E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Përreth shumë premtimeve për “gjak të ri”, realiteti po dëshmon qarkullimin e po të njejtit gjak të “infektuar”, i cili kanos të infektojë edhe ato pak qeliza të reja të cilat po i bashkangjiten trupit të molisur.
Problemi i vlerave










Sali Shasivari

Të shumta janë problemet të cilat e kanë kapluar shoqërinë tonë në përgjithësi, dhe atë shqiptare në veçanti, sa që, po të donim t’i rradhisim një nga një, me siguri se ky shkrim do të zgjatej dhe do të bëhej monoton. Por, nëse do të donim që të bëjmë një hap më larg, gjegjësisht një hap më afër thelbit të problemit, me plotë të drejtë mund të konstatojmë se të gjitha këto probleme ndajnë një emër të përbashkët, e ai është ‘problemi i vlerave’.

Një nga shprehjet dhe slloganet të cilat i kemi dëgjuar më së shumti në dhjetëvjetshin e fundit ka qenë pikërisht fjala ‘vlerë/a’, sa që në disa raste, përdorimi i shpeshtë i kësaj fjale të bën të ndjehesh si njeri më i lumtur në sipërfaqen e dheut, ngase të është mundësuar të jesh pjesë e një shoqërie ku për bazë të gjithçkahit merren ‘vlerat’. Mirëpo, sa çel e mshel sytë, një endërr e këtillë e bukur mbaron, dhe vazhdon ankthi i realitetit të hidhur, ku fjala vlerë/a shfrytëzohet vetëm si gjeth fiku për të mbuluar turpin e kundërvlerave, të cilat bëjnë që shoqëria jonë, dita-ditës, të zhytet thellë e më thellë në ujrat e turbullt të injorancës, varfërisë, imoralitetit, korrupcionit, krimit dhe joshpresës, ujra këto të cilat janë terren i përshtatshëm për gjahtarët e së keqes.

Problemi nuk qëndron në (keq)përdorimin e fjalës si të tillë, por në krijimin e bindjes dhe përshtypjes se ‘vlera/t’ janë vetëm një fjalë goje, dhe se dallimi në mes ‘vlerave’ dhe ‘kundërvlerave’ është vetëm një parashtesë, e cila mund të hiqet nga ana e ‘të zgjedhurve të popullit’ sado dhe kurdo që e do “nevoja” për të manipuluar me ndjenjat dhe fatin e kësaj popullate, të cilës thuajase i është “shkruar” që të sakrifikojë edhe veten, vetëm e vetëm që ‘të zgjedhurit e tyre’ të jetojnë në “kështjellat” e tyre të rehatshme, të ndërtuara me djersën dhe eshtrat e popullatës së përvuajtur. Madje, sa herë që rehatisë së tyre t’i kanoset fundi, ata të kthehen tek popullata e tyre për të kërkuar “haraxh”; realitet ky i cili i përngjan thënies popullore “Ushqeje korbin të të hajë”.

Të shumta janë vlerat të cilat janë shfrytëzuar dhe vazhdojnë të shfrytëzohen vetëm si sllogan dhe paravan për realizimin e interesave personale apo grupore në llogari të atyre kolektive. Intenziteti i këtyre slloganeve si dhe manipulimit në emër të këtyre vlerave shtohet edhe më tepër sidomos në prag të zgjedhjeve, atëherë kur fillojnë të thurren planet për pushtet dhe për “muajin e mjaltit”. Gjatë kësaj periudhe parazgjedhore, niveli i ambicjeve dhe vlerave tejkalon çdo kufi dhe parashikim… Modestia, patriotizmi dhe premtimet janë në nivelin më të lartë… Gjithçka që dëgjon, është “pendimi” për të kaluarën dhe gabimet e bëra, si dhe “ndryshimi” në të ardhmen… Mirëpo, e “vetmja gjë” e cila mbetet e paqartë dhe të cilën këta protagonistë të “vlerave” nuk janë në gjendje që ta shpjegojnë është fakti se a thua vallë çka dhe si do të ndryshojë?!; si dhe pikëpyetja tjetër se a thua vallë çfarë të reje mund të pritet nga protagonistët e vjetër, të cilëve tashmë populli ua ka pirë ujin disa herë?!

Përreth shumë premtimeve për “gjak të ri”, realiteti po dëshmon qarkullimin e po të njejtit gjak të “infektuar”, i cili kanos të infektojë edhe ato pak qeliza të reja të cilat po i bashkangjiten trupit të molisur.

Më brengosës në gjithë këtë situatë është pozita e gjithmbarshme e popullatës sonë shqiptare, e cila po përjeton momente shumë kyçe të ekzistencës së saj në këto troje, momente këto në të cilat po i nëpërkëmbet dinjiteti, mirëqenia dhe shpresat për një të ardhme më të mirë, në rend të parë nga bijtë e saj, para se t’i nëpërkëmbet nga të tjerët. Bile, edhe më brengosës është fakti kur i gjithë dinjiteti i popullit përkufizohet në disa parulla pseudo-patriotike dhe nacional-romantike; e gjithë mirëqenia e tij limitohet me një punësim pa vendim apo vendim pa vend pune; si dhe të gjitha shpresat e tij lidhen për figurën e liderit të një partie politike.

Kur kësaj fatkeqësie ia shtosh indiferencën e skajshme të intelegjencisë shqiptare, e cila, o si e tillë nuk ekziston, ose i konvenon të qëndrojë e heshtur përreth përgjegjësisë morale dhe intelektuale, e sotmja bëhet edhe më e errët ndërsa e nesërmja më e mjegulluar.

Në këtë gjendje të një formalizmi dhe konformizmi të skajshëm, është e vështirë të shohësh ndonjë xixë drite dhe shprese për të nesërme më të mirë.

Në situata të këtilla, zgjidhje më e mirë është që populli, në vend që fatin e tij ta lejë në duart e të tjerëve, ai duhet që atë ta kthejë në duart e veta, si dhe të mundohet që në vend që të luajë rolin e viktimës, ai të bëhet zot i vetvetes, në funksion të mbrojtjes së të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së tij.

Poashtu, një nga parakushtet shumë të domosdoshme është që ky popull të ndalet një herë e përgjithmonë dhe të mendojë mirëfilli se ku duhet ta investojë kohën, mundin dhe pasurinë e tij, ngase, thënie e njohur popullore “Çka do të mbjellësh do të korrësh” vlen para së gjithash për autorin e saj.

Publikuar: 08.05.2011 | 17:51
Lexuar: 575 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime