Në lirikat poetike të krijuesve mërgimtarë janë më të shprehura, malli dashuria dhe dëshira, por pa harruar edhe motivin social e të natyrës, mallin për mëmëdhenë, lagjen e fëmijërisë, rrugën e pjekurisë deri tek simpatitë e dashurisë së ikur, sikur kthehen si retrospektivë e frymëzimit nga e kaluara, thirrje të cilat hasen të krijuesit e mërgatës
Simpoziumi i IV Ndërkombëtar MUZA POETIKE PEGASI 2011
Sadije Aliti, Tiranë
Ca ditë të javës së prillit u ndanë për aktivitetet kulturore poetike. E tëra filloi në Gjirokastër, për të vazhduar në kryeqytetin shqiptar, Tiranë e për të përfunduar në Prishtinë. Simpoziumi i IV Ndërkombëtar MUZA POETIKE PEGASI 2011 tuboi në një vend, poetë, shkrimtarë, kritikë studiues, gazetarë e letrarë nga veset e gjeografisë shqiptare dhe nga diaspora.
Një organizim i mrekullueshëm, një pritje e bukur në Universitetin Vitrina në Tiranë ku edhe u mbajtën punimet e këtij simpoziumi në temën kryesore: LIRIZMI NË LETËRSI & RRUGËTIM PROFIL PEGASI INTERNACIONAL
Ky simpozium përbën një tematikë sa të larmishme,po kaq dhe interesante, sepse para së gjithash mundëson: shkëmbimin universal të mendimit letrar rreth lirikës sot, prezanton emra e figura të letërsisë, të cilët me punën dhe artin e tyre kanë dhënë një kontribut të shquar në mbarë kulturën letrare sot dhe për herë të parë unifikon një veprimtari pankombëtare.
Të pranishmit në fillim i përshëndeti rektori i Universitetit privat vitrina prof.dr. Mario Kedhi.U lexuan edhe shumë fjalë përshëndetëse të kësaj shoqate në botë. Organizatore e këtij evenimenti kulturor ishte Lidhja Ndërkombëtare e Poeteve , Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI, Shqipëri dhe Kosovë.
Shpërthen bukurishëm nga kraharori malëgjerë, përcillet nga mjaltizmi gojor dhe fonik, nga arkitektura e montuar me shpirt urim i mirëseardhjes: Erdhët në këtë qytet, tashmë dimë ne se si tju shtojmë kënaqësitë në kraharorët tuaj të ndjeshëm , në sytë tuaj vëzhgues
Kur të largoheni, duke parë këtë hapësirë fanitëse, këtë ngjitje qiellore, këtë përshtatshmëri releviore, këtë dritim mençurie, do të prodhoni skicime, tregime, reportazhe , dedikime-tha kryetari i Pegazit në Shqipëri, Kristaq Shabani. Ai theksoi se poetët e një pjese të botës që janë këtu dhe ata që smundën të vinin nga distancat e largëta, kanë ardhur me kumtesat e tyre, me vargjet e derdhura në përshëndetjet, me librat e tyre dhe antologjitë, ku kanë thënë gjithçka ndjeshëm
Ne shkëputëm disa nga kumtesat e shumta të prezantuara në këtë simpozium në temën
LIRIZMI NË LETËRSI & RRUGËTIM PROFIL PEGASI INTERNACIONAL
Lirika popullore shqipe të mahnit me pastërtinë e formës dhe me ekspresivitetin e befasishëm, me guximin përshkrues dhe me mënyrën e sajimit në favor të një imazhi laraman dhe një depërtim realist e të gjallë.
Kritiku dhe publicisti nga Maqedonia Rami Kamberi, theksoi se lirika shqipe është lirikë e gjeografisë së vareve, gjuhës së qëndresës, rrugë e lirisë dhe lirikë e gjakut dhe.
Sipas Kamberit arsye të rralla janë lirikat e dashurisë dhe lirika ku thuhet unë dua, unë dashuroj edhe pse duke e shikuar si tërësi qoftë në prozë apo në poezi.
Dr.Irena Gjoni, prezantoi një vlerësim për librin Si shkohet për te vetvetja, titulli i librit të fundit nga autori kosovar Jeton Kelmendi, libër i përkthyer në 22 gjuhë të botës. Poezia e Kelmendit është një poezi sa e sensibilizuar ndaj akteve më intime të marrëdhënieve njerëzore, po aq edhe ndaj atyre sublime e dramatike, është e dukshme ndjesia e përftuar nga një përjetim emocional i drejtpërdrejtë, arin të transmetoj shumëçka shpirtërore përmes futjes së perceptimit poetik të botës, duke mbrojtur e ruajtur një energji emocionale-tha Irena Gjoni.

Nga diaspora shqiptare, një preznetim bëri edhe Seveme Fetiqi, nga Gjermania, që trajtoi lirikën e poezisë së mërgatës. Në lirikat poetike të krijuesve mërgimtarë janë më të shprehura, malli dashuria dhe dëshira, por pa harruar edhe motivin social e të natyrës, mallin për mëmëdhenë, lagjen e fëmijërisë, rrugën e pjekurisë deri tek simpatitë e dashurisë së ikur, sikur kthehen si retrospektivë e frymëzimit nga e kaluara, thirrje të cilat hasen të krijuesit e mërgatës-tha mes tjerash Fetiqi.
Një kumtesë interesante duke zbërthyer kuptimin e lirizmit shqiptarë që nga zanafilla e deri në ditët e tona e bëri Primo Shllaku,
Lirika që në zanafillë ka qenë një sektor i letërsisë shumë i veçantë sepse njeriun dhe botën e brendshme e vë në fokusin e vet, ajo merrej me ndjesitë dhe sublimet e tyre, dashurinë dhe erotizmin dhe me njeriun-theksoi Shllaku. Më tej bërë një lëvrim të hollë nëpër të gjitha etapat e zhvillimit lirik që nga letërsia popullore, lirikët e periudhave letrare duke fokusuar rilandist e deri të lirikët e ditëve të sotme.
Shqiptarët kanë lirikën e tyre dhe shpirtin lirik, laramania e relievit dhe pasuria gjeografike e bëjnë shqiptarin kërkues e lëvrues të larmishmes.
Nexhat Rexha, nga Kosova ndal në lirizmin poetik të Dritëro Agollit.
Shkrimtari Agolli në krijimtarinë artistike ka shpalosur të mundshmen në konkrete duke dhënë shfaqe e komponentë të kërkimit kah vlerat sa më estetike, prej vargut në varg, prej poezie në poezi, prej vepre në vepër ka hapëruar me tipare karakteristike duke shkrirë konstantën me simbolikën origjinaletha mes tjerash Nexhat Rexha.
Prilli shënoi një eveniment që do të vazhdojë të rrugëtojë edhe në evenimente të tjera duke tubuar në një vend idetë e njerëzve të letrave, imagjinatën lartësuese, fantazi pjellore dhe një përsëritje të magjishme.