje të ndryshme, por edhe befasi të çdo lloji.
Trupa shqiptare e Teatrit të Operas dhe Baletit me spektaklin "Lukja", përgatitur nga pedagogu dhe koreografi Gjergj Prevazi, ishte më afër gjinisë së re moderne, gërshetuar me traditën e baletit, nën trajtimin e një nga temave më të njohura të prozës së Migjenit, duke ofruar përmes qëmtimit të artit shqiptar me mjete të reja shprehëse, si pjesë të dancit modern në vendin tonë.
Specialistët vlerësojnë trupat italiane e greke që shpërfaqën në skenë idetë e koreografëve, ndërsa mendon se trupa sllovene me dy shfaqjet "Sky" dhe "Cout out", solli në skenë me të njejtën trupë dy fabula të ndryshme, të trajtuar me nota provokuese skenike.
Koreografi dhe balerini kanadez Pol Ibey në 40 minutat e "Coelacanth" ka treguar një ngjarje të vërtetë, e cila ka shërbyer vetëm si spunto për një analizë universale të rrugëtimit njerëzor.
"Orpheus marathon", shfaqja e artistëve hungarezë dëshmuan përveç talentit dhe punës krijuese, cilësi artistike mjaft të larta.
Shfaqja e baletit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nën interpretimin e artistëve të TKOB dhe Ansamblit të këngëve dhe valleve të Tiranës përshëndeti artistët në këtë edicion.
Gjatë një ceremonie simbolike të zhvilluar mbrëmë në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrrës, organizatorët e Festivalit nderuan me "Çmimin e karrierës" kërcimtaren veterane Ganimet Vendresha për kontributin e saj të gjatë si balerinë dhe pedagoge e dancit klasik.
"International Festival of Modern & Contemporary Dance" organizohet në Durrës që prej katër vitesh, me mbështetje të Bashkisë së qytetit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.