E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

PRISHTINË, 13 TETOR – Ka një vit që tre asistentë të rinj të Fakultetit të Mjekësisë paguhen nga buxheti i Kosovës, edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe ata nuk kanë punuar asnjë orë të vetme. Në fakt, ata donë të punojnë, mirëpo profesori i lëndës, për të cilën janë zgjedhur t’i mbajnë ushtrimet, nuk i lejon ta ushtrojnë të drejtën e punës të përcaktuar me kontratë.
Monopolet i kushtojnė Kosovės me deficit tė kuadrit akademik
As vendimet për punë të lëshuara nga rektori i Universitetit të Prishtinës dhe as shkresat e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë nuk ia kanë ndryshuar mendjen profesorit të Ortodoncisë në degën e Stomatologjisë, Hasan Mehmeti, për t’i angazhuar në ushtrime të kësaj lënde edhe tre nga katër asistentët e rinj, të zgjedhur më konkurs para një viti: Sokol Krasniqin, Albena Reshitajn e Luan Kurtishin. Të vetmin që e lejon t’i asistojë është djali i tij, Blerim Mehmeti.


“Me 1 tetor të këtij viti, kur filloi viti akademik, e kemi kontaktuar profesorin, nga i cili kërkuam të dimë a do të na lejojë t’i mbajmë ushtrimet. Ai na tha se nuk e ka ndërruar qëndrimin”, ka thënë për "Kohën Ditore" asistenti Sokol Krasniqi, të shtunën.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit, profesori Mehmeti ka refuzuar të flasë për gazetën në lidhgje me këtë çështje.

Monopol mbi kuadrin

Deri vonë profesorët vendosnin për asistentët, ndërsa kjo praktikë ka ndërruar pak vite pas hyrjes në fuqi të Statutit të universitetit publik, me të cilin janë përcaktuar kritere për zgjedhjen e stafit akademik. Praktika e mëhershme e zgjedhjes së kuadrit i ka sjellë Kosovës mungesë ekstreme të stafit akademik, vlerësojnë ekspertët e arsimit.
“Monopolet e kanë prurë këtë gjendje. Profesorët e kanë konsideruar veten të pazëvendësueshëm. Ka qenë një ide meskine, e edhe morbile e të gjithë këtyre mësimdhënësve që kanë pasur detyrim edhe ligjor e edhe moral para qytetarëve të Kosovës që të përgatisin njerëz që punën e tyre ta qojnë më tutje”, ka thënë eksperti i arsimit, Halim Hyseni.
Universiteti i Prishtinës ku vijojnë studimet mbi 31 mijë studentë, aktualisht ka 1.553 të punësuar si staf i rregullt akademik. Në thirrjen më të lartë akademike, atë të profesorit, janë 162 mësimdhënës, profesorë të asociuar janë 105, ndërsa asistentë profesorë 241 sish.
Stafin e ri akademik e përbëjnë 432 mësimdhënës, prej tyre 325 asistentë të rinj dhe 107 asistentë. Vetëm në dy vitet e fundit kur kanë filluar të përfillen kriteret për zgjedhjen e kuadrit, Universiteti ka rekrutuar mbi 200 asistentë.
Mirëpo, kërkesat për staf janë akoma më të mëdha. Meqë vetëm këtë vit janë pensionuar 35 profesorë, ndërsa në 2007-n 38 sish, organet e Universitetit të Prishtinës i kanë kërkuar institucioneve shtetërore që për pesë vjet t’u zgjatet mosha e pensionimit kuadrit akademik.
Vetë presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili ka ngrirë marrëdhënien e punës me UP-në ku ka ligjëruar para se të merrte postin e të parit të vendit, është përkujdesur për shtyrjen e kohës së pensionimit të kolegëve të tij në universitet. Çështja ka shkuar deri në Qeveri, ku është shprehur qëndrimi se kur ekzekutivi të hartojë Projektligjin për shërbyesit civilë, do ta ketë parasysh këtë kërkesë.
Mirëpo, shtyrja e moshës së pensionimit të profesorëve universitarë s’është pritur mirë në opinion. Eksperti Halim Hyseni këtë iniciativë e konsideron si përpjekje që “sëmundja e arsimit të larë publik dhe atij privat të zgjatet edhe për pesë vjet”.
“Gjendjen e rëndë në këtë sektor të arsimit ata vetëm mund ta thellojnë. Nuk ka arsye që kjo gjendje të zvarrite, sepse ata nuk i kontribuojnë zhvillimit të arsimit. Thjesht ata i bëjnë dëm vështirë të riparueshëm”.

Mungesë kuadri

Edhe në arsimin e lartë privat ka deficit të kuadrit akademik. Numri i përgjithshëm i ligjëruesve në të 29 institucionet private të arsimit të lartë sillet midis 750 dhe 800. Edhe pse si numër mund të duket i mjaftueshëm për rreth 19 mijë studentë sa vijojnë studimet tek privatët, vlerësohet se numër i madh i këtij stafi ligjërojnë në më shumë se një institucion të arsimit të lartë.
Një hulumtim i realizuar këtë vit nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, ka nxjerrë të dhënën se 2 profesorë kosovarë ligjërojnë në gjashtë institucione të ndryshme private të arsimit të lartë, 4 në pesë institucione, 5 në katër, 22 në tri dhe 101 në dy institucione. Këtu nuk është përfshirë edhe universiteti publik, ku besohet të jenë të punësuar shumica e këtyre profesorëve.
Në kohën kur duhet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të jashtëm pranë Agjencisë së Akreditimit, institucionet private të arsimit të lartë iu ka lindur problemi me stafin e rregullt. Kjo për faktin se, në njërën anë nuk u lejohet profesorëve që të figurojnë si kuadër me orar të plotë pune edhe në listën e universitetit publik e edhe tek privatët, siç ka ngjarë deri më tash, e në anën tjetër nuk u lejohet privatëve të japin grada akademike pavarësisht nëse ka interesim nga kandidatë që kanë gradën shkencore të magjistrit a doktorit të shkencave për të lidhur kontratë me ta.
“Institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë nuk mund të japin grada akademike, sepse nuk janë të akredituara. Ne i njohim thirrjet e marra në Universitetin e Prishtinës dhe në secilin universitet jashtë vendit, i cili është i akredituar”, ka thënë Ferdie Zhushi, ushtruese e detyrës së shefit të Agjencisë së Akreditimit.
Në Ministrinë e Arsimit më herët kanë bërë të ditur se në procesin e akreditimit do t’i kërkohet secilit institucion të arsimit të lartë që të ketë personel të përhershëm universitar, të cilët janë të lidhur me kontratë që shërbejnë për jo më pak se marrëdhënie gjysmëditore të punës, për një periudhë për jo më pak se tri vite. Ky personel i përhershëm kërkohet të jetë në gjendje që të mbulojë së paku 50 për qind të ngarkesës së mësimdhënies për secilin program akademik.
Halim Hyseni konsideron që potenciali aktual akademik që ka Kosova nuk mjafton as për universitetin publik. Sipas tij, arsimi i lartë ka nevojë për ndryshime, por ka tërhequr vërejtjen se ndryshimet nuk bëhen me kuadrin e shtyrë në moshë dhe as me numrin aktual të këtij kuadri.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë sistemime e arsimit pa i ndryshuar pedagogët. Kjo do të thotë edhe ndryshim cilësor, e edhe sasior”, ka thënë ai.

Nga: Besnik Krasniqi

Publikuar: 14.10.2008 | 13:34
Lexuar: 1139 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime