E diel, 23.11.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Si rezultat i gjithë kësaj, shkollat, universitetet si dhe sistemi ynë arsimor në përgjithësi, në rastet më të mira 'prodhon' kuadro në disproporcion të plotë me tregun e punës, ndërsa në rastet më ekstreme edhe kuadro të pakualifikuar dhe analfabetë me diploma.
Kriza e shkollės dhe arsimit!




Sali Shasivari

“Në qoftë se shkolla ka probleme dhe defekte, shkaku, në mes tjerash, duhet kërkuar në shoqëri; dhe në qoftë se në shoqëri paraqiten probleme dhe defekte të shumta, shkaku, në mes tjerash, duhet kërkuar në shkollë dhe në sistemin arsimorë”

S'do mend se shkolla, si institucion qëllimisht i organizuar, është një nga shtyllat dhe faktorët kryesorë e cila ka për detyrë përgatitjen e brezave të rinj për jetë. Së këndejmi, shkolla dhe shoqëria janë të lidhur në mënyrë kauzale dhe komplementare në mes veti, me ç'rast, në qoftë se që të dyja funksionojnë ashtu siç duhet, rezultatet pozitive do të jenë evidente dhe të pashmangshme. Ndërsa, në momentin kur njëra prej tyre kaplohet nga defektet dhe problemet, do të shohim se të njejtat defekte dhe probleme do të reflektohen me automatizëm edhe në “palën” tjetër, mu sikurse disa sëmundje të cilat e kaplojnë një pjesë të trupit, dhe të cilat po qe se nuk kurohen dhe trajtohen me kohë, rrezikojnë të shndërrohen në metastaza me pasoja fatale.

Problemet dhe anomalitë të cilat e ndoqën shoqërinë tonë në vazhdimësi, dhe të cilat u bënë më të theksuara gjatë periudhës së tranzicionit, ndikuan dukshëm në shumë aspekte, duke filluar nga ndryshimet strukturale shoqërore, e deri tek krizat e ndryshme morale dhe materiale, duke krijuar kështu një gjendje kaotike të përmasave multidimensionale, gjendje kjo në të cilën e ke vështirë të vizatosh vijën ndarëse në mes të mirës dhe të keqes, vlerave dhe kundërvlerave, kualitetit dhe kuantitetit, rregullit dhe kaosit, demokracisë dhe anarkisë, lirisë dhe presionit, incidentit dhe dhunës sistematike…etj.

Njëri nga institucionet që u trondit dukshëm gjatë kësaj periudhe të tranzicionit ishte shkolla dhe sistemi arsimor.

Pikërisht në momentin kur pritej që shkolla dhe arsimi të modernizohet dhe të kthehet në binaret e veta, pas qëndrimit disadekadësh nën kthetrat e një ideologjie e cila helmoi gjenerata të tëra me parulla dhe sllogane boshe, për fat të keq, fillimi i periudhës së tranzicionit shënoi edhe përfundimin e ëndërrave të posafilluara për një shkollë të mirëfilltë e cila do të arsimojë, edukojë dhe përgatitë gjeneratat e reja për të qenë në hap me ambicjet, kërkesat dhe sfidat e njerëzimit në prag të mijëvjeçarit të tretë. Kështu, në vend që të bëhet një tranzicion i mirëfilltë në aspektin arsimor, ky “tranzicion” u shndërrua në proces të dhimbshëm dhe të pafundtë, duke kaluar kështu nga një ekstrem në ekstremin tjetër; e gjithë kjo në emër të modernizimit dhe reformimit të shkollës dhe arsimit.

Së këndejmi, sikurse në sistemin monist që dëgjonim sllogane të llojit 'zhvillim i gjithanshëm', 'edukatë socialiste', 'vëllazërim bashkim' etj., tashmë filluam të dëgjojmë sllogane tjera, si: 'reforma në arsim', 'modernizim i arsimit', 'trende bashkëkohore në arsim', 'mësim interaktiv', 'arsim për të gjithë', 'inkluzivitet në arsim',…etj., e të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë asgjë më tepër se fjalë mirakëndëse, ndërsa praktika dëshmon krejtësisht diçka tjetër, adhe atë:

* 'Shabllone' të kopjuara nga vende të tjera, të cilat nuk 'koinçidojnë' aspak me realitetin faktik.
* “Reforma” të udhëhequra nga shumica e kuadrove të 'pareformuar'.
* Arsimim masiv jashta çdo kontrolli, norme dhe kriteri.
* Kompjuterizim të shkollave të cilave ju mungojnë edhe prizmat elektrike për kyçjen e kompjuterëve në fjalë.
* “Modernizim” i shkollave, ku përveç fjalës modernizim gjithçka tjetër është arkaike dhe primitive.
* “Institucione edukativo-arsimore”, ku gjithçka tjetër është prezente, përpos edukimit dhe arsimit.
Sali Shasivari

Si rezultat i gjithë kësaj, shkollat, universitetet si dhe sistemi ynë arsimor në përgjithësi, në rastet më të mira 'prodhon' kuadro në disproporcion të plotë me tregun e punës, ndërsa në rastet më ekstreme edhe kuadro të pakualifikuar dhe analfabetë me diploma.

Kur ia shtosh gjithë kësaj fatkeqësie prishjen e trekëndëshit familje - shkollë - shoqëri, mosfunksionimin e trekëndëshit pedagogjik prind - nxënës - arsimtar, si dhe politizimin e skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe institucionet arsimore, piktura e shëmtuar e realitetit tonë të hidhur bëhet edhe më e qartë.

E gjithë kjo ndikon në paraqitjen e konfuzitetit dhe frustracioneve të ndryshme tek të gjitha palët, të cilat fillojnë që zgjidhjen ta kërkojnë përmes formave të ndryshme jolegjitime. Kjo, ngase institucionet arsimore janë hallkë e pandashme e zinxhirit të përgjithshëm shoqëror, dhe se gjendja e përgjithshme në realitetin shoqëror, ekonomik dhe politik reflektohet drejtëpërdrejtë në shkollë, si dhe e kundërta, gjendja e mjerueshme në institucionet arsimore nxjerr kuadro të tilla prej të cilave shoqëria nuk mund të pret shumë 'hajr'.

Në situata të këtilla, dhe me qëllim të daljes nga një rreth i këtillë vicioz, para së gjithash, kërkohet seriozitet dhe përkushtim nga të gjithë faktorët relevantë, duke filluar nga faktori prind dhe familje e deri te institucionet më të larta shoqërore, politike dhe arsimore, me qëllim që secili prej tyre të kryejë me nder dhe përgjegjësi obligimet, punët dhe misionin me të cilin është ngarkuar; të vetëdijshëm se secili duhet kryer detyrat e veta dhe se askush nuk do ta kryej punën e tjetrit, si dhe të bindur se zgjidhja nuk arrihet përmes hudhjes së fajit dhe përgjegjësisë nga njëra palë tek tjetra, por përmes përmbushjes së detyrave dhe obligimeve që i takojnë çdo individi, kolektivi apo institucioni.

Përderisa nuk do të kemi një qasje të këtillë serioze, ne do të vazhdojmë të 'zihemi e piqemi' në “ferrin” e injorancës dhe papërgjegjësisë sonë kolektive, duke ëndërruar “parajsën” inekzistente të kësaj bote.

'Acta Non Verba' (Punë/vepra e jo fjalë)!

Publikuar: 15.04.2011 | 10:12
Lexuar: 1476 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime