Ku janë kinematë e kryeqytetit? Humbet tradita. Asnjë kinema publike nuk është ndërtuar në kryeqytetin e Shqipërisë prej më shumë se gjysmë shekulli...
Asnjë kinema publike nuk është ndërtuar në kryeqytetin e Shqipërisë prej më shumë se gjysmë shekulli.
Ndonëse është premtuar rikthimi i tyre ne identitet, sot nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë publike.
Po ku janë kinematë e kryeqytetit?
Kryeqyteti shqiptar me afro një milion banorë, aktualisht në Tiranë nuk ka asnjë kinema të administruar nga struktura shtetërore që të jetë funksionale, ndërsa para viteve "90-të kanë ekzistuar 9 kinema në Tiranë, sallat e të cilave kanë qenë gjithmonë me spektatorë dhe secila prej tyre ka qenë mjaft e njohur.
Megjithëse po bëhen përpjekje nga nisma private, e kundërta po ndodh me strukturat shtetërore, të cilat ndonëse kane premtuar shume, nuk kanë bërë asnjë përpjekje në këtë drejtim, duke bërë që sallat e dikurshme te kinemave sot te kujtohen me nostalgji.
Dikur Tirana kishte 9 kinema.
Sot?
Vetëm emri u ka mbetur pasi godinat u lanë në vorbullën e harresës.
Kinema 17 Nëntori
Në këtë vend dikur është ngritur kinemaja e parë moderne e Tiranës, kinemaja nacional e cila ishte edhe e para kinema verore.
Emri i saj ndryshoi nga Kinema -Teatri "Nacional" në vitet 1926-1939, në Kinema "Rex" në vitet 1939-1943, përsëri Kinema "Nacional" më 1943-1946 dhe Kinema "17 Nëntori" në vitet 1947-1991.
Kinema "17 Nëntori" pasi iu kthye pronarit u bë "Bingo". Më pas
një bllok pallatesh shumëkatësh duke zhdukur edhe rrugën që kalonte përbri kinemasë.
Kinema Republika
Kinema "Republika" ishte e fundit që u mbajt deri në vitin 1995.
Në fillim quhej "Diana".
Më pas, "Gloria", mandej "Republika" e së fundmi u quajt kinema "Millenium 1".
Hedhja e themeleve të saj ndodhi në vitin 1930. Historia e saj lidhet me vetë historinë e kinemasë shqiptare dhe me artistët, që thithën formimin e parë aty.
75 vjet nga ndërtimi i saj, edhe pse iu moren taksapagueseve shqiptare 400 mijë dollarë amerikanë të miratuar nga ministri i Kulturës i asaj kohe për rikonstruksionin nen emrin Millenium, u shkatërruar për tia lënë vendin një ngrehinë shumëkatëshe ende të papërfunduar në vitin 2011.
Kinema Ali Demi
Kinema "Ali Demi" më e vogël për nga përmasat, përfundoi në magazinë,me pas iu kthye pronarëve të dikurshëm dhe u shemb bashkë me gjithë historinë e saj gati njëshekullore.
Kinema Agimi
Kinema Agimi deri në vitin 1961 quhej "kinemaja e sovjetikëve" sepse pothuaj gjithë lagjja përreth ishte e mbushur nga familjet sovjetike që punonin në Shqipëri.
Sot kjo kinema 50-vjeçare është e vetmja e rikonstruktuar por që të ardhurat nuk i kalojnë Bashkisë së Tiranës ndonëse vazhdon të mbetet të pronësi të shtetit.
Kinema Dajti
Nga vitet '66-'67, kinema "Dajti" u quajt kinemaja e kinezëve. Pati edhe mensë të kinezëve, sallë lodrash e lagje të kinezëve. Këtu janë shfaqur me mijëra filma, personazhet e të cilëve na kanë bërë të qajmë dhe të qeshim. Dajti është kinemaja e shtatë dhe e fundit e ndërtuar gjatë regjimi komunist.
Sot Bashkia e Tiranës e ka shndërruar në qendrën "Ten". Një ambient shumëfunksional, për fëmijë e të rinj sipas pushtetit vendor, por gjithsesi jo një kinema.
Kinema Partizani
Kinema "Partizani" ishte e fundit që u ndërtua në kryeqytet. Ajo u ngrit në vitin 1957 dhe u dogj në vitin 1988.
Kinema "Partizani", u kthye njëherë restorant prej një firme maqedonase, e më pas në "Bingo" siç vazhdon të jetë edhe në vitin 2011.
Kinema Lapraka
Edhe Lapraka ka patur kinemanë e saj. Sot ajo i është nënshtruar vorbullës së harresës duke qëndruar e mbyllur me një çelës që fle sirtarëve të Bashkisë së Tiranës.
Kinema Tekstilisti-kombinat
Një tjetër sallë kinemaje ishte ndërtuar në kombinat, e quajtur Tekstilisti. Sot është shndërruar në një studio televizive private.
Kinema Tomori (sot godina e Partisë Socialiste)
Kinema "Tomori" e ndërtuar ne vitin 1940 nga ushtria italiane,shërbeu si sallë kinemaje për italianët, kryesisht për ushtrinë por edhe për qytetarët e Tiranës.
Pas shtetëzimit në vitin 1946 merr emrin Kinema "Brigada" dhe shërbeu si kinema e qytetit gjatë viteve 1947-1970.
Në këtë sallë u zhvilluan edhe disa "gjyqe të popullit", procese gjyqësore nga regjimi komunist pas vitit 1947 veçanërisht gjyqi i gjeneral Teme Sejko.
Sot është godina e Partisë Socialiste. (abc news)