E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tre shqiptarë nga Shkupi dhe Kumanova, ish-pjesëtarë të UÇK-së, janë të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilët akuzohen për vrasjen e një pjesëtari të njësitit policor “Alfa” më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup.
Selektimi nacional






Emin Azemi

Sistemi i drejtësisë në Maqedoni ka nevojë për një riformatim të brendshëm jo vetëm profesional e ligjor, por edhe moral e etik. Janë disa raste konkrete që hedhin hije dyshimi mbi objektivitetin e gjykatave të Maqedonisë, sidomos kur janë në pyetje disa procese kundër shqiptarëve. Pa dashur të justifikojmë inkriminimet e mundshme, megjithatë, bie në sy lehtësia për të shqiptuar masa drakonike, që shpesh përfundojnë në burgime të përjetshme.

Është kjo kategoria e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, tek të cilët është zbatuar një qasje shumë speciale dhe dyshimi i parë na sjell ndërmend një politikë selektive gjyqësore maqedonase që ka për qëllim të kompensojë mosveprimin e Gjykatës së Hagës. Me fjalë të tjera, shpikësit e kësaj qasjeje speciale sikur duan të thonë se atë që e toleron Haga, e dënon Shkupi.

Të rezervosh dënime të përjetshme vetëm për këtë kategori qytetarësh, të cilët ishin të përfshirë në një konlikt luftarak para dhjetë vjetëve dhe të lësh në liri shumë kriminelë të rrezikshëm rrugëve të Maqedonisë, është modeli më i keq i një gjyqësie me moral të dyfishtë, e cila përpos dyshimeve sporadike nuk ka arritur të ofrojë prova të sigurta materiale për involvimin e tyre në krime të caktuara.

Tre shqiptarë nga Shkupi dhe Kumanova, ish-pjesëtarë të UÇK-së, janë të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilët akuzohen për vrasjen e një pjesëtari të njësitit policor “Alfa” më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup.

Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë i Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe i Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri, i akuzuari i katërt për dhënien e ndihmës është akuzuar me gjashtë vjet burg. Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Ramadan Shaqiri kanë qenë ish-pjesëtarë të UÇK-së, mirëpo ata në gjykatë kanë pohuar se asnjëherë nuk janë njohur.

Vendimi ndaj kësaj akuze është vërtetuar edhe në Gjykatën e Apelit, mirëpo familjarët apelojnë për drejtësi, duke pohuar se bëhet fjalë për proces të montuar politik. Ata kanë dëshmi të shumta që rrëzojnë akuzat e gjyqësorit, pasi që janë edhe disa dëshmitarë që vërtetojnë se Rexhail Qerimi ka qenë në fshat në ditën e vrasjes.

Në shkurt të vitit 2010, siç raporton INA, Gjykata Themelore e Shkupit dënoi me burgim të përjetshëm tre ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe ish-komandantin e ndjerë të UÇK-së, Harun Aliu-Kushtrimi, i cili u vra disa muaj më pas në një sulm të policisë në dalje të fshatit Radushë të Shkupit. Përveç Aliut, me burgim të përjetshëm u dënuan edhe Ismail Etemi dhe Bashkim Bajrami, ndërsa i akuzuari i katërt Bekim Dardhishta u dënua me tre vjet burg.

Ky grup u akuzua për vrasjen e pjesëtarit të njësitit special policor “Tigrat”, Zoran Markovski, që kishte ndodhur në janar të vitit 2008 në lagjen Autokomandë të Shkupit.

Një rast tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm është ai i Nehad Sulejmanit dhe Suad Jusufit nga Shkupi, të cilëve në korrik të vitit 2007 iu shqiptua dënimi për shkak se ata akuzoheshin për një vrasje të kryer në cilësinë e hakmarrjes ndaj dy maqedonasve, Branko Ivanovski dhe Lupço Atanasovski në vitin 2006, pasi që njëri prej tyre kishte vrarë një të afërm të tyre në oborrin e shtëpisë ku po jetonin.

Jozyrtarisht, siç merr vesh INA, njëri prej dy të rinjve të dënuar shqiptarë ka qenë ish-pjesëtar i UÇK-së. Burhamedin Nuhiu, ish-pjesëtar i UÇK-së nga Tetova, prej vitit 2002 po vuan burgun e përjetshëm në Idrizovë, pasi që ai u akuzua për vrasjen e një të riu maqedonas në tetor të vitit 2001 në Tetovë.

Ajo që spikat për të keq në krejt këtë teatër tragjikomik të gjyqësisë maqedonase është selektimi i viktimave mbi baza nacionale. Askush nuk e ka të qartë që si qëlluan krejt viktimat të jenë maqedonas dhe krejt “rastësisht” vendimet përfundimtare kundër gjoja autorëve të vrasjeve (shqiptarë) të jenë, hiç më pak se burgime të përjetshme.

Fundja, pse duhet të ketë patjetër viktima maqedonase për të funksionuar burgimi i përjetshëm në Maqedoni? Kur ka ndodhur të marrë dënim të njëjtë (burgim të përjetshëm) edhe ndonjë vrasës që “rastësisht” do të kishte qenë maqedonas, kurse viktima – shqiptar?

(Autori është kryeredaktor i gazetës “Fakti” në Shkup)

Publikuar: 10.04.2011 | 01:25
Lexuar: 650 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime