Viti 1947 shënoi një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekret-ligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangën, ndërsa kjo e fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha Lek ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.
Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, më 2 shtatorë të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Moario Alberti dhe Qeverisë së Ahmet Zogut.
Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri, si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të monedhave të tjera, me të drejtë ekskluzive.
Ky mund të quhet institucioni i parë emetues i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e parë të monedhave të para që në shekullin e IV p.e.s., nga Dyrrahu ( Durrësi ) dhe Apolloni ( Pajon, pranë Fierit ), qytete të Ilirisë.
Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karlo Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Ëienner Bank Verein, si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher, përfaqësues të grupit bankar italian të Banca Commercial Italianna. Ky institucion nuk jetoi gjatë, për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Në vitin 1925, kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme. Ndaj, Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për ti zëvendësuar këto me monedhën e vetëm shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua Franga, me nënfishat e vet( leku dhe qindarka, ku 1 frangë ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari.
Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/ 1 frangë ari. Ajo rezultoi jetëshkurtër, për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e asaj kohe mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila, në dallim nga shqiponja dykrenore, simbol i kombit tonë, paraqiste shqiponjën me një kokë, sipas stilit romak.
Përgjatë vitit 1925, Banka e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim:
Kartëmonedha me prerje 5 franga ari, 20 franga ari dhe 100 franga ari
Monedha ari 20 franga dhe 100 franga ari, monedhat 2 franga ari dhe 5 franga ari dhe monedhat e tjera 5 qindarka leku, 10 qindarka leku, ¼ leku, ½ leku dhe 1 lek.
Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet dhe detyrimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Vetë banak u shtetëzua dhe në vitin 1945 u krijua Banka e Shtetit Shqiptar.
Viti 1947 shënoi një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekret-ligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangën, ndërsa kjo e fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha Lek ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.
Moment tjetër i rëndësishëm në historinë e monedhës tonë kombëtare është viti 1965, vit në të cilin ndryshoi raporti midis prerjes të përdorur nga viti 1947, me atë të emetuar në këtë vit, në raportin 10 lekë ( vitit 1947, 1957 ) = 1 lek ( viti 1964 e në vazhdim). Gjithashtu, për herë të parë shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat.
Ardhja e vitit 1991 do të sillte ndryshime edhe në elementët e sigurisë së kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 lekë.
Seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto përiudha:
Kartëmonedha 2000 lekë përfaqëson epokën ilire (portreti i Mbretit Ilir, Genti)
Kartëmonedha 5000 lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij)
Kartëmonedha 1000 lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit )
Kartëmonedha 200 lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit)
Kartëmonedha 500 lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit)