Cak i sulmit në rastin konkret është kinse lejimi i ndërtimit të objektit pranë komunës së Gostivarit në etazhe për të cilat pronari nuk posedon leje e me kinse aminin e kryetarit.
Ndonëse kampanja zgjedhore ende nuk ka filluar zyrtarisht si duket disa struktura nuk kanë durim që të presin me plasimin e të pavërtetave e me qëllim të diskreditimit të personalitetit të kryetarit të komunës së Gostivarit z. Rufi Osmani. Cak i sulmit në rastin konkret është kinse lejimi i ndërtimit të objektit pranë komunës së Gostivarit në etazhe për të cilat pronari nuk posedon leje e me kinse aminin e kryetarit.
Per hir të së vërtetës e me qëllim të pengimit të plasimit të dezinformatave ju njoftojmë siç vijon:
Pronari i objektit në fjalë me intervenim të kryetarit të komunës së Gostivarit pas një bisede me të në vitin 2009 u tërhoq nga ideja që të mbindërtojë jashtë asaj që kishte leje ndërtimi pra përdhes dhe dy etazhe. Kjo ndodh në kohën kur në qytetin e Gostivarit ishin ndërtuar një numër i madh i objekte kolektive banesore pa kurrfarë leje ndërtimi respektivisht me tejkalime të dukshme në sipërfaqe dhe lartësi. Në momentin kur u soll Ligji për veprim me objektet e ndërtuara në mënyrë të egër pronari i objektit kontestues merr guxim dhe nis të ndërtojë mbi atë për të cilën posedon leje ndërtimi. Menjëherë sa fillon me ndërtim inspektori i autorizuar i ndërtimit në komunën e Gostivarit del në vend ngjarje dhe harton Aktvendim për konstatim si dhe Aktvendim për ndërprerjen e ndërtimit (dt. 02.03.2011). Në vazhdim (08.04.2011) harton Aktvendim për largimin e ndërtimit si dhe urdhëresë për gjobë, gjobë të cilën pronari e paguan. Në rastin në fjalë është respektuar procedura ligjore dhe nuk ka kurrgjë kontestuese. Pavarësisht nga procedura në fjalë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve sjell aktvendim për marrjen e kompetencave për objektin në fjalë nga ana e Komunës së Gostivarit e me arsyetim të pabazë kinse nuk janë sjellë aktvendimet ndonëse me dokumentacion dëshmohet e kundërta.
Me marrjen e kompetencave nga ana e komunës përgjegjësia për procedurën e mëtutjeshme i takon Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve në Shkup.
Vlen të potencohet ndërlidhur me rastin në fjalë se për ekzekutim të një vendimi për largimin e ndonjë objekti të ndërtuar në të egër inspektorët e autorizuar të komunës së Gostivarit kanë nevojë për asistencë policie, asistencë të cilën komuna e Gostivarit për shkaqe politike nuk mund ta merr nga policia e Gostivarit. Kjo mund të dëshmohet me rastin e kërkesës për asistencë për largimin e shtatë objekteve të egra( 18.10.2010) ku nga policia në mënyrë selektive (me rekomandime nga lartë) nuk dhanë asistencë dhe aksioni ngeli pa u realizuar.
Është lehtë të pasohen të pavërteta në opinion për kinse përzierje të organeve komunale në punë të papastra në urbanizëm. Por është vështirë të njëjtat të dëshmohen sepse për tu dëshmuar të njëjtat nevojiten argumente. Për fatin e mirë të qytetarëve argumente të këtilla nuk ekzistojnë. Komuna e Gostivarit deri atëherë kur në krye të saj qëndron kryetari aktual nuk do të lejojë kriminalitet të organizuar as në urbanizëm e as në lëmit tjera gjë që mund të vërehet mjaftë lehtë nga ana e qytetarëve tash më dy vite menaxhimi me komunën.