Një biznesmen i suksesshëm që të shenjtë e ka familjen. Një njeri që nipërit dhe mbesat i japin çaste magjike. Një humanist i madh që hobi ka teknologjinë. Politika nuk është prioritet i tij. Një njeri që gëzohet me suksesin e të gjithëve... YllPress.com ju sjell një intervistë ekskluzive ndryshe, me biznesmenin e njohur dhe humanistin Lazim Destanin, për jetën e tij që ju nuk e njihni...
YllPress:- Si fillon dhe mbaron një ditë ë zakonshme për ju?
Lazim Destani:- Çdo ditë e ka të veçantën e vet, prandaj unë nuk i konsideroj si të zakonshme. Ndoshta vetëm fillimi i tyre është i ngjashëm, sepse disi përsëritet dhe fillon njësoj: me kafenë e mëngjesit, të cilën e pi bashkë me familjen. Është ky rituali që u paraprinë agjendave të ditës së re të punës, që përfundon me një pjesë të cilën nuk mund ta zëvendësoj me asgjë tjetër në jetë, sepse pikërisht në kohën e pirjes së kafesë na sulmojnë me përqafime mbesat dhe nipi që bëhen gati për në shkollë. Ato janë çastet e tyre, çastet tona magjike, të cilave unë u dorëzohem plotësisht.
YllPress:- Çfarë është familja për ju?
Lazim Destani:- Pasuria më e madhe e çdo njeriu dhe ajo që i jep kuptim jetës dhe aktiviteteve tona të përditshme. Familja qëndron në themelin e çdo suksesi që kam arritur në jetë. Është ajo, pastaj është shoqëria. Pa familje të fortë nuk ka as shoqëri të shëndetshme. Nuk thoshin kot pleqtë tanë se më i vyeshmi dhe më i miri në shoqëri është ai që i vinë përreth shtëpisë e familjes së tij, pra e ka portën e respektuar.
YllPress:- Çfarë është vendlindja për ju?
Lazim Destani:- Vendi që më lindi mua dhe të parët e mi, vendi ku i kam varret e më të dashurve të mi, është vendi më i dashur e më i shtrenjtë në botë. Është pak e habitshme kjo punë: jeta në vendlindjen time ka qenë dhe vazhdon të jetë e vështirë e me shumë sfida ekzistenciale, po ashtu si vjen e ikën mosha mua më duket gjithnjë e më e bukur, gjithnjë e më e dashur dhe gjithnjë e më shumë e bart brenda shpirtit ngado që sillem nëpër botë. Nga kjo distancë kohore më duken të papërsëritshme dhe momente që dikur nuk i kam konsideruar si të tilla. Ndodh kështu, sepse gjithë përjetimet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme i kam nga ai vend. Mjerisht, aktualisht nuk kam mundësi që ta vizitoj më shpesh vendlindjen time. Para disa kohe isha në një ekspozitë me fotografi të bëra në bjeshkët e Sharrit, e vizitova dhe përjetova shumë emocione. Mu bë se i njoh gjithë ato peizazhe të bukura e të mahnitshme, sepse dikur vërtet i kam ecur dhe vetë ato vise të mrekullueshme të vendlindjes sime.
YllPress:- Çfarë kujtoni nga fëmijëria?
Lazim Destani:- Një fjalë e vjetër thotë se njeriu më së shumti i kujton përjetimet e vështira të jetës dhe mbase është pikërisht ashtu. Thashë dhe më lartë se jeta në vendlindjen time nuk ka qenë e lehtë, po natyrisht, në kujtesën time kam dhe shumë momente të paharrueshme. Dhe po tmë pyesni cilët janë ato momente, do të përgjigjesha pa hezitim: gjithçka që ka ndodhur kur i kam pasur gjallë prindërit e mi të dashur e të shtrenjtë; gjithçka që kam përjetuar në stinën më të bukur të jetës sime, kur gjërat kanë aromë dhe pamje të veçantë...
YllPress:- Cili është hobi juaj?
Lazim Destani:- Paisjet teknologike, si ato për informim, për shembull, përherë kanë qenë diçka që më kanë tërhequr shumë. Atë e kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek gjatë gjithë kohës. Në moshë të re kisha aparatin e parë fotografik që ma sollën vëllezërit nga Gjermania dhe me atë aparat arrita të fotografoj disa ngjarje dhe njerëz që ishin shumë të rëndësishëm në jetën time. Më vonë, kur fillova të punoj në Gjermani, e bleva një video kamerë, gjysmë profesionale me shirit 8 milimetra. Me atë mu shtua pasioni që e kisha për filmin dhe filmimet. Kam filmuar shumë gjëra të rëndësishme për mua dhe për njerëzit më të afërt, kështu që sot në arkivin tim personal kam materiale shumë të vyeshme, mbase dhe me rëndësi shoqërore. Është një botë e tërë të cilën nuk ke ku e gjënë më
Ky pasion i jep një shtresë të re kuptimore jetës sime, ndaj vazhdoj ti ndjek të gjitha zhvillimet teknologjike. Në saj të këtij pasioni unë rregullisht porosis shumë kohë para daljes në treg prodhimet si telefonat inteligjent, ta zëmë iphone, kompjuterët tablet si iPad, apo edhe paisje tjera të kësaj natyre sepse, si të thuash, ky është hobi im që shpresoj do tmë shoqërojë edhe në të ardhmen...

YllPress:- Keni ndonjë vend apo ndonjë shtetet të preferuar?
Lazim Destani:- Një filozof i moçëm ka thënë se për njeriun është më i dashur dhe më i respektuar vendi që ofron më shumë të drejta, më shumë mundësi për punë e për jetë normale. Dhe unë i besoj kësaj thënieje, veçmas në epokën e globalizimit. Aktualisht jetoj e punoj edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë edhe në Gjermani... dhe gjithë këto vende i dua dhe i respektoj. Një vend e bëjnë të preferuar dhe miqtë, shoqëria dhe njerëzit me të cilët bashkëpunojmë. Por, nëse insistoni që megjithatë të dalloj ndonjë vend të tillë. Atëherë do ta dalloja Tetovën, pra vendlindjen time, dhe Gjermaninë, edhe pse, siç thashë: kudo që shkoj kam ndjenjën se jam në vendin tim, sepse fati ka dashur që të krijoj shumë miq e bashkëpunëtorë, të cilët mi bëjnë më të dashura vendet ku jetojnë e janë duke punuar....
YllPress:- Çfarë ju bën të lumtur dhe çfarë ju bën të pikëlluar?
Lazim Destani:- Njerëzit që më njohin e dinë se unë jam njeri që gëzohet shumë për sukseset në përgjithësi, për sukseset e mia, për sukseset e miqve të mi dhe për sukseset e të tjerëve. Kjo tek unë nxit ndjenjën e lumturisë pasi ne si komb kemi shumë nevojë për suksese të përbashkëta që do të shërbejnë si udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme.
Sa i takon ndjenjës së pikëllimit, po ju them se atë ma shkakton mungesa e energjisë pozitive, mungesa e ndjenjës për sukseset e përbashkëta. Ndjenjat e tilla nuk i kam kuptuar kurrë dhe nuk arrij ti kuptoj as sot. Ato janë ndjenja që nuk i sjellin asnjë të mirë dhe asnjë progres shoqërisë sonë.
YllPress:- Si e kaloni një fundjavë?
Lazim Destani:- Ka kohë që fundjavat e mia e kanë humbur kuptimin që kishin dikur. Me rritjen e angazhimeve janë rritur dhe obligimet e më ketë janë ngarkuar pothuajse gjithë ditët e javës. Tani kur po zgjerohet familja me nipër e mbesa të vogla, i pres me padurim momentet e lira të jetës, veçmas ato gjatë fundjavave, kur edhe ata nuk kanë obligime shkollore. Kjo më bën ti rikujtoj gjithnjë e më shpesh fjalët e prindërve të mi kur mundoheshin të ma shpjegojnë ndjenjën e tyre karshi fëmijëve të mi. Tash i kam të qarta të gjitha dhe jam shumë i lumtur që fjalët dhe ndjenjat e tyre paskan qenë të vërteta: një për një. Shpirtrat e vegjël që sot mbaj në prehrin tim më bëjnë të shoh edhe me sytë e kohërave të tjera, të kohëve të shkuara dhe të atyre që janë përpara nesh...
YllPress:- Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Lazim Destani:- Ushqimet tradicionale, ushqimet që përgatiste dikur nëna ime - bukët e pjekura në çerepet e dheut të vendlindjes dhe gjellërat e ziera në vorbat e po atij dheu...
YllPress:- Çfarë muzike dëgjoni dhe cilat lloj filmash ju pëlqejnë?
Lazim Destani:- Unë i përkas gjeneratës së mesme dhe më shumë më pëlqen muzika tradicionale. Siç e dini, pikërisht kjo muzikë ishte dhe formë e shprehjes së revoltës në kohët e vështira që kemi kaluar si komb. Ajo na e shtonte ndjenjën që duhej ta ruanim brenda nesh përballë gjithë furtunave politiko-shoqërore që na rrethonin.
Sa u përket filmave, më pëlqejnë ata që kanë brenda vetes tregime shumështresore dhe humane.
Kam një arkiv të filmave që kanë shënuar kohën e vet. Do të përmendja, një film turko-gjerman Zeit der Wünsche më ka pëlqyer shumë dhe e kam parë disa herë. Kohëve të fundit, natyrisht, edhe filmat e Blerimit, zënë vend të rëndësishëm në arkivin tim. Nuk do të isha i sinqertë po tmos e pranoja se filmat e tij i shoh me një ndjenjë të papërshkrueshme kënaqësie dhe krenarie.
YllPress:- Kohëve të fundit disa persona të suksesshëm në biznes janë futur në politikë, duke u përpjekur të ndërtojnë karrierë edhe në politikë. Ju keni ndonjë ambicie të tillë?
Lazim Destani:- Njeriu është i suksesshëm në atë veprimtari ku është më frytdhënës. Në jetë profesionet janë të ndara, pasi një njeri nuk mund të jetë njësoj frytdhënës në disa (shumë) veprimtari. Ndërlidhja dhe respekti mes veprimtarive frytdhënëse e çon përpara shoqërinë. Unë për vete, në veprimtarinë time jam munduar maksimalisht ta jap kontributin tim për shoqërinë aty ku kam jetuar e vepruar. Në çdo kohë, brenda mundësive të mia kam dhënë kontributin tim edhe për avancimin e çështjes shqiptare në veçanti. Dhe ndonëse me vëmendje i ndjek zhvillimet politike, asnjëherë nuk jam përzier në politikë. Në anën tjetër, meqë ra fjala, unë komunikoj me shumë politikan në perëndim, dhe ajo që vrehet para së gjithash është përgatitja e tyre profesionale për postin që ushtrojnë. Ndërkaq tek ne shikuar përgjithësisht, për fat të keq kam përshtypjen se ka ende ngecje në politikbërje të mirëfillit dhe profesionale. Prandaj gjeneratat e reja e kanë hise të imponojnë standardet e nevojshme gjerësisht -- jo vetëm në politikë, por në çdo veprimtari, pasi vetëm kështu do të mund të zbuten polarizimet e skajshme që janë bërë në shoqërinë tonë dhe do të mund të vihen themele për zhvillime afat gjate. Sa u përket ambicieve të mia, ato të gjitha janë shumë larg politikës, apo angazhimit politik. As që kam menduar dhe as që mendoj për një gjë të tillë, dhe përherë kam qëndruar mbi polarizimet aktuale në shoqërinë tonë. Dhe do të vazhdoj kështu. Por, sdo mend se kam miq dhe bashkëpunëtor që janë anëtarë apo simpatizues të partive të ndryshme. Dhe tek ata nuk vlerësoj simpatitë apo ngjyrat partiake, por profesionalizmin dhe vlerat e tyre njerëzore. Më lartë i ceka disa prej gjërave që për mua janë të rëndësishme në këtë kohë të cilat edhe janë prioritete për mua, dhe vet ideja për angazhim politik timin, është në kundërshtim me ato prioritete të mia në jetë dhe në punë.
YllPress:- Ndonjë mesazh për lexuesit e YllPress.com?
Lazim Destani:- Çfarë të them pos asaj se jeta është punë, puna është sukses dhe suksesi ajo që i jep kuptim e mbarësi jetës sonë dhe jetës së bashkësive të cilave u takojmë.