Iva është vetëm 9 vjeçe, por dashuria për pianon bën që ky instrument muzikor, i cili për shumë moshatarë të saj mund të jetë lodër, për Ivën të jetë objekt kulti, vegla muzikore që e ndihmon atë të shpreh shpirtin e saj artistik.
Një shqiptare 9-vjeçare ka rënë në sy të opinionit ndërkombëtar për talentin e saj të spikatur në luajtjen në piano. Kamerat e emisionit të pasdites së TV Top Channel vunë në qendër të vëmendjes Ivën, vetëm pak ditë pasi ajo fitoi një çmim ndërkombëtar midis 114 konkurrentëve nga e gjithë bota, në Lituani.
E renditur e treta, vogëlushja dëshmon: Kisha një parandjenjë të mirë që do të ndodhte diçka e mirë dhe të nesërmen më dhanë çmimin e tretë. U gëzova shumë për këtë.
Iva është vetëm 9 vjeçe, por dashuria për pianon bën që ky instrument muzikor, i cili për shumë moshatarë të saj mund të jetë lodër, për Ivën të jetë objekt kulti, vegla muzikore që e ndihmon atë të shpreh shpirtin e saj artistik.
Dëshira më lindi një ditë ditëlindjeve, kur dëgjova një pianist. I thash mamit që të më blinte një piano dhe kështu nisa të merresha me këtë instrument, vazhdon vogëlushja.
Rrugëtimi drejt konkursit të talenteve të reja nuk ishte i lehtë. Si fillim, Ivës iu desh të përballonte konkurrencën e moshatarëve të saj në shkollë. Pianistja e vogël, por me talent të madh, është nxënëse në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë.
Në shkollë mbërriti një ftesë nga MTKRS për të dërguar përfaqësues në konkursin në fjalë. Meqë Iva kishte mbyllur në mënyrë të shkëlqyer semestrin, duke u këshilluar edhe me mësuesit e saj, vendosëm që ta dërgonim në Kaunas, tregon e ëma.
Tingujt e jashtëzakonshëm që nxjerr kombinimi i gishtave të vegjël me tastierën e pianos bëri që talenti i vogëlushes shqiptare të ketë jehonë në Lituani.
Duket se shpirtin e artistes e ka të trashëguar nga mamaja e saj, mësuese e lëndës së deshifrazhit në liceun e Tiranës.
E në këtë pikë, përveç përgatitjes nga mësuesja në shkollë, një ndihmë e madhe Ivës në rrugën e saj drejt një suksesi të sigurt si pianiste i vjen nga mami Vjollca.
Ndihma e mësueses është baza kryesore, ndërsa kontributi im qëndron në studimin rigoroz e cilësor të saj, në përcaktimin e kërkesave të pedagoges apo zbatimin e tyre gjatë studimit.
Vlerësimi me çmimin e tretë, si dhe diploma e marrë në konkursin e parë ndërkombëtar Kaunas Sonorum-2011, përveç se një meritë e Ivës, është një punë e palodhshme e familjes dhe mësueses së saj.
Ia dedikoj mësues sime, Valbona Kasaj dhe familjes të gjithë suksesin e arritur, thotë 9-vjeçarja.
Për Ivën, nuk është hera e parë që ngjitet në skenë. Pas disa përvojave të suksesshme në Shqipëri, tani ajo kërkonte diçka tjetër, të konkurronte në arenën botërore.
Në qershor 2010 konkurroi në Maqedoni në një konkurs ndërkombëtar, ku mori vendin e tretë dhe opinione të mira nga juria, thotë mamaja.
Siç ndodh në shumë raste, shteti është indiferent ndaj talenteve të reja. Udhëtimi drejt Lituanisë nuk financohej nga shteti, por kjo nuk i pengoi prindërit e Ivës të paguanin një kosto të madhe për të çuar vajzën e tyre në një konkurs ndërkombëtar.
Kompozitorët e mi të preferuar janë Bethoven apo Moxart, ndërsa pianisti im i preferuar është Glenguld. Një ditë, ndërsa po kërkoja një video timen në internet, ndesha më një pjesë të luajtur nga ai dhe luan aq bukur sa tani e dëgjoj gjithmonë, thotë talenti i pianos shqiptare, që ka një ëndërr të madhe për të realizuar në jetën e saj: Dua që një ditë të ngjitem në skenën e Vjenës, pasi ajo është më e madhja në botë.