Sulejmani tha se gjatë asaj kohe, inspektorë të policisë i kanë thënë se do ti japin atij dhe anëtarëve të tjerë të familjes nënshtetësinë e Maqedonisë vetëm nëse tregon disa emra për ti futur në listë si të dyshuar për vendosjen e minës.
Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 filloi seanca e parë gjyqësore pas përsëritjes së procedurës penale për rastin Sopoti. Seanca filloi me leximin e akuzës nga ana e prokurorisë, e cila ngarkon 11 banorët e Sopotit për shpërthimin e minës në këtë fshat në vitin 2003. 4 të akuzuarit e parë Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani hodhën poshtë akuzën e prokurorisë.
I akuzuari më i moshuar Sulejman Sulejmani, rrëfeu para gjykatësit se si e kanë rrëmbyer prej shtëpisë së tij, e kanë dërguar në vend të panjohur dhe e kanë keqtrajtuar fizikisht e psiqikisht vetëm për të pranuar veprën për të cilën nuk e kishte kryer. Sulejmani tha se gjatë asaj kohe, inspektorë të policisë i kanë thënë se do ti japin atij dhe anëtarëve të tjerë të familjes nënshtetësinë e Maqedonisë vetëm nëse tregon disa emra për ti futur në listë si të dyshuar për vendosjen e minës.
Ai shtoi madje se njëri prej inspektorëve i ka thënë se e montova rastin dhe tani do të dënojmë me 13-14 vjet burg. I akuzuari tjetër Samet Lutfiu tha se në momentin që ka shpërthyer mina, ka qenë në shtëpi dhe se menjëherë ka shkuar në vendngjarje për ti ofruar ndihmën e parë të lënduarve nga incidenti. Avokati i të akuzuarve Vullnet Paçuku tha për ALSAT M se të akuzuarit nuk kanë lidhje me këtë rast, janë plotësisht të pafajshëm dhe se prokuroria nuk ka asnjë dëshmi për fajësinë e tyre.
Unë do të kisha thënë se me çfarë dëshmi tani prokuroria do të kërkojë një dënim ndaj gjithë këtyre të akuzuarve dhe të shpallen të fajshëm sepse ne si çdo herë që kemi thënë se nuk ka asnjë provë materiale as një provë të besueshme relevante me anë të së cilës mund të shpallen fajtorë të gjithë këta të akuzuar. Dëshminë e vetme që prokuroria presim ta përdorë gjatë procedurës penale është deklarata që ka dhënë dëshmitari Ramadan Bajrami, mirëpo ne tanimë kemi gjithë ata prova se deklarata është si pasojë e përdorimit së dhunës, maltretimit fizik dhe psiqik.
Do të kërkojmë të gjithë dëshmitarët edhe një herë të paraqiten para gjykatës, do ballafaqojmë dëshmitë, për të vërtetuar se të akuzuarit janë të pafajshëm tha Vullnet Paçuku avokat i të akuzuarve.Vazhdimi i seancës gjyqësore është caktuar për 13 maj kur edhe pritet të dëgjohen edhe dy të akuzuar të tjerë që tashmë ndodhen në paraburgim në Shutkë, Zenel Klaiqi dhe Shaqir Sulejmani.
Pritet që të dëshmojë edhe përkthyesja e ushtarëve polak të forcave të NATO-s që kishin humbur jetën në vitin 2003 Poliksena Filipovska. Në seancën e sotme gjyqësore mori pjesë edhe përfaqësuesi i ambasadës së Polonisë. Përsëritja e gjykimit të rastit Sopoti, erdhi pas publikimit të dëshmisë së Ramadan Bajramit në ALSAT M se ai nën presion fizik dhe psikik nga ana e inspektorëve të policisë, është detyruar të thotë emrat e bashkëfshatarëve të tij, si të dyshuar për vendosjen e minës, nga e cila humbën jetën 2 ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil.
Shkëlzen Aqifi