Me bekimin e eminencës gri të politikës kosovare, Hashimi sërish po e luen lojën pa dorza. Krejt haptë, arrogant, injorues sikur thotë: Ju mund të flisni çka të doni, por unë e kam arushën me vete.
Fadil Lepaja
Patën shkruar gazetat se Hashimi, si fëmijë, paska qenë i fortë në lojën e pitpidakut. Kjo dhunti, e cila në fakt i bie me e gjuejtë shtagën ma saktë dhe ma larg se tjetri, së paku për një kokë, po e mban suksesshëm në pushtet kryeministrin,i cili në çdo lojë po arrin me e gjue shtagën së paku një kokë më tutje.
Herën e kaluar ishte kjo koka presidenciale e Fatmir Sejdiut, e cila u rrokullis në
Kushtetuese pasi kishte bashkëqeverisur me Hashimin për dy-tre vjet. Makiavelisti
kosovar po e përcillte kokën e thinjur të presidentit tek rrokullisej teposhtë dhe
po i gëzohej kokës së vet mbi supe.
Së fundi koka që u rrokullis ishte ajo e Behxhet Pacollit, së cilës iu mohua madje edhe të ketë qenë kokë presidenciale, çka duket të ketë qenë ëndërra e tij jetësore.
Këto koka që po rrokullisen Kushtetueses teposhtë, nën diktatin e SMS-eve dhe formave të tjera të shprehjes publike të vullnetit nga olimpi politik në Dragodan, tashmë e kanë bërë krejt të qartë rendin e gjërave në këtë vend.
Me bekimin e eminencës gri të politikës kosovare, Hashimi sërish po e luen lojën pa dorza. Krejt haptë, arrogant, injorues sikur thotë: Ju mund të flisni çka të doni, por unë e kam arushën me vete.
Nejse, njeriun që e administron Kosovën jozyrtarisht, për nevojat e këtij shkrimi po e quajmë ende eminenca gri, edhe pse tashë kjo ngjyrë nuk e shprehë gjendjen reale, sepse ai ka dalë nëpër diell dhe po e qeverisë drejtpërdrejt vendin, duke marë kompetenca herë presidenciale apo kryeministrore apo çka po do vetë. Wikipedia thotë se kështu paska vepruar edhe në Zimbabve apo ishte në ndonjë vend tjetër afrikan. Por
lere fare. Kush i beson wikipedias.
Hashimi, po vazhdon tutje në stilin e Ahmet Zogut dikur, duke falë teritore dhe
bashkëpunuar me këdo veç për me u mbajtë në karrige. Zhurmshëm pretendon për duar
të pastra edhe pse ato u zunë në kuti votimi, në shitje të kompanive, në spastrime
në parti dhe shtet.
Jep deklarata konfliktuoze, me një fjalor të cilin opozita e cilëson si demagogji, e të cilën as një pjesë e madhe e partisë së tij haptazi nuk e aprovon. Madje ai as që shkon në organe të partisë. Sa Partia është ai, të tjerët janë vetëm statistë, të cilët mblidhen me pi çaj dhe me pritë çfarë haberi po u sjell shefi prej Dragodani. Edhe kryetari në detyrë.
Ndërkohë, krejt krizat politike duken të kenë qenë joreale, ato ishin krijuar për me mbulue dhe me qitë në plan të dytë privatizimin e asaj pak pasurie që ka ky vend si Aeroportit, PTK-së, KEK-ut, të cilat një ditë do të shplohen dhe do të kuptohet krejt prapaskena e tyre përfituese, por deri atëherë Hashimi synon të rrijë në kalë sa më gjatë. Kur të kryhet kjo lojë e vogël, nëpër odat tona të dekoruara në stilin e serialeve lotndjellëse orientale, do të këndohet kënga frymëzuese: Ne dhe Turqia 200 milionë.
Por, për Hashimin është me interes edhe kësaj radhe me e gjue shtagën ma larg, së paku për një kokë më larg. Dhe në momentin kur po mbyllet ky shkrim, bëhet e ditur marrëveshja me të cilën Hashim prapë e gjuan shtagën një kokë ma larg. Kjo kokë duket të jetë po ashtu ndonjë e rrokullisshme.
Kushtetuesja e cila tashmë ka krijuar njëfarë reputacioni se gjoja po ka kurajë me kundërshtue Hashimin dhe dhe olimpin politik në Dragodan, do të shihet shpejt se a do të ketë kurajë me e kthye mbrapsht mallin e kontrobanduar me emrin neni katër i buxhetit , apo do ta legjitimojë këtë procedurë edhe për të ardhmen,edhe për kompanitë e tjera.
Sa për institucione, Kosova fare mirë funksionon edhe pa to, sepse fuqia e tyre është kurrfare, por ekzistenca e tyre formale e legjitimon procesin informal.
Nejse, një mik imi më sugjeroi se metafora për lojën e pitpidakut nuk është mjaft ekspresive për atë që po ndodh në Kosovë. Ai tha se në këtë lojë me shtaga ka edhe një kazan në mes, dhe kush e zë kazanin bën çka të dojë vetë.
Duke qenë se emri i kësaj loje tingëllon disi pahijshëm, përkundër ngjashmërisë tejet të madhe me situatën reale, po e përdor metaforën e pitpidakut për me e vu theksin te njeriu ambicioz, i cili mund të jetë vetë koka, e cila me rrokullisjen e vet politike, do ta mbyllë këtë proces të dhimbshëm, gjithsesi nën duartrokitjet frenetike të qytetarëve të këtij vendi. Të tjerët kanë imunitet diplomatik.